Fate Velaj-Schmitt: Gabon kur
thua se Pavarësia ishte rastësore

Fate Velaj-Schmitt: Gabon kur <br />thua se Pavarësia ishte rastësore
Fate Velaj, artisti shqiptar, ka qenë i ashpër kundër studiuesit Oliver Schmitt në punimet e "100 vjet Shqipëri", të Institutit për Danubin dhe Evropën Qendrore e Juglindore, think-tanku më i rëndësishëm në Evropë. I organizuar për festimet e 100-vjetorit të pavarësisë në këtë event morën pjesë personalitete të larta nga politika, diplomacia dhe ekonomia austriake, por edhe vende të tjera të rajonit. Nga Shqipëria, përfaqësues zyrtar i qeverisë, ishte ministri i Inovacionit Genc Pollo.
Fate Velaj iu kundërvu butaforisë së qeverisë për ngritjen e veprave madhore për festimet e këtij 100-vjetori, duke deklaruar se ky jubile, më shumë është karakterizuar nga kakofonia politike, sesa nga "ideja dhe vizioni" për shtetin shqiptar. Por Fate Velaj nuk ngurroi t'i kthejë përgjigje edhe Shmidit, i njohur tashmë në Shqipëri për oponencën ndaj Skënderbeut, në deklaratën e këtij të fundit se "shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte një ngjarje rastësore".

Kur Dr.Busek më telefonoi dhe më tha se dëshironte që unë t'i bashkohesha këtij paneli diskutantësh mbi 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ndodhesha në Fier, një qytet disa kilometra larg qytetit ku u shpall Pavarësia. Sigurisht në po atë moment iu përgjigja: "Po! Do të jem patjetër", një përgjigje që më doli menjëherë dhe nga thellësia e bindjes sime të plotë për dy arsye:
E para, ishte se unë jam nga Vlora, vendi ku u shpall Pavarësia por dhe me origjine nga Kanina, vendlindja e njeriut që shpalli Pavarësinë, Ismail Qemalit, një diplomat extra-class, i cili kishte ruajtur thellë në zemër ëndrrën shekullore të popullit të tij, atë të një vendi të pavarur.
E dyta, ishte prej asaj që me dr.Busek më lidh një miqësi e vjetër, që lindi dhe u forcua nga një këndvështrim i njëjtë mbi të ardhmen europiane të Ballkanit, këndvështrim ky që u manifestua nga një bashkëpunim i vyer nëpër simpoziume, konferenca, iniciativa politiko-kulturore në shumë vende përfshirë këtu Vjenën, me startimin e iniciativës sime të parë jashtë Austrisë, atë me titull "ndërmjet Danubit dhe Nilit" që e çova dhe në Kairo, apo ato në Berlin, Bruksel, Alpbach, Salzburg, Beograd, Shkup, Bukuresht, Tiranë, Vlorë, etj, gjë për të cilën i jam mirënjohës që më dëgjoi, më besoi dhe më shoqëroi shpirtërisht, mendërisht dhe fizikisht në këtë punën time.

Kujt i përket festa
Ky simpozium është ndërtuar për të diskutuar mbi një ngjarje të madhe në historinë e kombit shqiptar, si dhe në të gjithë hapësirën shqipfolëse, pasi kjo datë nuk i përket vetëm Shqipërisë së sotme, por edhe Kosovës, pjesë të Maqedonisë e të Malit të Zi, ashtu si dhe gjithë shqiptarëve kudo ku ata janë. Njëkohësisht ajo i përket edhe Austrisë, pasi është shteti që ka qenë garant i mbrojtjes së Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe aleat i madh i saj. Unë nuk kam për qëllim sot të sjell fakte e detaje të reja mbi momentet të cilat shoqëruan këtë akt final të historisë së Shqipërisë, pasi ky panel është i ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk krijon hapësira boshe por, arsyeja përse sot jam këtu, është se do të më duhet të ndriçojë sadopak hapësirën kohore të së ardhmes së Shqipërisë, atë të periudhës 2012-2112.

Ku gabuam dhe Vizioni i munguar

Nëse do të më pyesnin sot, se çfarë i duhet Shqipërisë së sotme në këtë vigjilje të 100-vjetorit të Pavarësisë së vet, unë do t'i përgjigjesha vetëm me dy fjalë: "një ide e qarte dhe një vizion".
Historia 100-vjeçare e Shqipë- risë, prej shpalljes së Pavarësisë dhe deri me sot, është e mbushur me ngjarje që populli im nuk i kishte të nevojshme dhe aq më tepër të domosdoshme për t'i përjetuar. Eksperimente politike dhe ekonomike të pafundme që e lodhën, e robëruan dhe e izoluan atë, e mbajtën larg nga ëndrrat gjeopolitike të atyre që shpallën Pavarësinë dhe në të njëjtën kohë i dhanë përkufizimin absolut se ky popull nuk është në gjendje të orientojë të ardhmen e tij, në atë drejtim nga e cila rrjedh dhe ADN-ja e tij: kultura perëndimore. Tashmë ne jemi në fillimin e një shekulli të ri, atë të Pavarësisë, të periudhës 2012-2112. Si në çdo vend të botës, ky vit jubilar festohet dhe për këto festime ka pasur dhe një kohë përgatitore relativisht të gjatë. Por ajo që më ra në sy në këtë vit jubilar dhe që në fund më hidhëruan pa mase, ishin se gjatë gjithë vitit nuk u dëgjua asgjë më shumë së "melodia" e debateve funebre, të një klase politike e drejtuese të stërlodhur nga ethet e delirit e të patjetërsueshmërisë së tyre në histori.
Pra, mbi gjithçka u fol në fillim të këtij viti jubilar. Si fillim u tha se do të merrnim statusin e vendit kandidat mbasi e mbështesim atë në merita të cilat nuk na mungojnë, u tha se do ndërtoheshin vepra madhështore, një stadium i madh futbolli, më i madhi në rajon dhe që ngeli vetëm një fjalim gjestional. Mandej u tha se do të ndërtohej një Parlament i ri mbi gërmadhat e së kaluarës mizore, parlamenti më i madh në rajon por që ngeli vetëm një shou gjestional. U tha se do ndërtoheshin monumente, statuja të dhjetëra personaliteteve të historisë. Sikur nuk kishte mjaftuar koha 100-vjeçare për t'u bërë këto, por duhesh pritur viti 2012 për t'i përjetësuar.
Por fatkeqësisht, nuk u tha asgjë në këtë 100-vjetor, se a do të ndërtohej një monument apo areal politiko-kulturor dedikuar shekullit të ri të Pavarësisë që po hynim, atë të pavarësisë së mendimit, të ideve, të vizioneve, ëndrrave të brezit të ri që në mbyllje të një epoke 50-vjeçare të izolimit dhe mbajtjes larg Europës në fillim të viteve '90 thërrisnin me zë kumbues: "e duam Shqipërinë si gjithë Evropa", ku tashmë fëmijët e tyre njëzetvjeçarë nuk janë si brezi e moshataret e tyre nëpër Europë, nisur nga ajo ç'ka baballarët e tyre u premtuan.

Projektet që duhen
Nëse unë, qysh në fillim ju tregova se telefonata e dr.Busek më gjeti në Fier, nuk thashë se më gjeti në rrugë e sipër, por në Fier për t'u stacionuar aty. Në një qytet që përpara syve dhe thellë në zemër ka vendosur të ardhmen e tij europiane dhe, për ta realizuar atë, jo pa qëllim qyteti më "thirri" të realizoja idenë time të vjetër, atë të "Europa Plaza", një shesh që i kushtohet kontinentit tonë, identitetit tonë të përbashkët e të ardhmes së përbashkët evropiane. Ideja ime e ndërtimit të "Evropa Plaza" në Fier, vjen pas suksesit të ndërtimit të "Evropa boulevard - 100 hapa drejt Evropës" në Pogradec, që nga miqtë tanë evropianë është klasifikuar si projekti më prestigjioz në përmbushjen e sloganit të BE "Ta bashkojmë Europën nëpërmjet kulturës". Imagjinoni një rrugicë të vogël të një qyteti të vogël jashtë hapësirës së BE. Një rrugicë 250 m e gjatë që shndërrohet nga një jetë normale rrugice, në një bulevard ku përjetësohen emrat e 100 personaliteteve më të rëndësishme të historisë së Europës, qysh nga antikiteti deri më sot. Një bulevard që mbi shpatulla mban historinë mijëra vjeçare të kontinentit tonë paraqitur bukur nëpërmjet veprave të artit në mermer dhe hekur.

"Europa plaza" në Fier është një dimension i ri i ndërtimit të shesheve, larg ideve të vjetra të përdorimit të shesheve për mitingje dhe tubime. Një shesh i ideuar dhe i konceptuar si një simbol i asaj që qyteti dëshiron: një përkushtim i të ardhmes së tij, asaj në zemër të Europës nëpërmjet një vepre arti në lartësinë prej 11m dhe një instalacioni me 50 tubo që lëvizin nga 2 deri në 12 m të gjata, ku do të prezantohet mikpritja e ngrohtë e qytetit që njihet nga të gjithë si qyteti i tolerancës në një botë-globe me diametër 7m brenda së cilës qëndron kontinenti blu, si bluja e BE, e së ardhmes së përbashkët në shtëpinë europiane.
Projekti ka për qëllim të paraqesë historinë e përbashkët europiane, ta vendosë atë thellë në ndërgjegjen e popullsisë në veçanti të rinisë, dhe mbi të gjitha të paraqesë specifikat e çdo identiteti në një kuadër më të përgjithshëm pluralist, europian. Këto projekte fituan zemrat e miqve tanë të mëdhenj si: Jose Manuel Barosso, Benita Ferrero Waldner, Werner Faymann, Vaclav Havel apo çmimi Nobël Imre Kertesz, ministra, mendimtarë e filozofë, dramaturg e poetë…e të gjithë këta shkruan për një rrugicë 250m e një shesh të vogël e jo për autostrada e rrugë që inaugurohen përditë. Ne jemi të bindur se inaugurimi i "Europa plaza" në Fier do të jetë një festë e madhe e europianeve për Europën, e cila do të shërbejë si simbol i asaj se historia jeton dhe se e ardhmja ka një ngjyrë: atë blu të Europës së bashkuar.

Më duhet të përsëris atë që është edhe ideja ime e patjetërsueshme se Europa e bashkuar përpara se të jetë një Union ekonomik, është një union vlerash të përbashkëta dhe që Shqipëria të bëhet pjesë e këtij unioni vlerash, duhet të rishikojë dhe ridimensionojë vlerat e saj, ato të dialogut, mirëbesimit dhe të tolerancës.

shkrimi u publikua ne gazeten Shqiptarja.com, date 1 nentor

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Arrestimet në bashkinë e Tiranës, deputeti socialist në 'Frontline': Ja lumsha SPAK-ut, të korruptuarit atje ku e meritojnë

Arrestimet në bashkinë e Tiranës, deputeti socialist në 'Frontline': Ja lumsha SPAK-ut, të korruptuarit atje ku e meritojnë