Faktet/Nga plehrat tek Jason Emert
 zbulohet skema mashtruese e PD

Faktet/Nga plehrat tek Jason Emert<br /> zbulohet skema mashtruese e PD
Një investigim i “Shqiptarja.com”, zbuloi sot si një lajm të rremë atë të mbërritjes së 1 400 kontenierëve me plehra në Shqipëri.

Njëkohësisht, ky investigim ka nxjerrë zbuluar një skemë të sofistikuar të mashtrimit publik, të vënë në jetë nga Partia Demokratike gjatë muajve të fundit.

Publikimi i lajmeve të rreme në portale të huaja anonime, për t’i shitur ato më pas si “investigime të paanshme” të mediave ndërkombëtare, me të cilat publiku shqiptar bëhet i njohur përmes portaleve opozitare është vetëm një prej taktikave të përdorura nga PD.
Dy taktikat e tjera janë reklamimi i personave anonimë si njerëz të rëndësishëm që vijnë të flasin në çadrën e PD-së dhe porositja e statistikave për të goditur qeverinë.

Strategjia e mashtrimit publik të PD-së nisi në mesin e muajit shkurt, kur fillimisht nëpërmjet një zëdhënësi, e më pas me deklaratat e vetë liderit, Lulzim Bashës, demokratët u përpoqën të reklamonin një statistikë të “Heritage Foundation” për lirinë ekonomike si shenjë e rritjes së korrupsionit dhe përkeqësimit të treguesve ekonomikë në vend.

Ndërsa u fokusua tek treguesit ekonomikë, në deklaratën e saj, PD qëllimisht fshehu lidhjen personale që ka Lulzim Basha me presidentin e këtij fondacioni, Jim deMint. DeMint, është në fakt një lobist i paguar nga Partia Demokratike dhe Basha u takua kokë me kokë me të, gjatë vizitës që DeMint i garantoi në Uashington, me rastin e inagurimit të presidentit Tramp.

Ndonëse në statistikën e “porositur” Shqipëria humbiste 11 vende nga një vit më parë, vendi ynë rezultonte të kishte një ekonomi më konkurruese se Franca, Spanja apo Italia, tregues që flasin qartë për seriozitetin e statistikës, që më pas nga PD u reklamua si një dështim i qeverisë.

E vendosur përballë kritikave ndërkombëtare për bojkotin e Parlamentit, veprim që ka sjellë efektivisht bllokimin e vetingut, Partia Demokratike përsëriti këtë taktikë në 3 mars, kur solli në çadrën e saj një farë Jason Emert, të reklamuar nga Basha si “këshilltari personal” i presidentit Trump.

Një investigim i Lexo.al zbuloi se 32-vjeçari Emert jo vetëm që nuk kishte asnjë lidhje me stafin e Presidentit Trump, por nuk kishte dhe as kishte pasur ndonjëherë ndonjë funksion publik apo ndonjë rol brenda Partisë Republikane. Për më tepër, Emert ishte ish-drejtuesi i një shoqate të financuar direkt nga lobi grek në SHBA.

Në vazhdën e kësaj politike, më parë gjatë marsit u publikua edhe lajmi i porositur për 1 400 kontenierët e plehrave, një lajm i shumëfishuar nga mediat pro-opozitare pa asnjë provë për vërtetësinë e tij.

Vetëm 90 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme dhe ende pa asnjë strategji për fushatën zgjedhore, është e lehtë të parashikohet nga ana e PD-së një përshkallëzim i lajmeve pa asnjë burim apo fakt brenda gjatë tre muajve të ardhshëm./Lexo.al

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja