FA, ligj i ri për gradat në ushtri
"përplasen" Kodheli dhe Nishani

TIRANE - Ripërcaktim i misionit, detyrave, përgjegjësive, por edhe mbështetje më e madhe nga shteti për Forcat e Armatosura: Ky është qëllimi kryesor i projekt-akteve të përgatitura nga Ministria e Mbrojtjes, të cilat presin miratimin e Qeverisë brenda vitit 2014. Nismat e Ministrisë së Mbrojtjes lidhen me kriteret për dhënien e gradave apo medaljeve në Forcat e Armatosura, për pranimin në Policinë Ushtarake, disiplinën ushtarake, kompetencat, por dhe detyrat “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”. E ndërkohë, disa projektvendime, synojnë të forcojnë mbështetjen me sigurime shëndetësore të Forcave të Armatosura.

Nismat ligjore 

Ministria e Mbrojtjes ka përgatitur 5 nisma të reja ligjore, që synojnë të përmirësojnë strukturën në tërësi në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Sipas programit të miratuar nga Qeveria, parashikohet që në katër-mujorin e dytë të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave projektligji “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e kritereve për pranimin në Forcat e Armatosura, rendin e gradave, përparimin në gradë dhe karrierë, përgjegjësitë që rrjedhin nga karakteri i veçantë i detyrës dhe i shërbimit ushtarak dhe ndërprerjen e karrierës ushtarake në Forcat e Armatosura. Një tjetër nismë ligjore është projektligji “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes” që ka si qëllim të përcaktojë misionin, organizimin, funksionimin, detyrat dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, si dhe të rregullojë pozitën juridike dhe administrative të punonjësve të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Kjo nismë ligjore pritet të shfuqizojë ligjin 117, datë 13.12.2012 “Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes“ që ishte vazhdimësi e Shërbimit Informativ Ushtarak i cili zyrtarisht ishte formuar më 11.12.1991. Ligji i 2012-ës i paraqitur në një kohë debatesh të forta politike për përgjimet e zyrtarëve, u kontestua nga mazhoranca e sotme, opozita e djeshme kryesisht për kriteret e emërimit të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë por dhe stafit të saj. Pavarësisht kontestimeve, nisma ligjore e të djathtëve u miratua në Kuvend, duke jetësuar në dhjetor të 2012-ës, Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes. Një nismë e tretë e dikasterit të drejtuar nga ministrja Mimi Kodheli ka të bëjë me Policinë Ushtarake. Projektligji “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” përcakton misionin, detyrat, përgjegjësitë, por edhe kriteret për pranimin dhe karrierën në Policinë Ushtarake. Një rëndësi e veçantë i kushtohet dhe vlerësimit të duhur të FA-ve. Nisma ligjore për “Për medaljet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” synon pikërisht përcaktimin e kritereve të dhënies së medaljeve, llojet e tyre dhe autoritetet që kanë të drejtën e dhënies së këtyre medaljeve për personelin ushtarak dhe civil që shërben në Forcat e Armatosura. Por, krahas vlerësimit, janë dhe rregullat ligjore. Forcimi i disiplinës ushtarake, të rendit ushtarak dhe të autoriteteve në Forcat e Armatosura për të siguruar përmbushjen e misionit të tyre kushtetues është qëllimi i projektligjit “Për disiplinën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. 

Marrëveshjet

Programi i përgjithshëm analitik i projekt-akteve për vitin 2014 përfshin dhe 10 projektligje të tjera, të cilat janë kryesisht marrëveshje bashkëpunimi me Turqinë, Kosovën dhe Gjermaninë. Ndërkohë që projektvendimi “për disa ndryshime në vendimin nr. 357, datë 13.06.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurat e lëshimit të lejeve (Diplomatic Clearance) për hyrjen, uljen dhe kalimin e mjeteve lundruese ushtarake, të mjeteve fluturuese ushtarake dhe mjeteve të transportit dhe/ose të blinduara ushtarake të huaja, në hapësirën ajrore, detare dhe territoriale të Republikës së Shqipërisë” ripërcakton kriteret ligjore për dhënien e këtyre lejeve. Shqipëria si pjesë e NATO-s do të ratifikojë dhe Memorandumin e Mirëkuptimit në bazë të të cilit funksionon Qendra e Inteligjencës së Aleancës së Atlantikut të Veriut në kuadër të ristrukturimit të saj. 

Më shumë kujdes shëndetësor për FA-në

Rritja e kujdesit shëndetësor është konsideruar si prioritet i qeverisë së majtë. Në këtë kuadër janë propozuar dhe një sërë nismash ligjore të cilët rritin mbështetjen për kategori të veçanta siç është dhe rasti i Forcave të Armatosura. Kështu nëpërmjet projektvendimit “Për disa ndryshime në vendimin nr. 269, datë 28.04.2005 të Këshillit të Ministrave “Për kriteret dhe masë e mbulimit financiar të kujdesit shëndetësor për ushtarakun e Forcave të Armatosura”, të ndryshuar synohet të rregullohen kriteret dhe masa e mbulimit financiar të kujdesit shëndetësor për ushtarakun e Forcave të Armatosura. Ndërsa ndryshimet në vendimin nr. 909, datë 29.12.2004 të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën dhe kriteret e rimbursimit të barnave për ushtarakët e FA-ve” kanë për qëllim të rregullojnë mënyrën dhe kriteret e rimbursimit të barnave për ushtarakët. Kujdes i veçantë do t’u kushtohet dhe familjarëve të ushtarakëve. Ndryshimet në vendimin nr. 854, datë 17.12.2004 të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe masën e përfitimit të pagesës së papunësisë për bashkëshortin/en e ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura”, të ndryshuar, rregullojnë kriteret dhe masën e përfitimit të pagesës së papunësisë për bashkëshortin/en e ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura. 

Projektligjet për miratim gjatë këtij viti

Projektligji “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”

Projektligji “Për medaljet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”

Projektligji “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”

Projektligj “Për disiplinën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. 

Projektligji “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Projektligji “Për disa ndryshime në vendimin nr. 839, datë 11.12.2003 të Këshillit të Ministrave “Për pagat e ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Projektvendim “Për një ndryshim në vendimin nr. 854, datë 17.12.2004 të Këshillit të Ministrave “Për kriteret dhe masën e përfitimit të pagesës së papunësisë për bashkëshortin/en e ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura”, të ndryshuar. 

Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 269, datë 28.04.2005 të Këshillit të Ministrave “Për kriteret dhe masë e mbulimit financiar të kujdesit shëndetësor për ushtarakun e Forcave të Armatosura”, të ndryshuar.

Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin nr. 909, datë 29.12.2004 të Këshillit të Ministrave “Për mënyrën dhe kriteret e rimbursimit të barnave për ushtarakët e FA-ve”. 

Ndryshimet ligjore përplasin Kodhelin me Nishanin

Ndryshimet në ligjin për drejtimin Strategjik te Forcave të Armatosura janë një tjetër nismë ligjore, e cila duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave brenda katër-mujorit të dytë të këtij viti. Drafti i publikuar tashmë në media ka sjellë dhe përplasjet e para mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Presidentit të Republikës. Ky i fundit pohon se qeveria, përmes këtij projektligji, po ndërhyn në kompetencat dhe të drejtat kushtetuese të Presidentit. “Shqetësues është fakti se përmes këtij projektligji ndërhyhet në ato kompetenca dhe të drejta kushtetuese të Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura duke i hequr të drejtën e emërimit dhe lirimit nga detyra të ushtarakëve të lartë me gradën e gjeneralit, këputet zinxhiri i hierarkisë komanduese në kohë paqeje, çka krijon një shqetësim serioz në tërë strukturën dhe zinxhirin komandues të Forcave të Armatosura më pas. Ky projektligj bën një ç’balancim të harmonisë kushtetuese të pushteteve të komandimit të Forcave të Armatosura, pra të Parlamentit, të Presidentit dhe të Qeverisë, çka dëmton një standard të detyrueshëm për një vend anëtar të NATO-s, siç është dhe Shqipëria”, - është shprehur Nishani. Por Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka hedhur poshtë pretendimet e Kreut të Shtetit, për cenim të kompetencave të Presidentit, përmes projektligji të ri për Ushtrinë, i cili ka në fokus, veç të tjerave, edhe emërtimet e ushtarakeve të lartë dhe çështjen e pronave të ushtrisë. Kodheli ka deklaruar se bëhet fjalë, deri tani, për një draft pune dhe në asnjë rresht të tij nuk cenohen kompetencat e Presidentit në lidhje me Forcat Ushtarake. “Ka një draft krejt paraprak. Kjo gjë diskutohet se është një proces. Ky material është çuar për t’u diskutuar me institucionet, të cilat ky draft prek. Ministria e Financave, ajo e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, institucionet e Shërbimeve të Inteligjencës, Parlamenti, Presidenti, pra të gjitha institucionet që preken nga ky draft, janë të njohura me projektin që ne kemi bërë. Ky projektligj nuk cenon të drejtat e Presidentit të Republikës. Jam këtu për të siguruar publikun dhe institucionin e Presidentit që në asnjë gërmë të projektligjit, i cili do të ristrukturohet në frymën e të gjithë reformave dhe gjithë ristrukturimit, që i duhet bërë bazës ligjore, mbi të cilin mbështetet veprimtaria e Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes, nuk cenohen kompetencat kushtetuese të Presidentit”, - ka deklaruar ajo. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar pritet të kalojë në Qeveri brenda gushtit. Brenda së njëjtës periudhë pritet dhe miratimi i ndryshimeve në ligjin nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dhe në vendimin nr. 839, datë 11.12.2003 të Këshillit të Ministrave “Për pagat e ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të republikës së Shqipërisë”. Ndryshimet në ligjin nr. 9210 synojnë rishikimin e përcaktimit të pozitës juridike ekonomiko-financiare, shoqërore, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e ushtarakëve për arsye të karakterit të veçantë të detyrës dhe të shërbimit ushtarak, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre. Ndërkohë që përcaktimi i pagave për ushtarakët në tërësi dhe një trajtim të veçantë për disa specialitete si pilotë, polumbarë dhe trupat e Forcave Speciale është qëllimi i ndryshimeve në vendimin e nr. 839 të 2003-it.  /Shekulli/

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Shqiptari hero bën xhiron e mediave në Britaninë e Madhe, shpëton gruan nga përmbytjet në Leicestershire (EMRI)

VIDEO/ Shqiptari hero bën xhiron e mediave në Britaninë e Madhe, shpëton gruan nga përmbytjet në Leicestershire (EMRI)