Familja e aktorit të njohur Bruce Willis ka vendosur që, pas vdekjes së tij, truri i tij të vihet në dispozicion të komunitetit shkencor, me qëllim avancimin e studimeve mbi demencën frontotemporale, sëmundjen neurodegjenerative nga e cila ai vuan.
Vendimi është marrë nga bashkëshortja e tij, Emma Heming, pas konsultimeve me vajzat e tyre dhe ish-bashkëshorten e aktorit, Demi Moore. Historia dhe arsyet e këtij vendimi janë rrëfyer në librin e Heming, “The Unexpected Journey” (Një udhëtim i papritur), ku ajo përshkruan edhe përballjen e familjes me sëmundjen e aktorit.
Në libër, Emma Heming shpjegon se bëhet fjalë për një zgjedhje tejet të vështirë nga ana emocionale, por që mund të ketë rëndësi për kërkimin shkencor. Përmes dhurimit, studiuesit do të kenë mundësinë të analizojnë ndryshimet në tru dhe të kuptojnë më mirë mënyrën se si përparon demenca frontotemporale, me synimin për të ndihmuar në zhvillimin e trajtimeve më efektive.
Ajo e ka përshkruar këtë vendim si “emocionalisht shkatërrues, por shkencërisht të nevojshëm”. Bisedat për këtë çështje janë zhvilluar edhe me vajzat e tyre, Rumer, Scout dhe Tallulah, si dhe me Demi Moore, e cila vijon të jetë e pranishme në jetën e familjes.
Willis, tashmë 71 vjeç, u diagnostikua me demencë frontotemporale në vitin 2023, pasi më herët kishte bërë të ditur se vuante nga afazia, një çrregullim që ndikon në aftësinë për të komunikuar. Sëmundja është progresive dhe aktualisht nuk ka një kurë që ta ndalojë atë.
Në janar, Heming foli edhe për një tjetër aspekt të gjendjes së aktorit, duke zbuluar se ai vuan nga anosognosia. Ky çrregullim neurologjik bën që personi i prekur të mos jetë në gjendje të kuptojë apo të dallojë plotësisht sëmundjen e vet.
Familja e aktorit ka ndarë vazhdimisht me publikun sfidat e përditshme të përballjes me këtë diagnozë, ndërsa vendimi për dhurimin e trurit pas vdekjes së tij synon që përvoja e Willis të kontribuojë në studimin e kësaj sëmundjeje dhe në kërkimin e mundësive të reja për pacientët e tjerë.

Komente
Komento