Për javë të tëra Forcat e Armatosura u angazhuan për pastrimin e plazhit të Divjakës, dhe të më shumë se 60 km vijë bregdetare në të gjithë vendin, duke i dhënë një tjetër pamje vijës bregdetare e duke e bërë më tërheqës për pushuesit. Efektivët e batalionit të tretë të këmbësorisë së Poshnjes dhe mjetet e rënda të Komandës Mbështetëse, larguan dhjetëra ton mbetje dhe pastruan qindra metra² nga hapësira e plazhit.

Në ditën e fundit të këtij aksioni të përbashkët me strukturat lokale, efektivët u inspektuan nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila shoqërohej nga kryetari i bashkisë së Divjakës Fredi Kokoneshi.

50 vjetorin e krijimit të batalionit të tyre efektivët xhenio po e festojnë duke kontribuar direkt për turizmin, siç është aksioni këtu në plazhin e Divjakës. Jemi angazhuar në këto dy muajt e fundit me rreth 2500 efektivë të FA-ve në të gjithë Shqipërinë. FA i hapën rrugë projektit të bashkisë Fier për përmirësimin e infrastrukturës, janë pastruar rreth 14 mijë m³ inerte të ardhura nga prishja e ndërtesave buzë lumit Gjanicë. Djemtë tanë në uniformë  janë  angazhuar jo vetëm për sigurinë e jetës së komunitetit, por edhe duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet që ne kemi duke filluar nga kërkim - shpëtimi, tek helikopterët tanë për evakuim ajror për të gjithë ata që mund të kenë nevoja shëndetësore.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka

Veç pastrimit të vijës bregdetare, efektivët e batalionit të tretë të këmbësorisë bënë të mundur largimin e disa ton mbetjesh nga Kanali i Vaut që është edhe pjesë e parkut kombëtar Divjakë - Karavasta. Kryetari i bashkisë Fredi Kokoneshi falënderoi Forcat e Armatosura për punën, duke pohuar se mbetjet në këtë zonë të parkut që është edhe pjesë e guidës me varka, gjenden aty prej më se 28 vitesh. 
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ishte edhe në njësinë administrative Allkaj të bashkisë së Lushnjes, ku bashkë me kryetarin e bashkisë Fatos Tushe inspektuan urën “bailey” të ndërtuar nga Forcat e Armatosura.

Ndihmojmë jo vetëm 1100 banorët e njësisë administrative, por të ndihmojmë veçanërisht 200 familjet që kanë investuar jetën në këtë zonë, pasi jetojnë me të ardhurat nga produktet e mbjella në vreshtat, serat apo fushat këtu.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka 

Ura e re pranë fshatit Zhelizhan ka një peshëmbajtje prej rreth 30 ton dhe zëvendëson një urë të ndërtuar me mjete rrethanore, mbi të cilën ishte e pamundur lëvizja e mjeteve. Ndërhyrja e Forcave të Armatosura për pastrimin e plazhit të Divjakës nisi në kuadër të nismës së Ministrisë Turizmit dhe Mjedisit  “Java e Tokës”, por vijoi edhe në kuadër të masave të ndërmarra në të gjithë vendin nga Ministria e Mbrojtjes, për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror 2018.