TIRANË- Emri i Viktor Ymerit, që kaloi 25 vite në burg për 2 vrasje, u përfshi si i dyshuar kryesor edhe në ekzekutimet e bujshme të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në vitin 2005, pas dëshmisë së një të penduari të drejtësisë. Luftar Reçi pretendon se ka qëndruar më shumë se një vit në qeli me Viktor Ymerin në burgun e Peqinit dhe gjatë bisedave thotë se Ymeri i ka rrëfyer të gjithë dinamikën e 2 vrasjeve, nga porosia deri tek ekzekutimi. “Viktor Ymeri më ka thënë në Burgun e Peqinit se Emiljano Shullazi me shokë dinë vetëm të hapen, por nuk dinë të gjejnë asgjë dhe se njeriun për vrasjen e Vajdinit ia gjeta unë”, mësohet të ketë thë ai. Këto deklarime u bënë shkak që Viktor Ymeri të arrestohet në 2020-ën nga SPAK. Pikërisht në këtë moment del roli i ish-drejtorit juridik të burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, Gani Shehu. Ai i ka kthyer përgjigje në mars 2021 avokates së Viktor Ymerit, duke firmosur një shkresë sipas së cilës Ymeri, ka qëndruar vetëm 2 ditë në burgun e Peqinit dhe në qeli të ndarë me atë të Luftar Reçit.  Në dëshminë dhënë këtë të shtunë para togave të zeza, ish-juristi tha se informacionet i ka marrë përmes komunikimeve verbale me zyrtarë të tjerë të burgut dhe shefave të policisë.

“Shkresa është firmosur edhe nga drejtori i burgut, i cili kishte detyrim të kontrollonte dhe verifikonte detajet e përpiluara dhe më pas ta vuloste”, u shpreh Gani Shehu në sallën e GJKKO-së, ku u vendos të lihet në arrest me burg me akuzën e falsifikimit të dokumentave.

Por, nga hetimet e SPAK ka rezultuar që Viktor Ymeri ka qëndruar mbi një vit në burgun e Peqinit, madje edhe në të njëjtën qeli me Luftar Reçin, në sektorin nr. 1, kati i dytë, dhoma nr. 1 të IEVP Peqin. SPAK ka marrë edhe pamjet e kamerave brenda burgut, ku janë parë edhe lëvizje të tjera të dyshimta në burg që përkojnë me kohën kur është firmosur shkresa me informacion të falsifikuar. Në pamjet duket edhe djali i drejtorit të burgut të Peqinit. “Prania e tij mund të jetë edhe rastësore – thuhet në dosje – megjithatë çdo informacion po verifikohet.

Ndërkohë, Report TV ka mësuar se në gusht të këtij viti, 6 muaj pas falsifikimit të shkresës për Viktor Ymerin, Gani Shehu është rrahur barbarisht nga persona ende të paidentifikuar. Për një kohë të gjatë ai ka qëndruar në ambientet e Spitalit të Traumës.

Hetimet e SPAK në lidhje me vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut vijojnë prej më shumë se një viti. Nën masën “arrest me burg” për rastin është Emiljano Shullazi dhe Viktor Ymeri, ndërsa në kërkim është edhe Lulzim Berisha. Report Tv mëson se SPAK përmes një letërporosie drejtuar autoriteteve franceze ka kërkuar pyetjen e një dëshmitari që dyshohet se mund të hedhë dritë më tej në lidhje me vrasjet e Lamajt dhe Saliut. Emri i tij mbahet i fshehtë, ndërsa janë në pritje të përgjigjes së autoriteteve franceze.

1636800677_16330261301607508395viktorymeri.jpg

Viktor Ymeri