Fadil Kraja: Sa më gjatë jeton aq
më të rëndësishme bëhen kujtimet…

Fadil Kraja: Sa më gjatë jeton aq<br />më të rëndësishme bëhen kujtimet…
Çdo ditë, në orën 11.00, shkrimtari Fadil Kraja del nga shtëpia. Del… me cigare në gojë. Ecën ngadalë, aq ngadalë sikur nuk ndihet. Të ngjan sikur ecën një pupël, një ëndërr, një mit.

E bashkëshoqëron e shoqja, Doktoreshë Zyli, të cilën pena e bashkëshortit e ka përjetësuar në dramën “Sinjalet e natës”. Personazh?.. Jo, më shumë: sakrificë profesioni, e pagjumë për jetën, sfidë ndaj vetvetes dhe shpirt humanizmi…

Ecin të dy. Bisedojnë. Qeshin pa teklif. Ecin përsëri: Profesori pakëz i përkulur, Zyli ende shtatdrejtë. Biseda e tyre është e këndshme. Bëhet e pakëndshme, kur është fjala për cigaren. Profesori nis e kollitet. Doktoresha nevrikoset.

“Një qind herë ta kam thanë. – Lene… Lene..!” – i thotë ajo. Profesori, jo për inat të saj, por ngaqë s’mund t’i ikë ‘atij vesi’ shumëvjeçar, ndez një tjetër, ndez edhe një tjetër,  edhe një… dhe tërë ditën tymos e tymos papushim. Dhe… çuditërisht cigaret nuk “e mërzisin” njëra-tjetrën. Ndonëse, Profesori është i dobët, imcak, por jo shpirt-vogëlak.

Të dy, burrë e grua, në ritualin e tyre të përditshëm drejtohen për të pirë kafenë te lokali me emrin “Tullat e Kuqe”. (Si Kujtimi, si Beni; si banakieri, si kamarieri, tashmë, e dinë: Profesori e pi turke. Si gjithnjë. Si çdo ditë.)

Rrugën, edhe kur shkojnë edhe kur vijnë, e bëjnë përkrah teatrit “Migjeni”. Nuk e di, cili bën më parë shkrepjen-blic: dramaturgu Fadil Kraja teatrit “Migjeni” apo teatri “Migjeni” dramaturgut Fadil Kraja?.. Një gjë, ama, është e vërtetë: Profesori, kur kthehet, aty pas mesditës, në shtëpi është i “fotografuar” nga teatri i Vendlindjes me të cilin lidhi jetën artistike. Lidhje që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Testament-dramaturgu!

Ata ecin. Më tej është Migjeni. Ende është i rrethuar nga hekurat. Kështu e çon jetën Migjeni, ndonëse ka 105 vjet që ka lindur dhe 76 vjet që ka vdekur. 13 tetori shënon Ditëlindjen e tij. Trupa e teatrit, me libret të aktores Merita Smaja janë drejt provave të fundit. Për të nderuar 105 vjetorin, me 13 tetor do të japing shfaqjen “Migjeni” për Migjenin. Po… aty asht Migjeni. Nuk lëviz. I rrethuar në hekura. Migjeni, ende, me vështrim të pikëlluar... Po sa jetë ka pëllimi?..

Ata vazhdojnë të ecin. Ngadalë-ngadalë. Dramaturgu Fadil Kraja dhe doktoreshë Zyliha Kraja. Edhe në ecje, ndihet kujdesi i doktoreshës. Ajo e vështron herë pas here me bisht të syrit. E ka vështruar dhe e vështron pafundësisht…

Me të mbërritur te “Tullat e Kuqe”, tavolina, ku ata rrinë, papritur e si pakuptuar zmadhohet e zmadhohet… Shtohen karriga të tjera, e të tjera... Tashmë, tavolina bëhet e vogël, zvogëlohet. Aty, janë miqtë e përditshëm, vijnë krijues, vijnë dhe të tjerë… Dhe ca të tjerë, thjesht për ta përshëndetur shkrimtarin. Të marrin një urim prej tij për një mbarësi të ditës.

Shkojnë dhe vijnë miq… Se… po, po shkrimtari Fadil Kraja ka plot miq. Dhe s’mund ta kuptojë jetën e tij pa miq. I përshëndet me përzemërsi dhe humor, por pa e hequr nga dora cigaren, “miken e ngushtë”, që vazhdon të lëshojë shtëllunga të hirta tymi, pa ia da.
2.
 Kam pyetur dhe vazhdoj të pyes: - Kush është Fadil Kraja? Sigurisht, një bashkëqytetari im. Lagjet tona i ndan një rrugicë. Shkrimtar që nderon Shkodrën. Përmendej e përmendet në qytetin Verior. Dallohej nga të tjerët, po ai është: “Shkrimtari…”

Dramaturgu që nderon dramaturgjinë shqipe, fushën e teatrit shqiptar. Një personalitet që rri hijshëm në panteonin e letrave shqipe. Poliglot. Përveç 85 moteve që mbart mbi shpinë, mbart edhe një bibliotekë fatlume, që ia lë trashëgim letrave shqipe. Po, ai është poet, tregimtar, romancier, gazetar, krijues i shumë tekste-këngësh, poet i letërsisë për fëmijë e të rinj, kulmon si dramaturg (dramë dhe komedi), etj. Por, është edhe njohës i mirë i gjuhëve italiane dhe frënge.

Më vijnë ndërmend librat poetikë: “Kënga ime”, “Melodi malësore”, “Jehonë malesh”, “Hije të paska!..”, etj. (Poezi të ndërtuara me një kompozicion solid e arkitekturë të saktë metrike, kur krahas melodisë gege, frynin herë pas here fllade: sa epike aq dhe lirike motivesh.)

Më vijnë ndërmend librat me tregime: “Kandidatja e fundit” dhe “Fajin e kishte Besa” (humoristike.) (Në librin e parë shpërfaqte si motive atë lëng jete që kishte përftuar nga shëtitjet e shumta si krijues e mësues, maleve e fshatrave. Në librin e dytë shpërfaqte humorin karakteristik të tij, të cilin e shoqëronte me ngjyra thumbuese.)

Më vjen ndërmend libri me vjersha për fëmijë i titulluar “Ndodhitë e Nereidës” (1974). (Për kohën kur u botua, letërsia për fëmijë e të rinj gëlonte nga parulla-rizmi partiak e enverian, “Ndodhitë e Nereidës” zgjoi interes.

Interes edhe te kritika letrare, e cila çuditërisht tha fjalë të mira. Koncepti i librit ishte i tillë: personazhi kryesor ishte Nereida (e bija), e cila komunikonte me çdo vjershë përmes lojës së saj gazmore dhe të papriturave të këndshme që i shfaqte bota dhe mendësia e saj fëmijërore. Nereida, një personazh i realizuar artistikisht “jetonte” këndshëm në çdo shtëpizë-vjershe, ndaj dhe pas kaq vitesh mbetet “Ndodhia e” … një libër i dashur.)

Më vijnë ndërmend romanet: “Britma e një gruaje” e “Balada e Nënës”. (Në romanin e parë, përmes një vështrimi historik paraqiten si me një ‘qëndisje’ artistike ngjarje e bëma të qytetit të Vendlindjes. Duke mirëpranuar raportin e tij shumëplanësh me Shkodrën, të cilën e do fort, shkrimtari i ngre një përmendore qytetit si rrallëkush. Ashtu si Kadareja qytetit të tij të lindjes me romanin “Kronikë në gur”. Në romanin e dytë, shkrimtari është në “ujërat e tija” kanunore, të cilat i njeh mirë dhe i trajton po aq mirë në këtë gjini, por më shumë në dramë.)

Më vijnë ndër mend njëra pas tjetrës këto drama: “Fisheku në pajë”, “Sinjalet e natës”, “Luani i shtëpisë”, “Shpartallimi”, “Baca i Gjetajve”, “Gjaku i Arbrit”, etj. (Në dramaturgji autori Kraja arriti kulmin e krijimtarisë artistike, ndoshta, si për të thënë: “Gjurmët më të fuqishme dhe plot kujtime po i lë në fushën e skenës (në gjininë dramaturgjike.) (Le të vazhdojmë me vështrimin e veprave dramaturgjike të autorit Fadil Kraja.

Jo më kot i shënjova. Mbase nga ana kompozicionale, të ndërtimit dramaturgjik, jo vetëm janë më të arrirat e krijimtarisë së autorit, por kanë përveçësi edhe në rrugën e dramës shqipe. Një model i tillë, veçanërisht në kompozicionin dramaturgjik dhe që i ka shokët e rrallë, është dhe drama “Toka jonë” e Kolë Jakovës. 
Arritjet në dramë, e bëjnë autorit me emër të madh.

Në këtë lavdi, doemos ka meritë dhe Mjeshtri Serafin Fanko që me mjeshtërinë e tij, më vështrimin dhe mënyrën e vënies në skenë, me fantazinë, me modernitetin e tij, etj., u dha jetë këtyre dramave dhe, që u ndoqën e u duartrokitën nga mijëra e mijëra spektatorë. Jo më kot Profesorit, sikur i ka lindur në shpirt teatri. E duke radhitur, të shkruara e të vëna në skenë më shumë se 60 drama, mendoj se në dramaturgji ka krijuar Shkollën “Kraja”. Një shkollë, sipas meje, me trajtime temash të mëdha, të rëndësishme për shpirtin e personazhit.

Një shkollë, ku në themel të dramës e të lojës “lëvizin” situata dramatike e situata komike; përplasen fuqishëm: konceptet, mendësitë dhe copëzat e jetës që i shpërfaqnin gjatë interpretimit të tyre aktorët e teatrit “Migjeni”, të talentuar, të mrekullueshëm, me botë dhe artdashës.)
3.
Besoj se, poeti i shquar popullor Dritëro Agolli, dramaturgu me emër Fadil Kraja, romancieri modern (në ekzil) Kasem Trebeshina, shkrimtari për fëmijë e të rinj nga Kosova, Rexhep Hoxha (autori i romaneve: “Lugjet e Verdha”, “Verorja”, “Picimuli”), prozatori Bardhyl Xhama (autori i motiveve të detit dhe i shquar për rrëfenjat e tij mbresëlënëse) janë krijuesit më të moçëm të letrave shqipe. Nderim!..

Po le të nisemi te nisja poetike e Krajës. Mbart një apo disa dukuri, që ‘vizatojnë’ portretin e tij si individualitet artistik? E nisim… Fadil Kraja vjen nga një derë diturie. Nëna e tij, Hajrije Hanëmi ishte mësuesja e parë në Shkodër. Dituria e saj, sipas motos së Naimit ishte, “…

Dhe drit’e Diturisë përpara do na shpjerë…”, bekoi dhe rrezatoi udhën dituridhënëse të të birit, Fadilit, kësaj here në misionin fisnik prej shkrimtari.

Ai bekim e ndoqi shumë dekada më parë, ai bekim e ndjek sot dhe vazhdon ta ndjek, teksa shkrimtari e dramaturgu Fadil Kraja ulet e shkruan një krijim të ri, një vepër të re…
Dhe… sot shkrimtari Fadil Kraja është 85-vjeçar. Jeta e tij më kujton përrallën “Dy vëllezërit” të Lev Tolstoit.

Përralla, në mes të tjerave, thotë kështu: “Dy vëllezër u nisën për një udhëtim së bashku. Në pyll iu zuri syri një gur ku ishin gdhendur disa fjalë. Lexuan: “Kush do ta gjejë këtë gur, duhet të kalojë përmes pyllit në drejtim të perëndimit. Rrugës do t’i dalë përpra një lumë: duhet ta kalojë me not dhe të dalë në bregun tjetër.

Do të shohë një arushë me vogëlushët e saj: duhet të rrëmbejë arushat e vegjël dhe t’ia krisë vrapit me sa i hanin këmbët, derisa të mbërrijë në majë të malit. Atje do të shohë një shtëpi dhe pikërisht aty, më në fund, do të gjejë lumturinë”. …më i madhi iu përgjigj: - Nuk kam ndërmend të hyj në pyll…  … Por vëllai i vogël ia ktheu: - Unë nuk mendoj kështu. Ky mbishkrim nuk është gdhendur ashtu kot.

fadil kraja

… vëllai i madh nuk u tund nga e tija, dhe i vogli u nis fill i vetëm. … Vëllezërit u lumturuan pa masë që u takuan sërish dhe treguan peripecitë e tyre.
-Kështu pra, - tha, - tha vëllai i madh, - nga këto që më rrëfeve për jetën tënde del se kisha të drejtë unë. Tërë këtë kohë jetova i qetë dhe i lumtur, kurse ti vërtet mbretërove, por pa mendo: sa fatkeqësi të ranë mbi kokë?

Vëllai i vogël iu përgjigj: - Nuk pendohem që kalova pyllin dhe që iu ngjita malit. Tani vërtet fatkeq jam, e pranoj, por më mbeten kujtimet e bukura, kurse ti nuk ke asgjë për të rrëfyer.”

E në këtë kontekst më vjen ndërmend, si një plotësim i atij morali të përrallës, intervista e studiuses dhe poetess ë talentuar Entela Sorman Tabaku, ku në mes të tjerave thotë: “Dhe sa më gjatë jeton, aq më të rëndësishme bëhen kujtimet. Sa më e shkurtër bëhet koha që ke përpara, aq më e rëndësishme bëhet koha që ke lënë prapa. Vazhdimësia e bën jetën të mos duket e kotë.”

Dhe… nëpër vite, shkrimtari Fadil Kraja rrëfeu përmes dramave të shumta që shkroi… Rrëfeu kohën, ndoqi kohën dhe e pasqyroi atë. E pasqyroi përmes epizmit e mitologjisë si një aedë. E pasqyroi përmes hapësirave të ideve, lojës mbresëlënëse të aktorëve–mjeshtra dhe mesazhe të rëndësishme që përçoi dhe shtegtuan nëpër kohë... Rrëfeu… dhe “preku” shpirtrat njerëzorë... Rrëfeu… dramën e personazhit përmes dramës (si gjini që kryesisht e lëvroi në arritje në krahasim me gjinitë e tjera) së tij autoriale.
“Po, pse u mora me dramën?” – mund ta pyes veten profesor Fadili.

Dhe një përgjigje nga autori i këtij shkrimi. ‘Për të lënë ca tekste skene dhe jete të shkruara me frymëzim, që të ndritin më shumë dramaturgjinë shqipe; për të lënë edhe ca shenja që nuk mund të tjetërsohen lehtë, për të lënë edhe një tufë kujtimesh, të cilat kanë nevojë domosdoshmërisht: të rrëfejnë e të rrëfejnë papushim… E në këtë rrëfim të kahmoçëm, seç vjen një dritëz e dritshme si mysafire e njohur që nga larg…

Nuk e di, a e solli skena e Teatrit apo skena e Jetës..? Me siguri e solli rrëfimi i dramaturgut Fadil Kraja, që nga ato skena të dëshirueshme aq dhe jetëdhënëse. Rrëfim përmes një misioni fisnik, siç është ARTI.
 
Shkodër, tetor 2016.

fadil kraja


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Shpërthen viroza, dy gara olimpike në rrezik

Paris 2024/ Shpërthen viroza, dy gara olimpike në rrezik