TIRANE - Nga rreth 500 milionë dollarë detyrime dhe borxhe të papaguara të biznesit ndaj Tatimeve dhe Doganave, u arkëtuan 20 milionë dollarë, më pak se 5 për qind. Palët, biznes-qeveri, nisën të fajësonin njëra-tjetrën dhe shumë shpejt, në mbyllje të afatit (dhjetor 2011), Ministria e Financave shtyu kohën e qendrimit të aktit në fuqi deri në mars 2012.

Amnistia u jepte mundësi të përfitonin edhe individët për të rivlerësuar pronat, kundrejt taksës 1 për qind, nga 10 për qind që është tatimi mbi të ardhurat në bazë të taksës së sheshtë. Megjithatë, afati i rishikuar nuk ofroi asgjë më tepër, ndërsa në përfundim doli se përfituesit e vetëm ishin individët.

Për këta të fundit, qeveria e shtyu sërish afatin, për në gusht 2012 (argumenti ishte ardhja e emigrantëve të cilët në periudhë tjetër të vitit nuk kanë mundësi të shfrytëzojnë kushtet e faljes, pasi janë në punë), ndërsa me një vendim të fillimit të majit 2013, e çoi këtë afat deri në fund të tetorit të këtij viti.

Bizneseve u jepej mundësi të rivlerësonin pasuritë e paluajtshme dhe pajisjet/makineritë, kundrejt taksës respektivisht 3 dhe 5 për qind. Për sa u përket aseteve të paluajtshme, vlera ishte 10 milionë dollarë, ku me pagesën 3 për qind, u paguan 300 mijë dollarë.

Për makineritë dhe pajisjet e rivlerësuara, vlera ishte 7 milionë dollarë dhe u paguan 200 mijë dollarë. Biznesi i vogël mund të deklaronte edhe shumat në të holla, kundrejt tarifës 3 për qind, por edhe këtu, rezultati ishte zhgënjyes.

Sipas variantit të parë, në periudha të ndryshme, biznesit i faleshin gjobat nëse paguante 30-50 për qind detyrimet deri në vitin 2009, e kështu me radhë.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit përforcoi bindjen se objektivat e faljes në drejtim të biznesit kishin shkuar “huq”. Kështu, gjendja debitore e subjekteve më 31 dhjetor 2011 rezultoi me rritje në vlerën 6 miliardë lekë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)