Këtë herë ai ka sqaruar më së shumti problematikat që kanë të bëjmë me moshën e daljes në pension dhe dokumentacionin përkatës që i nevojiten kategorive specifike, sipas pyetjeve që i janë drejtuar nga qytetarët si “live” nëpërmjet telefonit gjatë kohës së emisionit në Report TV, ashtu edhe nëpërmjet letrave që kanë mbërritur në redaksi.
Na shkruan një zotëri nga Kamza: “Nëna ime, më 16 shkurt 2018 mbush moshën 70 vjeçe. Ajo nuk ka punuar asnjëherë, por ka marrë pension nga babai im (burri i saj) prej 5.600 lekësh të reja në muaj. Kur do ta fitojë pensionin social?”.
Në datën 16 shkurt, ditën që ajo plotëson moshën 70 vjeçe, ka të drejtë të marrë pension social. Pensioni social është 7.068 lekë të reja në muaj. 5.600 lekë të reja i merr nga bashkëshorti (meqë ai ka ndërruar jetë) pra, merr pension familjar. Atëherë do të marrë shtesë 7.068 lekë të reja pensionin social, heqim 5.600 lekë të reja, rreth 1.300 lekë të reja shtesë në muaj. Kur rriten pensionet, me përqindjet që cakton qeveria, rriten edhe pensionet sociale.
Nuk ka nevojë të bëjë dokumente shtesë por, djali i saj, që ditën e hënë, me librezën e pensionit që ajo merr nga bashkëshorti, do të shkojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Kamëz. Do të bëjë një kërkesë për pension social dhe nga data 16 shkurt 2018, nëna e tij do të marrë pensionin social, por jo të dy pensionet. Pensioni familjar i hiqet se është më i ulët dhe do të marrë pensionin social.
Telefonoj nga Tirana. Mamaja ime ka dalë në pension në vitin 1991. Që atëherë e deri tani pensioni i saj nuk është rritur në bazë të rritjeve që janë bërë për pensionet. Koleget e saj, që kanë dalë në pension më vonë se mamaja ime, edhe sanitarja, marrin pension më të lartë edhe pse e kanë pasur rrogën më të ulët.
Mamaja juaj, sivjet mbush 27 vjet që merr pension. Të dhënat nuk i ke të sakta. Pensionet më vendin tonë, nga qershori i vitit 1991 deri më 3 shkurt të vitit 2017, janë rritur çdo vit për 660.000 pensionistë, me përqindje të ndryshme, sipas mundësive financiare që ka shteti. Në buxhetin e vitit 2018, i cili u miratua para pak ditëve, është parashikuar që edhe gjatë këtij viti do të ketë rritje ose indeksim pensionesh me vendim qeverie.
Nuk mund të bësh krahasime që pastruesja merr pension më të lartë se nëna juaj. Pastruesja mund të ketë 35 vjet punë, kurse mamaja juaj deri në vitin 1991 mund të ketë pasur më pak vite pune. Ka raste kur personat, të cilët nuk kanë 15 vjet punë, çfarëdo funksioni që të kenë pasur, nuk marrin fare pension, pavarësisht nga mosha.
Dhe ata që plotësojnë moshën sivjet, femrat 60 vjeçe e 8 muaj dhe meshkujt 65 vjeç, dhe kanë nën 15 vjet punë, nuk marrin pension. Do të marrin kur të mbushin moshën 70 vjeç pensionin social, që është 7.068 lekë të reja në muaj. Unë ju sugjeroj që me librezën e pensionit të nënës suaj të shkoni në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, takoni drejtorin, z. Leonard Kuçi. Kam bindjen e plotë se do t’jua nxjerrë të gjitha rritjet e pensioneve sipas vendimeve të qeverisë.
Një person që mbush 70 vjeç dhe ka punuar qoftë në kooperativë, qoftë në punë shtetërore, përfiton pension social apo duhet të jetojë i vetëm?
Çdo njeri që mbush moshën 70 vjeç, me kusht që të banojë në vendin tonë 5 vitet e fundit, pavarësisht se me kë banon në shtëpi, përfiton pension social. Mund të ketë pension familjar që është më i ulët se pensioni social ose nuk ka përfituar fare pension deri në moshën 70 vjeç. Të nderuar qytetarë, kur ju afron mosha e pensionit bëni llogaritë e punës suaj. Nëse s’mundeni, shkoni te sigurimet shoqërore, që të sqaroheni.
Telefonoj nga Vlora. Jam V.H. 59 vjeçe. Ju kam dërguar edhe një letër.
Letrën tuaj e kam këtu dhe e kam lexuar. Ju zonjë do të dilni në pension në moshën 61 vjeçe, në vitin 2020. Për pension të plotë do t’ju kërkohen 37 vjet punë. Quhet si vite pune edhe periudha që keni marrë pensionin e invaliditetit të pjesshëm ose të plotë. Kur të dilni në pension, dosjen e pensionit të invaliditetit e kanë sigurimet shoqërore. Në vitin 2020 ju do të merrni pension pleqërie ose pension invaliditeti, shumën që do të dalë më e lartë.
Këtë shumë do ta llogarisin punonjëset e sigurimeve shoqërore të Vlorës. 3.300 lekët e reja që merr nga Bashkia do t’i shtohen shumës së pensionit që do të dalë. Pastaj nuk do të dalësh më në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, por do të quhesh invalide e përhershme. Barnat mjekësore të rimbursueshme do t’i marrësh falas.
Jam një qytetar nga Cërriku. Më 6 dhjetor të vitit 1983, kam qenë 26 vjeç dhe jam internuar pa vendim. Koha e vuajtjes në internimit njihet si vjetërsi pensioni?
Ka një ligj nr. 7514, datë 30 shtator 1991, që thotë: “Periudha e internimeve dhe e dëbimeve politike quhet vjetërsi pune nga mosha 15 vjeç e lart”. Për të vërtetuar që ke qenë i internuar do të shkosh në Ministrinë e Brendshme dhe do të marrësh një dokument zyrtar. Kur të mbushësh moshën e pensionit, krahas librezës së punës, krahas vërtetimit që ke qenë ushtar do të dërgosh edhe vërtetimin që ke qenë i internuar.
Na shkruan një zotëri, inxhinier nafte Foto Vangjeli, që jeton në Selanik: “Jam i datëlindjes 19 janar 1954. Në Shqipëri kam punuar 18 vjet, në profesionin tim. Kam 17 vjet që punoj i siguruar në Greqi. Cilat janë kushtet për të përfituar pension në Shqipëri dhe a bashkohen vitet e punës në të dy vendet? Po statusin e naftëtarit e përfitoj?”.
Zotëria do të dalë në pension 65 vjeç, vitin tjetër, më 19 janar 2019. Për pension të plotë do t’i kërkohen 36 vjet e 8 muaj punë. Ai ka 18 vjet, gati gjysmën, me vitet e punës që ka i takon të marrë gjysmën e pensionit. Në rast se dëshiron të marrë më shumë pension, përpara se të plotësojë moshën e pensionit, pra përpara 19 janarit të vitit që vjen, ka të drejtë që të bëjë sigurime vullnetare.
Kur të vijë në Shqipëri mund të paraqitet në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, se në Tiranë banon, dhe mund të bëjë sigurime vullnetare. Për një vit duhet të paguajë 62.208 lekë të rinj dhe pensioni i shtohet rreth 2,7%. Ai ka punuar edhe në Greqi. Atje do të marrë pension sipas legjislacionit grek sepse ka punuar i siguruar. Aktualisht nuk mblidhen vitet e punës në Shqipëri me ato në Greqi.
Flas nga Fieri. Kam punuar 18 vjet naftëtar dhe pastaj kam dalë në KEMP. E fitoj statusin e naftëtarit?
Me ligjin 8/2017, të datës 2 shkurt 2017, që është miratuar ligji për statusin e naftëtarit, thuhet: “Burrat që kanë punuar në naftë do të dalin në pension sipas statusit të naftëtarit kur plotësojnë tre kushte: mosha 60 vjeç, të kenë 30 vjet punë, nga të cilat 20 vjet në naftë”. Ti ke 18 vjet. Nuk përfiton nga statusi i naftëtarit. Sqarime më të hollësishme mund të marrësh në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Fier ose pranë Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës.
Është krijuar një komision për statusin e naftëtarit, i cili përbëhet nga 5 veta specialistë, inxhinierë që e njohin mirë këtë sektor. Ti nuk mbetesh pa pension, por nuk merr nga statusi i naftëtarit. Do të dalësh në pension 65 vjeç. Ndërsa gratë që kanë punuar në naftë dalin në pension 55 vjeçe, kur i plotësojnë kushtet për statusin. Duhet të kenë gjithsej 25 vjet punë, përfshirë edhe arsimin e lartë, përfshirë edhe asistencën, përfshirë edhe raportet mjekësore kur kanë qenë sëmurë pse lejen e lindjes. Nga këto vite pune, 15 vjet duhet t’i kenë në naftë. Edhe pranë ndërmarrjeve të naftës ku keni punuar mund të merrni sqarime më të hollësishme.
Telefonoj nga një fshat i Tiranës. Kam qenë minator në Valias, ku kam punuar 15 vjet. Sigurimet Shoqërore në Kamëz më thonë se nuk e përfitoj pensionin dhe se duhet të bëj një kërkesë për gjyq, se do të dalësh 65 vjeç. Unë di që është miratuar një ligj ku thuhet se minatorët dalin 55 vjeç në pension. Një gjyq e kam fituar. Dua një sqarim: unë marr pension të plotë si minator apo pension të pjesshëm?
Minatorët e nëntokës aktualisht, me një ligj të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë, me nr. 150/2014, që ka hyrë në fuqi më 15 dhjetor të vitit 2014, dalin në pension të plotë kur plotësojnë tre kushte: mosha 55 vjeç, të kenë gjithsej 30 vjet punë të punuar në Shqipëri nga mosha 16 vjeç, dhe nga këta 30 vjet, 12 vjet e 6 muaj të kenë punuar në minierë nën tokë.
Nëse ke fituar vendimin e gjykatës, nuk ka asnjë punë me Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Kamëz sepse atje nuk caktohen pensione. Atje janë të detyruar të t’i pranojnë dokumentet dhe për të caktuar pensionin tënd do t’ia çojnë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Në qoftë se atje nuk jua pranojnë dokumentet, ju lutem, çdo të mërkurë pret vetë Drejtori i Sigurimeve Shoqërore të Tiranës.
Të nderuar qytetarë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, për t’ju ardhur në ndihmë pensionistëve që duhet të dorëzojnë dokumentet e pensionit, ka ngritur disa agjenci, në Kamëz, te Shkolla e Bashkuar në Tiranë, te rruga “Myslym Shyri” dhe në Kombinat. Por ka edhe në Vorë e në Fushë-Krujë. Këto agjenci nuk caktojnë pensione, por pranojnë dokumentet. Janë të detyruara këto agjenci që të pranojnë dokumentet dhe t’ia dërgojnë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Përgjigjja vjen nga Drejtori i Sigurimeve Shoqërore.
Gruaja ime ka dalë në pension që prej një viti. Ka punuar 21 vjet në naftë dhe 6 vjet i ka në një ndërmarrje tjetër. E përfiton statusin e naftëtarit?
Jo çdo person që ka punuar në naftë e merr statusin e naftëtarit. Ligji 8/2017, në nenin 2, i ka të përcaktuara se cilat janë profesionet që kanë punuar në naftë. Ju do të shkoni në ndërmarrjet ku ka punuar gruaja juaj. Ligjin e kanë. Është publikuar edhe në internet. Aty janë të gjitha profesionet që përfitojnë statusin e naftëtarit.
Një emigrant nga Shëngjergji i Tiranës, por që banon në Itali, na shkruan: “Më 10 shkurt të këtij viti plotësoj moshën 57 vjeç. Në Shqipëri kam punuar 31 vjet, nga këto 12 vjet e 7 muaj nëntokë në minierën e Krrabës. Kur e përfitoj pensionin? Cilat janë procedurat që duhet të ndjek dhe a mund të vazhdoj punën këtu në Itali?”.
Zotëria kishte mundësi të merrte pension si minator i nëntokës që në moshën 55 vjeç, para 2 vitesh. Dokumentet duhet t’ia dërgojë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, me anën e një të afërmi. Statusi i minatorit, ende s’është miratuar. Është një kompetencë e Kuvendit të Shqipërisë. Pensioni si minator i nëntokës i takon sepse moshën e ka plotësuar, po ashtu edhe vjetërsinë e punës dhe sasinë e viteve të punës nën tokë.
Por duhet të jetë i saktë në dokumentet që do të dorëzojë: fotokopjen e kartës së identitetit, vërtetimin e kohës së ushtrisë, librezën e punës ku vërtetohen vitet e punës dhe ato të nëntokës. Pensionin do ta marrë jo nga mosha 55 vjeç që i takon minatorëve, por nga dita e dorëzimit të dokumenteve në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore. Në Shqipëri do të marrë pensionin që i takon si minator i nëntokës. Sa herë që të rriten pensionet në vendin tonë edhe ai do të përfitojë shtesë. Në Itali do të marrë pension sipas legjislacionit italian.
Jam një qytetar nga zona e Lunxhërisë, rrethi i Gjirokastrës. Bashkëshortja ime ka mbushur moshën 60 vjeç e 1 muaj. Në sistem është ngatërruar një germë e mbiemrit. Këtë problem unë nuk e zgjidha dot këtu në Gjirokastër. I lutem ekspertit të më thotë se si duhet të veproj.
Ky është problem që zgjidhet. Gratë në përgjithësi kanë dy mbiemra. Kur fillojnë punë kanë mbiemrin e vajzërisë dhe kur martohen, sipas aktit të martesës, marrin mbiemrin e burrit. Pra, është një person me dy mbiemra dhe jo dy persona të ndryshëm.
Në kartën e identitetit është hequr emri i babait. Atëherë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore bëhet një krahasim midis certifikatës së gjendjes familjare dhe midis certifikatës së lindjes. Edhe për kartën e identitetit nga libri themeltar i gjendjes civile merren të dhënat. Dhe kështu mund të gjendet një zgjidhje. Në rast se kjo zgjidhje nuk gjendet me mirëkuptim, atëherë do t’i drejtohesh Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Punonjësit e Sigurimeve Shoqërore duhet të jenë të kujdesshëm. Persona me të njëjtin emër e mbiemër ka shumë, por nuk kanë lindur në të njëjtën datë, emrat e prindërve nuk i kanë njëlloj. Në Gjirokastër kanë mbetur pak banorë sepse shumica ka emigruar, kështu që banorët e njohin njëri-tjetrin. Pensionistët duhen ndihmuar e jo penguar.
d.c./shqiptarja.com