/ATSH/- Ardian Arifaj, këshilltar i zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, informoi se sot u mundësohet familjeve nga Kosova që të vizitojnë në Burgun e Shutkës të afërmit e tyre, që u arrestuan në aksionin e javës së kaluar në Kumanovë.
Bëhet fjalë për 23 shtetas të Kosovës që ishin pjesë e grupit të armatosur dhe që u prangosën nga policia në ditën e përleshjeve, pas një dorëzimi të tyre, informon agjencia maqedonase e lajmeve INA.
"Është paralajmëruar që të premten familjet do të lejohen t'i vizitojnë personat e arrestuar. Ajo ju takon autoriteteve maqedonase që t'jua mundësojnë të arrestuarve edhe të kontaktohen nga ambasada, por edhe të vizitohen nga familjet", tha më tej Arifaj.
Ai tha se ende nuk kanë marrë asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet e Maqedonisë për shtetas të Kosovës të vrarë apo të plagosur gjatë konfliktit të armatosur në Kumanovë. "Zyrtarisht nuk kemi asnjë konfirmim për viktima nga Kosova në Kumanovë të Maqedonisë", deklaroi Arifaj.