Falimenton "Bota sot", stafi 6 muaj
pa paga do rihapë vetë gazetën

Falimenton "Bota sot", stafi 6 muaj<br />pa paga do rihapë vetë gazetën
PRISHTINË - Grindja për pagat e pamarra që prej 6 muajsh ka detyruar stafin e gazetës “Bota Sot” edicioni në Kosovë, që të mos dalë me asnjë numër qysh pas Vitit të Ri.

Megjithatë dy pronarët e gazetës, Xhevdet dhe Xhevat Mazreku bënë diçka, që i irritoi punëtorët e kësaj gazete në Kosovë.

Ata të dy nxorën sot në shitje numrin e gazetës që botohet për diasporë. Stafi i habitur pa se nëpër dyqane ka dalë në shitje gazeta që shtypet për diasporën.

Këtë veprim e ka quajtur ilegal kryeredaktori i gazetës Bajrush Morina. Sipas tij gazeta që ka dalë në treg sot është totalisht ilegale, pasi ajo botohet jashtë shtetit dhe nuk paguan asnjë tatim për Administratën Tatimore të Kosovës.

Sipas tij, 'Bota sot" me pronar Xhevat Mazrekajn nuk kanë të nënshkruar kontrata të punës me gazetarët, nuk paguajnë tatimet e obligueshem ligjore në Administratën Tatimore të Kosovës, nuk paguajnë tatime në të ardhura për anëtarët e redaksisë dhe si të tillë, ata nuk kanë kryer dhe nuk kryejnë asnjë obligim ndaj shtetit të Kosovës.

Morina në një letër drejtuar lexuesve premton se stafi i redaksisë në Prishtinë për pak ditë do të nxjerrë gazetën e re dhe të vërtetë “Bota sot” në Kosovë "në të cilën do të vazhdojmë të ruajmë konceptin dhe frymën rugoviane dhe gjithashtu do të çjerrim maskën për të parë fytyrën e vërtetë të vëllezërve Mazrekaj".

REAGIMI I KRYEREDAKTORIT MORINA:

Në fillim të këtij viti për pak ditë ju kemi munguar në komunikimin tonë të përditshëm dhe unë si kryeredaktor i gazetës “Bota sot” të edicionit të Kosovës, po e ndiej obligim moral e profesional t'ju shpjegoj arsyet e mungesës së gazetës “Bota sot” në fillim të këtij viti.

Anëtarët e redaksisë së gazetës “Bota sot” në vitet e para të pasluftës kanë qenë më të paguarit dhe më të privilegjuarit krahasuar me kolegët e tjerë të mediave të tjera të shkruara në Kosovë. Por, deri në fund të vitit 2003 gazeta “Bota sot” ka qenë ndër mediumet me tirazhin më të madh në Kosovë. Madje në vitet 2000, 2001, 2002 kemi pasur dyfishin e tirazhit të të gjitha gazetave që botoheshin në Kosovë. Kemi qenë redaksia me numrin më të madh të të punësuarve që ka kaluar numrin prej 100 të punësuarve.

Këto kanë qenë vitet e arta të gazetës por edhe vitet e sfidave të ekipit të gazetës në Prishtinë, sfida që janë përcjellë me kërcënime, shantazhe e madje edhe vrasje, të kolegut tonë Bekim Kstratit. Kanë qenë sfida edhe të përballjes me administratën e burokratizuar të UNMIK-ut, me dënime drakonike të shqiptuara ndaj gazetës “Bota sot” për shkak të shkrimeve të botuara në atë kohë, përmbajtja e të cilave ka qenë kryesisht kundër krimit të organizuar në Kosovë gjatë luftës nga regjimi serb dhe pas luftës nga elementë të nëntokës së krimit të organizuar në Kosovë.

Por “vitet e arta” të gazetës “Bota sot” filluan të zbehen, të nxihen, të shuhen. Kjo tatëpjetë u bë jo me fajin e anëtarëve të redaksisë së gazetës “Bota sot” në Prishtinë por me keqmenaxhimin dhe ndërhyrjet e botuesit të gazetës “Bota sot”, Xhevdet Mazrekajt.

U larguan gazetarë dhe bashkëpunëtorët e gazetës me urdhra të Xhevdet Mazrekajt, u zvogëlua ekipi, u zvogëluan pagat dhe më pas filloi edhe vonimi i pagesës së pagave. Në ndërkohë, një pjesë e madhe e anëtarëve të redaksisë u larguan demonstrativisht nga gazeta “Bota sot” të revoltuar për mungesë të pagave dhe për mungesë të kontratave të punës.

Të revoltuarit, disa prej të cilëve sot janë pjesë e redaksisë së gazetës “Bota sot” të edicionit të diasporës, madje kërkuan të drejtat e tyre edhe përmes padive në gjykatë kundër Xhevdet Mazrekajt.

Mungesa e kontratave të punës dhe mospagesa e kontributeve financiare ndaj shtetit të Kosovës e detyroi Administratën Tatimore të Kosovës që në vitin 2006 t’ia vërë dryrin gazetës “Bota sot”.

Mungesa për disa muaj në treg e gazetës “Bota sot” në Kosovë shënoi edhe rënien “për tokë” të kësaj gazetë. Lexuesit u “pajtuan” me fatin e gazetës, ndërkaq ribotimi i saj nuk solli edhe rikthimin e saj me përmbajtje të dikurshme.

Gazeta u “sorollat” herë andej e herë këndej, pa një koncept të qartë dhe pa një përmbajtje të caktuar.

Mosmarrëveshjet në mes të vëllezërve Mazrekaj, Xhevdet e Xhevat Mazrekajt shkaktuan edhe ndarjen e gazetës dhe të redaksisë në dy copë apo në dy edicione, në edicionin e diasporës dhe në atë të Kosovës. Botues i gazetës në diasporë mbeti Xhevdet Mazrekaj ndërkaq “de jure” dhe “de facto” menaxhimin e gazetës në Kosovë e mori Xhevat Mazrekaj. Ndarja e interesit personal biznesor në mes të vëllezërve Mazrekaj shkaktoi edhe ndarjen e ekipit të redaksisë së gazetës “Bota sot” në Prishtinë. Pjesa dërmuese e anëtarëve të redaksisë vazhdoi punën në edicionin e Kosovës, ndërkaq disa kaluan në edicionin e diasporës.

Gazeta ka vazhduar të botohet në dy edicione, me përmbajte të ndryshme, por pak a shumë me koncept të përafërt.

Por edhe redaksinë e gazetës së diasporës por edhe në redaksinë e gazetës së edicionit të Kosovës herë pas here janë shfaqur pakënaqësi të gazetarëve dhe të ekipit të redaksisë për mungesë të kontratave të punës, për mungesë të pagesës së pagave me rregull, për vonesë disamuajshe të marrjes së pagave, për mungesë të pagesës së kontributeve të anëtarëve të dy redaksive dhe pë trajtim jo profesional të dy botuesve ndaj anëtarëve të dy redaksive. Edhe nga redaksia e diasporës por më shumë nga redaksia e Kosovës janë larguar një numër i madh i gazetarëve duke mos gjetur hapësirë dhe kushte për punë. Shumica e këtyre gazetarëve, për të mos thënë të gjithë prej tyre janë larguar të zhgënjyer nga trajtimi i tyre nga të dy botuesit e dy edicioneve.

Ndarja e redaksisë në dy edicione shkaktoi edhe mbetjen borxh të pagave prej 6 apo 7 muajsh ndërkaq “arsyetimet” e dy botuesve ishin se “ato paga ua ka borxh Xhevdeti” apo se “ato paga ua ka borxh Xhevati!” E në fakt si Xhevdeti si Xhevati ishin vëllezër dhe pronarë të gazetës “Bota sot” në ndërkohë ne që mbetëm pa 6 apo 7 muaj pa paga kishim punuar në gazetën “Bota sot” të Xhevdetit apo të Xhevatit!

Pas një konsolidimi të përkohshëm, botimi i gazetës ka vazhduar në dy edicionet, në ndërkohë që “lufta” e brendshme në mes të vëllezërve Xhevdet e Xhevat Mazrekaj ka vazhduar në format e tyre, përfshirë edhe kërcënimet përmes procedurave gjyqësore.

Por ky konsolidim ka ardhë duke u përkeqësuar sidomos në redaksinë e gazetës në Kosovë. Keqmenaxhimi i fondit të gazetës, shkaktoi reduktimin minimal të stafit, ndërkaq mungesa e trajtimit juridik e profesional të anëtarëve të redaksisë shpërtheu në fund të vitit 2013.

Botuesi i gazetës në Kosovë Xhevat Mazrekaj gjatë viteve të fundit filloi t’i vonojë dhe t’i zvogëlojë pagat. E shpiku metodën e “ngrirjes së pagave” me arsyetimin se kur të konsolidohet gazeta do të paguhen ato paga “të ngrira”.

Por konsolidimi i gazetës kurrë nuk ndodhi. Madje ndodhi përkeqësimi i saj. Ne anëtarët e redaksisë së edicionit të Kosovës e kemi shtyrë “bjeshkën me gjoks” duke besuar se “një ditë do të bëhet mirë” dhe duke punuar disa herë më shumë vetëm për të mbijetuar gazeta. Ne punonim me vëllim e orar të shtuar e Xhevat Mazrekaj shpenzonte pa kontroll mundin dhe djersën tonë. Vonoheshin pagat. Sot është e vërtetë e dhimbshme të thuhet se shumica e gazetarëve të gazetës “Bota sot” të edicionit të Kosovës e kanë marrë rrogën e fundit të muajit korrik.

Në tre muajt e fundit u vonuan edhe më shumë pagat. Xhevat Mazrekaj rrinte me familje në Zyrih të Zvicrës ndërsa ne prisnim dhe shpresonim se një ditë do t’i merrnim pagat. Nuk dihej se a do t’i merrin më fillim, në mes apo në fund të muajit.

Revolta e gazetarëve dhe e gjithë anëtarëve të redaksisë së gazetës “Bota sot” të edicionit të Kosovës sa vinte e shtohej.

Ishte premtimi gojor përmes telefonit nga Xhevat Mazrekaj se pak ditë para Vitit të Ri, bile së fundi më 31 dhjetor do të na japë nga një pagë, që edhe ne, si gjithë njerëzimi dhe si ai vetë me familjen e tij, ta kremtojmë Vitin e Ri. Por pritja ishte e kotë. Xhevat Mazrekaj bile as që përgjigjej në thirrjet tona telefonike.

Të revoltuar nga ky trajtim jo njerëzor, ne anëtarët e redaksisë në Prishtinë, vendosëm që të mos përgatisim për botim asnjë numër të gazetës, pa marrë një përgjigje, një premtim së paku gojor nga Xhevat Mazrekaj. Ai nuk lajmërohej dhe ne nuk ia nisëm punës.

Arsyet ishin edhe të tjerat, përveç mungesës dhe vonesës së pagave.

Xhevat Mazrekaj dhe “Bota sot” në Kosovë nuk ofroi me asnjë prej anëtarëve të redaksisë kontratë të rregullta dhe të përhershme të punës. Ato ishin formale dhe në kohëzgjatje prej 3 muajsh. Ai është ndëshkuar në fund të vitit të kaluar nga një vendim gjykate me bllokim të xhirollogarisë pas ankesës së Inspektoratit të punës së MPMQ-së.

Xhevat Mazrekaj dhe “Bota sot” në Kosovë nuk vazhdoi të paguante rregullisht kontributet e detyrueshme financiare ndaj anëtarëve të redaksisë dhe ndaj shtetit të Kosovës.

Xhevat Mazrekaj dhe “Bota sot” në Kosovë vazhdoi punën pothuaja ilegalisht duke dëmtuar anëtarët e redaksisë dhe duke i injoruar obligimet financiare ndaj shtetit të Kosovës.

Gazeta “Bota sot” e 6 janarit 2014 gazetë ilegale

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot” dhe të nderuar kolegë gazetarë!

Sot më 6 janar ka dalë në treg një gazetë ilegale me emrin “Bota sot”. Kjo gazetë me përmbajtje të edicionit të perëndimit është gazetë ilegale në Kosovë për këto arsye:

Ne stafi i redaksisë në Prishtinë nuk jemi autorë të kësaj gazete!

Adresa juridike e gazetës gjendet në Zyrih e jo në Kosovë

Redkasia e edicionit të diasporës është e panjohur, është ilegale dhe nuk ka adresë të veprimtarisë së vet.

Kolegët tanë që kanë përgatitur këtë numër tash e dy vjet punojnë ilegalisht, pa fajin e tyre!

Kompania që ka botuar këtë gazetë me pronar Xhevdet Mazrekajn, njësoj si kompania Sh.P.K. Bota sot me pronar Xhevat Mazrekajn nuk kanë të nënshkruar kontrata të punës me gazetarët, nuk paguajnë tatimet e obligueshem ligjore në Administratën Tatimore të Kosovës, nuk paguajnë tatime në të ardhura për anëtarët e redaksisë dhe si të tillë, ata nuk kanë kryer dhe nuk kryejnë asnjë obligim ndaj shtetit të Kosovës.

Me këtë rast ne ftojmë

Inspektorët e Punës të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që të kërkojnë selinë e kësaj gazetë që gjendet në afërsi të NLB Prishtina në rrugën Rexhep Luci (në një banesë private) që të kërkojnë kontratat e punës nga të punësuarit apo me një fjalë që të ndërmarrin veprime juridike kundër kësaj kompanie ilegale me adresë në Zyrih

Kërkojmë nga Administrata Tatimore e Kosovës që të ndërmarrë masa juridike kundër kompanisë ilegale në Kosovë,

Kërkojmë nga organet e drejtësisë që të ndalojnë shpërndarjen ilegale të kësaj gazete,

Kërkojmë nga kompanitë e distribuimit që të mos bëjnë shpërndarjen e kësaj gazete ilegale.

Njoftojmë lexuesit e gazetës “Bota sot” se ne stafi i redaksisë në Prishtinë për pak ditë do të nxjerrim gazetën e re dhe të vërtetë “Bota sot” në Kosovë në të cilën gazetë do të vazhdojmë të ruajmë konceptin dhe frymën rugoviane dhe gjithashtu do të çjerrim maskën për të parë fytyrën e vërtetë të vëllezërve Mazrekaj, Xhevdet Mazrekjat, ish-policit të Jugosllavisë dhe dhëndrrit të Greqisë dhe Xhevat Mazrekajt, matrapazit i cili tradhtoi gjithë stafin e gazetës në Prishtinë duke ikur në Zyrih.

Marrë nga gazeta Express

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit