FIER- Me urdhër të Prokurorisë së Fierit janë vënë në pranga dy ish-drejtorë të Kadastrës, Bardh Kapaj dhe Ertis Shehu, juristi Piro Çela si edhe ndërtuesi Kastriot Hasko , të akuzuar për një skemë tjetërsimi toke në Fier. Në kuadër të hetimeve të nisura prej vitit 2025, është sekuestruar toka e dyshuar e tjetërsuar me një sipërfaqe totale 1143 ha, si edhe 150 mijë euro.
Si funksiononte skema e dyshuar e tjetërsimit të tokave?
Sipas Prokurorisë, biznesmeni Kastriot Haskaj ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, përmes të cilave ka arritur të regjistrojë në emrin e tij dhe të katër personave të tjerë 1143 hektarë tokë në zonat e Semanit të Ri dhe Sheq Marinasit. Pasi ka regjistruar pronat, Haskaj dyshohet se ka përdorur edhe një prokurë të posaçme të falsifikuar, duke u paraqitur si përfaqësues i bashkëpronarëve të tjerë. Në këtë mënyrë, ai ua ka shitur tokat dy kompanive të ndryshme.
Në këtë skemë, sipas hetimeve, kanë pasur rol edhe zyrtarët e Kadastrës së Fierit. Ish-drejtorët Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj, së bashku me juristin Piro Çela, akuzohen se kanë regjistruar pronat në kundërshtim me ligjin, pa kërkuar konfirmimin e vendimeve të kthimit të pronave nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Hetimet kanë zbuluar se ish-drejtori Bardh Kapaj, gjatë regjistrimit të njërës prej pasurive, ka tejkaluar edhe sipërfaqen e përcaktuar në vendimin e falsifikuar, duke bërë që biznesmeni të përfitonte një sipërfaqe tjetër të konsiderueshme toke. Ndërkohë, ish-drejtori Ertis Shehu dhe juristi Piro Çela dyshohet se kanë ndryshuar në dokumente kategorinë e tokave nga tokë arë në tokë pa frut.
Njoftimi i Prokurorisë
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier u vendos masa e sigurimit personal ‘Arrëst në burg’ ndaj katër shtetasve Ertis Shehu, Bardh Kapaj në cilësinë e drejtorëve të ASHK, P. Ç. specialistit, jurist, pranë ASHK dhe Kastriot Hasko, përfituesi i pronave nën akuzë për veprat penale ‘Falsifikim i dokumenteve’, ‘Shpërdorimi i detyrës’ si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 186/2, 248 dhe 287, prg.2, të Kodit Penal.
Po kështu, në kuadër të hetimeve u sekuestruan mbi 76 pasuri, me sipërfaqe totale prej 1143 hektarë tokë (e barabartë me njëmbëdhjetë milion e katërqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëdhjetë e gjashtë m2), si dhe 150.000 euro.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier gjatë hetimeve të deritanishme për procedimin penal nr. 1026 të vitit 2025, kryer në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nëpërmjet përdorimit edhe të metodave proaktive, arriti të provojë se:
Shtetasi Kastriot Haskaj, duke paraqitur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë një sipërfaqe të konsiderueshme toke prej 1,143 hektarë si dhe 150.000 Euro të ndodhur në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, Seman i Ri dhe Sheq Marinas, Fier.
Më pas, ky shtetas, duke u paraqitur me cilësinë e bashkëpronarit dhe përfaqësuesit edhe të bashkëpronarëve të tjerë, me anë të një prokure të posaçme të falsifikuar, u ka shitur këtë tokë dy shoqërive të ndryshme.
Shtetasit Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj, në cilësinë e drejtorëve të ASHK, Fier, dhe shtetasi P.Ç., në cilësinë e specialistit, jurist, pranë ASHK, Fier, kanë regjistruar pasuritë në fjalë në bashkëpronësi të shtetasit Kastriot Haskaj, në kundërshtim me ligjin nr. 111/2018, “Për kadastrën”, dhe ligjin nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe VKM nr. 639, datë 16.10.2024, dhe Udhëzimin e Këshillit të Ministrave nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”, duke mos kërkuar sipas këtyre akteve ligjore/nënligjore konfirmimin e vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, verifikim nga i cili do të rezultonte se këto vendime janë të falsifikuara.
Për më tepër, ka rezultuar se shtetasi Bardh Kapaj, ish drejtor i ASHK, Fier, kur ka regjistruar pasurinë nr. 3**, zk 3358, ka tejkaluar edhe sipërfaqen që sipas vendimit të falsifikuar nr. 8*, datë 20.01.1997, të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pranë Këshillit të Rrethit Fier, i ishte kthyer ish-pronarit Th.S., duke përfituar për rrjedhojë shtetasi Kastriot Haskaj edhe një sipërfaqe tjetër të konsiderueshme toke në pronësi.
Gjithashtu, shtetasit Ertis Shehu e P.Ç. gjatë regjistrimit të pasurive kanë ndryshuar zërin kadastral të sipërfaqes së regjistruar në pronësi të shtetasve Kastriot Haskaj, etj, nga tokë arë në tokë pa frut, pa një akt administrativ nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Bujqësisë apo Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier.
Masat e sigurimit personal dhe pasuror u ekzekutuan nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 3 Tiranë, si dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Lajmi në përditësim....









Komente
Komento