Në këtë banesë të rrënuar jetojnë tre anëtarët e familjes Mamoçi në fshatin Gjolë të Fushë-Krujës. Lije Mamoçi na tregon se është operuar dy vite më parë nga kanceri në gjoks dhe vazhdon të marrë mjekim.

“Më doli gjëndër, shkova bëra mamografinë dhe doli më e zmadhuar. Jam bërë operacion”.

I biri, 30 vjeç vuan nga probleme mendore dhe nuk është në gjendje të punojë, përpos ndihmës që i jep nënës për punët e shtëpisë. Po kështu i papunë është dhe i shoqi. Të ardhurat e kësaj familje janë vetëm nga pensioni i invaliditetit me vlerë 20 mijë lek në muaj.

“Djali është invalid se ka kaluar meningitin, burrin e kam pa punë, 200 mijë lek pension marrim dhe 20 mijë (të vjetra) ndihmë ekonomike (të vjetra).

Shtëpia është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe  vlerësuar pjesërisht e banueshme. Për dy dhomat e shtëpisë që nuk kishin dëmtime në strukturë, nga fondi i Rindërtimit familja Mamaçi ka përfituar 500 mijë lek. Lije Mamaçi tregon se këto para nuk i ka përdorur për rikonstruksionin e banesës por për tu kuruar nga kanceri.

“Ku të jetojmë këtu ne?! Flemë çdo natë me siklet se mos shembet shtëpia. Na dhanë 5 milionë lek (të vjetra) po ca të bëjmë me to, unë jam e sëmurë, I kam harxhuar për sëmundje”.

Përmes mikrofonit të Report TV, Lije Mamaçi apelon për ndihmë. Ajo kërkon nga bashkia e Krujës apo organizatat e bamirësisë t’i ndërtojnë një shtëpi të re.

“Unë dua vetëm shtëpi”, përfundon ajo.

Gjithkush që dëshiron ta ndihmojë familjen Mamoçi, mund ta kontaktojë në këtë numër 0682896424.