Festim Lato, i vetëshpallur si 'President i Republikës së Çamërisë' dyshohet se është vrarë në Holandë. Media holandeze shkruan ai u gjet i vdekur të shtunën pasdite përgjatë Nieuwe Ubbergseweg. Ajo raporton se pas Latos ishin vënë pas një numër kreditorësh. Sipas diplomatit holandez Zandberg Lato bashkëpunonte me biznese që nuk paguanin TVSH.

Në artikullin e medias holandeze thuhet se sipas njerëzve në zonën e tij Lato kishte borxhe me kompani dhe indivdidë që shkonin deri në miliona euro.

Shqiptarja.com kontaktoi me familjen e Latos që ndodhet në Vlorë. Vëllai, Xhemil Lato u shpreh se mbrëmjen e djeshme e kishin kontaktuar autoritetet holandeze për t'i dhënë familjes lajmin e vrasjes së vëllait në një atentat, por nuk dha më shumë detaje. "Është e vërtetë. Më ka marrë policia holandeze direkt dhe më njoftoi. Nuk e di kur ka ndodhur ngjarja, dje nga ora 21:00 më morën. Nuk dimë gjë më shumë.

Kemi dërguar njeri atje të merret vesh. Janë edhe fëmijët atje. Kemi 4-5 ditë që kemi folur për herë të fundit, komunikoi me nënën, por nuk na kishte shprehur ndonjë rrezik. Festimi jetonte atje, por është i ndarë nga gruaja" tha Xhemil Lato për Shqiptarja.com. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili udhëtoi drejt vendlindjes së tij në Panaja të Vlorës, ku të afërmit shprehen se nuk e besojnë vërtetësinë e lajmit.

Miqtë e tij në mesazhet e shpërndara në rrjetet sociale akuzojnë se vrasja është politike. "Në Holandë nga vrasës të paidentifikuar, iu bë atentat presidentit të Republikës së Çamërisë z. Festim Lato. Për vrasjen e Festim Latos, sot e familjen Lato në Vlorë e njoftoi Policia Holandeze. Me këtë rast Qeveria e Republikës së Çamërisë, me në krye Kryeministri Ali Aliu, është shumë e tronditur, dhe i shpreh ngushëllime Familjes Lato nga Vlora, miqve dhe shkove të tij.
Vrasja e Presidentit të Republikës së Çamërisë, z. Festim Lato është vrasje me motive politike.  Festim Lato është heroi i parë Republikës së Çamërisë. Festim Lato, dritë t u bëftë gjaku o trim! Çamëria është gjaku ynë që s´falet! Lavdi që të patëm" shkruan, Ali Aliu i vetëshpallur si "Kryeministri i Republikës së Çamërisë". Por, pavarësisht dëshmisë së familjes dhe miqve në rrjetet sociale nuk ka asnjë informacion zyrtar, ndërsa sipas Policisë së Shtetit nuk ka asnjë sinjal apo kontakt nga autoritetet holandeze për vrasjen e ndonjë shqiptari.

Atdhe Geci i kontaktuar nga gazetari i Report Tv, Limos Didani shprehet se trupi që u gjet në pyll në Beesel nga policia është pikërisht i Latos. Ai tregoi se 7 ditë më parë Lato u kishte deklaruar të disa miqve se do të shkonte në Franca për të marrë disa para, ndërsa telefonat ua kishte lënë atyre. "Trupi i pajetë që është gjetur nga policia është i Festim Latos. Kishim 7 dite qe kishim humbur kontaktet. Ai bashkë me dy persona të tjerë të huaj do të shkonte në Francë për të marrë disa lekë, ndërsa është telefonat ua kishte lënë disa shokëve" tha ai.

Njoftimi i policisë holandeze mbi gjetjen e një trupi të pajetë, nuk përjashtohet mundësia që të jetë Festim Lato

Por kush është Festim Lato?
I vetëshpallur si 'President i Republikës së Çamërisë' ai lindi në Vlorë në vitin 1976, ndërsa jetonte në Holandë. Ai e fitoi shtetësinë holandeze, pasi u martua me një turke me shtetësi holandeze. Lato ishte vetëshpallur si 'President i Republikës së Çamërisë', ndërsa në Shqipëri ka një histori të gjatë me drejtësinë.

Ai është dënuar disa herë për mashtrim, pas denoncimeve nga shumë persona. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë ai është denoncuar dhe akuzuar për mashtrim me mijëra euro, që u merrte qytetarëve të ndryshëm me justifikimin për kauzën e Çamërisë. Në profilin e tij në faqen e Facebook-ut ai ka publikuar disa foto nga aktivitetet që sipas tij realizonte në Bruksel dhe vende të tjera për kauzën çame.

Kundër tij nuk kanë munguar demaskimet për mbledhjen e fondeve përmes mashtrimeve, por që nuk kanë asgjë serioze për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Historiani Arben Llalla në një shkrim në vitin 2017 e cilësonte si mashtrues që gënjente në emër cështjes çame. 

Ora 12:28
FOTO me 'UÇÇ' e personalitete, ja kush është 'Presidenti' i Republikës së Çamërisë, familjarët njoftojnë vrasjen