Federata Shqiptare e Futbollit ndryshe nga simotrat e saj në Evropë dhe botë ka përjashtuar një nga tifo-grupet e Kombëtares, Tifozat Kuq e Zi. Për të gjithë që kanë ndjekur qoftë edhe një herë të vetme ndeshjet e Kombëtares, edhe nga ekrani, kanë vënë re pasionin dhe organizimin e tyre për ngjyrat kuqezi, aq sa shumë herë ekipit tonë shkëlqimi më shumë i vinte nga shkallët e stadiumit sesa nga fusha.
Me një veprim përjashtues, FSHF nuk i ka garantuar TKZ-së biletat për sektorin e tyre dhe të gjitha biletat do dalin online për të gjithë, në çdo pjesë të stadiumit. Diçka e tillë nuk është një praktikë botërore, me klubet dhe Federatat që kanë një kujdes të veçantë për tifozët e organizuar, të paktën sa i takon sektorit.
Me një vendim të beftë, që nga TKZ cilësohet si "prerje në besë" dhe "pazar" për shkak se ata ishin kundër bashkorganizimit të Euro 2027 për U-21 me Serbinë, FSHF vendosi që Kombëtarja mos ketë më tifozë të organizuar.

Pas zhurmës së madhe Federata ka sqaruar se këtë e ka bërë për gjithëpërfshirje, por nuk ka përmendur asnjë praktikë të kësaj formë në Evropë. Pas përjashtimit TKZ ka bashkuar forcat me "Illyrian Elite", grupimin tjetër të Kombëtares.
"Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë publikun mbi sistemin e ri të shitjes së biletave për ndeshjet e Kombëtares, një vendim që synon të sigurojë barazi dhe gjithëpërfshirje për të gjithë tifozët shqiptarë.
Në përputhje me praktikat më të mira evropiane, FSHF ka vendosur që të gjitha biletat të shiten online dhe çdo person të ketë mundësinë të blejë maksimumi 4 bileta. Ky sistem është vendosur për të garantuar një proces të hapur dhe të drejtë, ku çdo tifoz ka mundësi të barabartë për të qenë pjesë e mbështetjes së Kombëtares.
Për shumë vite, grupe të ndryshme tifozerike kanë pasur mundësinë të sigurojnë bileta të rezervuara nga FSHF. Megjithatë, me rritjen e kërkesës për bileta dhe dëshirën për të krijuar një qasje më të hapur për të gjithë tifozët shqiptarë, është vendosur që nga tani e tutje biletat të jenë të aksesueshme përmes një procesi të drejtë dhe transparent.
FSHF vlerëson dhe respekton të gjithë ata që kanë mbështetur Kombëtaren ndër vite dhe beson se tifozëria shqiptare, në të gjithë larminë e saj, do të vazhdojë të krijojë atmosferën e zjarrtë që gjithmonë ka dalluar ndeshjet e Kombëtares sonë.
Ky vendim nuk synon përjashtimin e askujt, por përkundrazi, garantimin e mundësisë për të gjithë tifozët që duan të jenë pjesë e spektaklit të Kombëtares. FSHF mbetet e hapur për çdo sugjerim apo diskutim që ndihmon në përmirësimin e përvojës së tifozëve dhe në forcimin e lidhjes mes ekipit Kombëtar dhe mbështetësve të tij të zjarrtë", thuhet në reagimin sqarues të FSHF-së.
Ndërkohë që një masë e kanë marrë edhe Tifozat Kuq e Zi, që janë bashkuar me "Illyrian Eite". Ata e cilësojnë si "pazar" vendimin kundër tyre.
"Pas një takimi të përbashkët vëllazëror dhe qellim mirë, vendosem që te jemi bashkë në sfidat që gjendemi para. Bashkimi e bën fuqinë, e së bashku kemi vetëm dashuri për kombëtarën, që është më e madhe se pazaret e federatës. Shihemi së shpejti", shkruan TKZ.
Komente

