TIRANE - Kodi i ri Penal, i cili hyn sot në fuqi me ndryshimet që kanë bërë me konsensusin e palëve  ashpërson ndëshkimet për falsikatorët e materialeve dhe rezultateve zgjedhore, të cilët mund të dënoheshin edhe me gjobë, por tashmë ata rrezikojnë burgim nga 3 deri në 7 vite. Duket se rastet e zgjedhjeve të kaluara, ku komisionerë kanë shpëtuar vetëm me gjoba, kanë reflektuar te palët politike.

Ka qenë pikërisht opozita, e cila ka paraqitur në Komisionin e Ligjieve një sërë ndryshimesh mni propozimet e ministrit Eduard Halimi dhe Majlinda Bregut, të cilët ishin inisiatorët e amendimeve të Kodit Civil dhe atij Penal. Ky dënim citohet në nenin 326 të Kodit Penal. “Falsifikimi i materialit dhe rezultateve të zgjedhjeve.

Kjo vepër kur kryhet nga personat që kanë për detyrë të administrojnë procesin zgjedhor, ose ka sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e votimit, ka cenuar integritetin e rezultatit të zgjedhjeve apo ka sjellë pavlefshmërinë e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet. Hiqet gjoba nga 300-600 mijë lekë”, thuhet në kod.

Ndërkohë që një tjetër masë ndëshkimore që është ashpërsuar në këtë kod ka të bëjë pikërisht edhe me lejimin e personave për votimin më shumë se një herë ose pa u identifikuar nga zgjedhësit. “Lejimi me dashje nga komisionerët zgjedhorë i votimit, pa kryer identifikimin e shtetasit sipas ligjit, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në një vit”, thuhet në Kodin e ri Penal.

Gjithashtu në Kod është përcaktuar qartë se pengimi i zgjedhësit për të votuar në qendrën e tij të votimit duke shkelur rregullat e Kodit Zgjedhor për votimin, duke i marrë apo dëmtuar dokumentin e tij të identifikimit, apo në çdo formë tjetër, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në një vit.

Kur kjo vepër kryhet më shumë se një herë, ndaj më shumë se një zgjedhësi apo kur kryhet nga komisionerët zgjedhorë, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

DËMTIMI I MATERIALEVE, VULAVE

Në kod thuhet se “Dëmtimi, prishja, shkatërrimi me dashje, apo zëvendësimi në kundërshtim me ligjin i pajisjeve, vulave, kodeve të sigurisë, pajisjeve apo çdo materiali tjetër zgjedhor të parashikuar nga ligji, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet”, thuhet në kod.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)