Midis 350 besimtarëve myslimanë të regjistruar pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, për të qenë pjesë e udhëtimit të shenjtë drejt Mekës, janë edhe shumë biznesmenë, inxhinierë, sportistë e madje edhe drejtues të lartë të administratës publike. Lauren Luri, përgjegjësi i regjistrimeve në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë (KMSH) shpjegon se këtë vit ka pasur një interesim të madh nga ana e besimtarëve myslimanë për të ndërmarrë këtë udhëtim shpirtëror, që sipas fesë myslimane, secili besimtar duhet ta bëjë së paku një herë në jetën e tij. Më tej, ai na shpjegon se nuk ka një hartë të qyteteve se nga është numri më i madh i besimtarëve që kanë aplikuar këtë vit, por megjithatë, na sqaron, se 40 % e tyre janë nga Tirana. Sipas përgjegjësit të zyrës së regjistrimit në KMSH, Lauren Luri, udhëtimi i Haxhit në Shqipëri ka edhe një tjetër veçori dalluese nga vendet e tjera myslimane. Kjo, na thotë Luri, lidhet me moshën e besimtarëve që preferojnë të ndërmarrin këtë udhëtim të shenjtë, ku myslimanët falin mëkatet. Më konkretisht, ai na thotë se nëse nga vendet e tjera shkojnë në Mekë për haxhillëk besimtarë të moshës 40 vjeç, në vendin tonë janë regjistruar familje të plota që do të marrin me vete edhe fëmijët. Por nuk mungojnë as 80-vjeçarët. "Kontigjenti është për 350 veta dhe janë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Tirana duhet veçuar për interesimin më të madh pasi, krahasuar me vendet e tjera, ajo zë 40% të kërkesave. Ajo që unë kam vënë re, që është disi më ndryshe nga vendet e tjera është se ka grup-mosha të ndryshme, të vegjël, të rinj për të shkuar deri tek mosha e tretë, 80-vjeçarë. Ndryshe ndodh në vendet e tjera të botës ku janë mosha mbi 40 vjeç që shkojnë në Mekë për Haxh-in. Pra në plotësimin e kushtit të Haxhit këtu kanë ardhur edhe familjarë me fëmijë. Udhëtimi i Haxhit bëhet për të dytin vit radhazi nga KMSH dhe realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Haxhit në Arabinë Saudite, e cila përcakton edhe numrin e kuotave për çdo vend" - thotë Lauren Luri, përgjegjës për regjistrimet.
Ndërsa sa i përket kategorisë së personave të regjistruar, proces i cili u mbyll para dy ditësh, ai na thotë se u përkasin kategorive të ndryshme, por nuk mungojnë as personalitete të njohura publike. "Ka midis tyre njerëz të thjeshtë, por edhe biznesmenë mjaft të njohur, sportistë ka shumë, inxhinierë, por edhe emra të njohur të administratës publike si dhe drejtues të Aluiznit", - na tregon më tej Luri, pa pranuar të japë emra konkretë.

UDHETIMI
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur udhëtimi shpirtëror drejt Mekës, ndërmerrej në mënyrë individuale nga besimtarët, për të dytin vit radhazi ai është i organizuar nga KMSH. Ky udhëtim kushton 2500 euro dhe përfshin qëndrimin 17 ditor në botën islame, transportin ajror vajtje-ardhje, transportin me autobus në Mekë e Medinë, akomodimin në hotel dhe ushqimi (mëngjesi dhe darka), shoqërimi nga teologë dhe mjekë përgjatë guidës, kurbani, ihrami, numra telefoni etj. Nisja për 350 besimtarët shqiptarë do të bëhet më 18 tetor dhe ata do të qëndrojnë fillimisht në Mekë ku do të vizitojnë Qabenë, ose siç njihet nga të gjithë myslimanët si shtëpia e zotit, dhe më pas do të shkojnë në Medinë, në qytetin e profetit Muhamed.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)