Fatma Sulaj, një mësuese
e mirë në portin e Barit

Fatma Sulaj, një mësuese<br />e mirë në portin e Barit
Në portin e Barit, në Itali, gjërat kanë ndryshuar shumë në gjithë këto vite. Shqiptarët e varfër e të dëshpëruar, që dikur hynin e dilnin me çantat dingas me çingërrima, tani janë njerëz dinjitozë që punojnë e udhëtojnë mes dy vendeve. Në këndvështrimin tim, radha e gjatë deri te kontrolli i pasaportave, tani, është radhë e mbushur me bashkëatdhetarë të rimëkëmbur shpejt e mirë me forcat e veta: studentë, profesionistë, punëtorë dhe prindër të moshuar, që nga Italia shkojnë e vijnë pas bashkimeve të bëra me fëmijët.

Mendoni ç'lumë i pafund njerëzish e historish njerëzore ka kaluar në këtë port që në fillim të viteve '90, pas eksodit të parë me anijet Tirana, Vlora...
Në gjithë rrugëtimet e mia mes dy brigjeve, nuk mund të harroj kur në krye të radhës së pasagjerëve, mes kabinave të policëve italianë dhe vizës portokall të pritjes së herës, pashë mësuese Fatmën. Në fillim mendova se ishte udhëtare si të gjithë ne, por jo, mësuesja ime e italishtes te "Asim Vokshi", Fatma Sulaj, ( ne foto) ose Fatima siç e thërrasin në Itali, ishte pozicionuar aty dhe ndihmonte në përkthime shqiptarët që nuk kuptonin se çfarë i pyeste policia gjatë kontrollit. Ishte mësuese Fatma, njësoj sikur e mbaja mend gjatë leksioneve: autoritare, besimdhënëse dhe e mirë për t'u përqafuar...

Te "Asim Vokshi" kishte nisur punë me të mbaruar fakultetin dhe klasa ime, në fund të viteve '80, qe e para e formuar prej saj. Prezenca e Fatmës në port, sikur më vuri instiktivisht në radhë e më shtoi durimin për të pritur deri në pafundësi kontrollin e pasaportave nga policët e Barit.
Këtu mësoj se e nisi punën pasi pa vështirësitë e shumë shqiptarëve për të komunikuar problemet e tyre me autoritetet italiane. Fatma punon aty edhe sot e kësaj dite, - unë e shoh dhe e takoj shpesh, - ka shumë histori dhe ngjarje për të treguar, disa i kanë mbetur në zemër, të tjera janë larguar bashkë me lumin e njerëzve, e të tjera histori rikthehen.

Po si ndodhi që një mësuese e talentuar si Fatma Sulaj, la "Asim Vokshin" për të pritur e përcjellë shqiptarët në Portin e Barit?
"Nuk e di në është mirë ta shpreh pse u largova, - më tregon mësuesja ime - po them vetëm që shkak u bë mungesa e sigurisë që kishim në ato vite ku shteti ishte asent ose më mirë me thënë nuk kishte fare shtet, po një anarki totale.
Nuk më lodhte korregjimi i detyrave të nxënësve të mi nën dritën e qiririt, po më vriste trishtimi i syve të tyre për skenat e përditshme që shihnin të ndodhin në rrugën e Elbasanit...
Në Bari u vendosa rastësisht, pasi në Perugia, ku kisha studjuar një vit me parë nuk jepnin bursa studimi për 2 vjet rresht. E meqë kisha dëshirë të madhe të regjistrohesha në Universitet e të bëja barazvlerësimin e titullit Universitar zotëruar në Shqipëri në Universitetin e Tiranës, u ndala ne Bari... Doja të krijoja një rreth miqësor që të më ndihmonte më tej të kthehesha në Shqipëri e të hapja një shkollë të re..."

Zysh Fatma, mijëra shqiptarë kanë kaluar në gjithë këto vite dhe vazhdojnë të kalojnë nga porti i Barit dhe Durrësit, cilat kanë qenë momentet më mbresëlënëse dhe historitë që kanë lënë gjurmë tek ju?
"Me thënë të drejtën ndjej një kënaqësi të jashtëzakonshme kur shumë bashkëatdhetarë më buzëqeshin kur më shohin e më thonë: …Nuk më njeh?
Të kujtohet, jam ajo që më ndihmove të shkoj në spital të kurohem për djegien e gradës së tretë… të kujtohet kur humba ndjenjat se isha 24 orë pa ngrënë duke udhëtuar e më ofrove për të ngrënë,… të kujtohet më ndihmove kur kisha djalin me temperaturë të lartë, të kujtohet... Unë i përgjigjem: Më fal po unë jam një, ju jeni shumë, rëndësi ka që të keni kujtime të mira e të mos ndjeheni të braktisur...

Një moment që e kujtoj gjithnjë është historia e një vajze të re 18 vjeçare nga Shkodra që udhëtonte me një djalë po nga Shkodra po që banonte në Romë. Kur trageti po mbërrinte në Bari kërkojnë një ambulancë për këtë vajzë të re pasi kishte hemoragji... Kur hypa në traget dhe e pyeta çfarë ke zemër? Më shtrengoi dorën fort e më tha me lot në sy: - A ke vajzë? Mos më lër vetëm ... humba virgjërinë ...

Nuk fola një moment pasi përfytyrova si të ish vajza ime në vend të saj, më pas u ula dhe përqafova fort, ndërsa po e vinin në barrelën e ambulances. Hipa dhe une, e pyeta e njeh atë djale? Si u soll me ty?

Me tha: është burri im, bëmë dasmën në Shkodër dhe të njëjtën ditë u nisëm për në Itali... i ndejta pranë duke e ledhatuar, përkëdhelur e fshirë lotët e saj... nuk ju ndava asnjë minutë edhe kur arritëm në repartin e gjinekologjise; për të vizita e parë qe një dramë ...

Fytyra e saj digjej flakë nga turpi...Pasi bënë vizitën, mjekët më spjeguan shkakun e hemorragjisë (që vajza ma kishte thënë tashmë). Mua më ziente në kokë një mendim: Ku po e çon këtë vajzë kaq të brishtë e të bukur? Thua ta dojë vërtetë? Më kishin parë sytë e dëgjuar veshët shumë në punën e përditshme, kështu që i thashë me zë të ulët në vesh vajzës: Ky është numri im i telefonit, të lutem për çdo rast, në qoftë se të keqtrajton, më telefono, unë vij në Romë e të marr...

Pastaj dola jashtë e fiksova djaloshin gjatë e i thashë: Shpresoj ta duash e ta respektosh atë vajzë yll të bukur e të sjellshme, përndryshe ta dish...
Pas disa ditësh bie zilja e telefonit...Alo jam ........ të thërras nga Roma, jam shumë e lumtur... kaluan muaj bie zilja sërish ... po bëhem nënë...
Zemra e një nëne është e lumtur..."

Si ka ndryshuar kjo radha e gjatë e kontrollit këtu në Portin e Barit që edhe sot vazhdon e ndarë në dy kanale: Shqiptarët në një anë
dhe qytetarët e BE në anën tjetër?
"Përsa i përket formës ndryshimi është radikal, dje porti i Barit ishte një stacion i vogël që ndoshta shumëkush nuk e njihte, sot falë edhe kontributit të udhëtarëve shqiptarë është transformuar në Portin e Levantes. Përsa i përket përmbajtjes ka shumë për të bërë akoma nga të dy palet...kur vijnë udhëtarët shqiptarë ankohen se në Shqipëri ka mungesë informacioni, kurse në Bari nuk ka pikë referimi apo zyrë ku mund të drejtohen për të zgjidhur problemet e ndryshme që mund të lindin gjatë udhëtimit, sidomos gjatë periudhës së flukseve. Përsa i përket shtetasve kosovarë mungon një zyrë përfaqësie konsullore në Bari ku qytetarët të mund të shkojnë e të kërkojnë pajisjen me leje kalimi".

A ju mungojnë orët e mësimdhënies te "Asim Vokshi"?
"Shumë ...mund të them se kohët e para kur erdha në Bari e shikoja thuajse çdo natë në ëndërr shkollën e Gjuhëve të Huaja. Më dilnin parasysh fytyrat e nxënësve të mi të dashur, sytë e tyre të etur për liri, dije, lumturi, gjithçka..."

E shihni të ardhmen në arsimin shqiptar në Tiranë, apo në misionin e ndërmjetësueses kulturore në Itali?
"Herë pas here dëgjoj të më thonë kolegët e mi italianë këtu: Meno male che ci sei tu ... Kur shkoj në shkolla e ndihmoj nxënësit shqiptarë të hyjnë në kontekstin e gjuhës italiane, ndjej dashurinë e një nëne për fëmijën që është i çorientuar pasi mund të ketë drama familjare nga më të pamenduarat e them me vete: shyqyr që më kanë, ndoshta Zoti me ka çuar me mision këtu që t'ju gjindem bashkëatdhetarëve të mi në emigracionin e vështirësi.. .pavarësisht se në vështirësi ndodhem edhe unë vetë... Roli ynë në Itali si ndrëmjetës kulturorë nuk është i njohur në shkallë kombëtare".

Një tjetër dëshirë e mësuese Fatmës është dhe mësimdhënia e shqipes mes fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në Bari. Por si për çdo gjë të mirë, Shteti shqiptar i kursen fondet tamam për këtë gjë. Në Portin e Barit më shumë se kudo, dëgjon fëmijët shqiptarë të lindur e rritur në Itali që nuk dinë shqipen dhe ngrenë supet po t'i pyesësh: Si je? "Me pak sforcime mund të bëjmë një punë akoma dhe më të vlefshme për mijëra shqiptarë që tani janë integruar shumë mirë në Itali, - më thotë Fatma - dhe dhënia e kurseve apo krijimi i klasave të gjuhës shqipe, tani që është e mundur dhe me ligj, do të ishte një shërbim i vlefshëm i shtetit. Ia kam kërkuar edhe konsullit tonë në Bari këtë. Ndoshta mund të na vijë ndonjë lajm i mirë".
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: 'Provokacja nr 2', pas Beogradit, Edi Rama hap çështjen shqiptare edhe në Athinë!

Ylli Pata: 'Provokacja nr 2', pas Beogradit, Edi Rama hap çështjen shqiptare edhe në Athinë!