Feith: Jo, bllokimit për
arsye politike 

Feith: Jo, bllokimit për<br />arsye politike 
PRISHTINË -  Shefi i ICO, Pieter Feith ka shprehur keqardhje për dhunën dhe i ka bërë thirrje Vetëvendosjes që të mos përdorë bllokimin e rrugëve për qëllime politike. “Më vjen keq për njerëzit dhe policët e lënduar në protestë, por edhe për dëmet e shkaktuara nga protesta”, ka deklaruar Feith për RTK.


NË BURG 15 TË ARRESTUAR
Shumica e protestuesve të arrestuar dje  janë liruar. Zyrtarët e Policisë së Kosovës konfirmuan për Kosovapress se nga 146 protestues të arrestuar, vetëm 15 po mbahen ende në burg.
“Totali i të arrestuarve ka qenë 146 persona. Tani janë vetëm 15, të cilëve u është shqiptuar masa a ndalimit policor, me vendim të prokurorit. Të tjerët janë liruar me procedurë të rregull”, tha për Kosovapress zëdhënës i Policisë së Kosovës, Arbër Beka.
Nga numri i përgjithshëm i të arrestuarve prej 146 personave, 112 kanë qenë të arrestuar në protestën e cila është mbajtur në afërsi të pikë kalimit kufitar Merdare, kurse 34 kanë qenë të arrestuar në afërsi të pikë kalimit kufitar Dheu i Bardhë.

REXHEPI: DHUNA E PËRDORUR MINIMALE
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, e ka arsyetuar përdorimin e forcës mbi turmat protestuese, të cilat të shtunën, duke iu përgjigjur thirrjes së lëvizjes “Vetëvendosje” kanë synuar t’i bllokojnë pikat kufitare në Merdar dhe te Dheu i Bardhë. Me gjithë numrin e madh të atyre që janë lënduar në këtë protestë, ai ka thënë se policia ka vepruar në mënyrë shumë profesionale.
“Policia ka përdorur forcën minimale proporcionale, konform situatës, prandaj mendoj se ajo ka vepruar në mënyrë shumë profesionale”, ka deklaruar ministri Rexhepi për “Kohën Ditore”, gjatë një bisede telefonike. Ai nuk i ka cilësuar të tepërta as goditjet që kanë marrë protestuesit pas largimit nga vendi ku janë zhvilluar protestat.
“Natyrisht se edhe ata që shpërndahen, policia i orienton në drejtime të caktuara”, ka shtuar ai, duke iu shmangur shprehjes dhunë. Qëllimi i policisë gjatë gjithë kohës, sipas tij, ka qenë që të liroheshin rrugët dhe të mundësohej liria e lëvizjes.

KONJUFCA: QEVERIA SHKELI MBI POPULLIN
Glauk Konjufca, i cili ishte munduar të mos lejonte mallrat e Serbisë të hynin nga Serbia nga Dheu i Bardhë ka folur për “Kohën Ditore”, vetëm pesë minuta pasi disa policë në Stacionin e Policisë së Kosovës në Gjilan i kanë thënë: “Je i lirë”. Ai ka thënë që 14 janari ka zbardhur shumë gjëra në Kosovë.
Konjufca tha se, “dita e shtunw ka vërtetuar një gjë - që Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës për t’ia shtruar rrugën Serbisë drejt Kosovës me pesëqind milionë euro mallra të saj, ka qenë në gjendje që të shkelë mbi popullin e Kosovës dhe mbi qytetarin e Kosovës. Dhe, kjo është parë shumë qartë se si mes popullit dhe Serbisë, Qeveria e Kosovës e ka zgjedhur Serbinë. Ne ishim tërësisht paqësorë, ne i lejonim të qarkullonin edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, ne çka bllokuam ishin vetëm kamionët me mallrat serbe”, tha nwnkryetari i Kuvendit tw Kosovws, i ndaluar dje nga policia.


ZHVILLIMET E SË SHTUNËS MINUTË PAS MINUTE

Ora 20: 50 - FAITH: MË VJEN KEQ PËR Ç'KA PASHË
Për situatën e sotme rreth protestave ka reaguar edhe shefi i zyrës civile ndërkombëtare Piter Faith, i cili ka shprehur keqardhje për dhunën që ka shpërthyer mes protestuesve e policisë në dy pikat doganore. Ai për RTK-në ka thënë se kjo situatë nuk duhej të ndodhte.

“Më vjen keq për ato pamje të dhunës që pashë. Më vjen që deklarata ime, e Qeverisë dhe shumë deklarata tëtjera për shmangie nga dhuna nuk janë marrë parasysh, ndjej keqardhje po ashtu edhe për njerëzit dhe policët e lënduar gjatë protestës”, ka thënë Faith.

Ora 20: 30 - REXHEPI: KEQARDHJE PËR DHUNËN NDAJ POLICISË
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi në një prononcim telefonik për TV “Dukagjini”-n, është shprehur se të gjitha deklaratat e ditës të lëshuara nga Policia e Kosovës si dhe deklarata e mbrëmjes e lëshuar nga Qeveria janë në një linjë me qëndrimin e Ministrisë së Brendshme.
“Shpreh keqardhjen time për verpimet e dhunës ndaj pjesëtarëve të policisë dhe mbetem fuqimisht i përkushtuar të përkrah pjesëtarët e policisë, të cilët po mbrojnë rendin dhe ligjin për të garantuar lëvizjen e lirë”, ka thënë ministri Rexhepi.

Ora 20: 00 - HAPET RRUGA TE DHEU I BARDHË
Njësitet e Policisë së Kosovës kanë arritur që të shpërndajnë protestuesit dhe të hapin rrugën tek pika kufitare Dheu i Bardhë.
Zëdhënësi rajonal i policisë, toger Ismet Hashani tha se policia tani nuk do të ndërhyjë, pasi rruga është e hapur.
Kurse aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj tha se policia qëllimisht e ka lënë të veprojë në orët e vona, në mënyrë që mos të shihet edhe mirë se çfarë po ndodh.
Sipas tij, kjo ndërhyrje është bërë për t’i hapur rrugën Serbisë, sepse Bajram Rexhepi dhe gjithë shokët e tij kanë lidhje të forta dhe bëjnë biznes me Serbinë.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe më tej këtu derisa qeveria ta marr vendimin për zbatim të reciprocitetit me Serbinë”, ka thënë ai.

Ora 19: 30 - VV: JANË 107 TË ARRESTUAR
Sipas një komunikate të Vetëvendosjes, 107 aktivistë janë arrestuar në dy pikat kufitare Merdarë dhe Dheu i bardhë, mes të cilëve disa deputetë si: Glauk Konjufca, ndaj të cilit sipas mediat kosovare raportuan se është ushtruar dhunë.

Ora 18 : 45 - VETËVENDOSJE: RRIHET GLAUK KONJUFCA
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca, është rrahur nga Policia e Kosovës.“Deputeti Glauk Konjufca rrahet brutalisht”, thuhet në njoftimin e kësaj partie. Konjufca, bashkë me deputetë tjerë, ka qenë sot gjatë gjithë ditës në afërsi të pikës kufitare të Dheut të Bardh.

Ora 18: 00 DISA DEPUTETË ARRESTOHEN TE DHEU I BARDHË
Vetëvendosje njofton se është arrestuar deputeti Glauk Konjufca, deputeti Liburn Aliu, deputeti Visar Ymeri, Ismajl Kurteshi, Boiken Abazi, Aida Dërguti, Alban Krasniqi, Kushtrim Morina, Premton Ibërdemaj.
Kurse në Besianë arrestohet deputeti Afrim Hoti, Taulant Kurti, deputetja Albana Gashi, Blerim Sallahu.

Ora 17: 52 - QEVERIA: VETËVENDOSJA TË NDALOJË DHUNËN
Qeveria e Republikës së Kosovës i’u bën thirrje krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të shmangën nga përdorimi i dhunës dhe përpjekjet për të penguar lëvizjen e lirë të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në një deklaratë zyrtare, qeveria e Republikës së Kosovës qëndron fuqishëm në mbështetje të Policisë së Kosovës, e cila me profesionalizëm është duke mbajtur nën kontroll të plotë situatën.
”Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh konsideratën e lartë për maturinë dhe sjelljen korrekte të qytetarëve të Republikës së Kosovës, forcave politike, shoqërisë civile dhe informimin profesional të mediave. Sjelljet e tilla janë në përputhje të plotë me vlerat civilizuese perëndimore dhe synimet tona për integrime euro-atlantike”, tuhet në deklaratën zyrtare të qeverisë së Kosovës.


Ora 17: 45 - ARRESTOHET SHPEND AHMETI
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, është arrestuar para pak çastesh nga policia e Kosovës, njofton reporteri ynë nga vendi i ngjarjes. Ahmeti gjatë tërë ditës sot ka qenë në rrugën që çon për në Merdare.Po ashtu, është arrestuar edhe aktivisti i Vetëvendosjes nga Tirana, Arbër Zajmi.
Të arrestuar janë edhe: Frashër Krasniqi dhe Naim Bunjaku.


Ora 17:00 - AHMETI: NUK ZMBRAPSEMI
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti ka deklaruar për Kosovapress se nuk do të zmbrapsen deri në aktivistin e fundit. “Turmat e protestuesve janë duke u shtuar. Janë duke ardhur edhe dy autobusë nga Tirana dhe tre autobusë tjerë nga Prishtina. Ne nuk jemi duke e penguar lëvizjen e lire, jemi duke i penguar vetëm maunat me mallra serbe. Deri më tani nuk ka mundur me kaluar asnjë maunë me mallra serbe”, tha Ahmeti.


Ora 16: 30 - VV: 30 TË ARRESTUAR
Lëvizja Vetëvendosja ka thënë në faqen zyrtare të tyre në Facebook se Policia e Kosovës ka arrestuar 30 anëtarë të kësaj lëvizje.Sipas VV-së, protestuesit e arrestuar po mbahen në stacionin policor në Besianë. Sipas VV-së, dy protestues, Alban Jupolli (1991) dhe Burim Hoqa (1983), janë të lënduar në kokë. Ata gjinden në QKUK në sallën e emergjencës.

Ora 16: 10 - KURTI: QEVERIA TË ZBATOJË KUSHTETUTËN
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje i është adresuar turmës në Besianë ku ka thënë se Qeveria nuk po e respekton mocionin për reciprocitet të miratuar në Qeveri me shtatë dhjetor të vitit të kaluar. “Në bazë të Kushtetutë, Qeveria e Kosovës obligohet që të zbatoj vendimet që dalin nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Kurti, sipas gazetës “Expres”.
Për ndërhyrjen e Policisë së Kosovës ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. “Policia e Kosovës nuk ka ofruar ndihmë për të plagosurit dhe të lënduarit e Vetëvendosjes. Përkundrazi, i kanë tërhequr zvarrë dhe arrestuar”, ka thënë Behxhet Shala nga KMDLNJ.



Ora 15: 58 - DY KAMIONE SERBË HYJNË NË MERDARË
Pas protestës me moton "Serbia nuk kalon", zhvilluar prej orës 13:00 në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, mesohet se dy kamione serbë kanë hyrë në territorin e Kosovës, të shoqeruar nga policia.


Ora 15: 45 - VETEVENDOSJA: ALBIN KURTI ËSHTË PLAGOSUR
Pak minuta pas deklaratës zyrtare të policisë, Vetëvendosja ka deklaruar se Albin Kurti nuk është arrestuar, po ka pësuar dëmtime gjatë përplasjeve në Podujevë.

Ora 15: 30 - POLICIA E KOSOVËS MOHON ARRESTIMIN E KURTIT
Pavarësisht konfirmimit të Vetëvendosjes, policia e Kosovës, nëpërmjet zëdhënësit, Brahim Sadiu ka mohuar arrestimin e liderit të kësaj lëvizje, Albin Kurti. Sadiu tha se Kurti ndodhet aktualisht mes protestuesve.


Ora 15: 20 - AK: ARRESTIMI I KURTIT, PROVOKIM
Aleanca Kuq e Zi ka reaguar pas lajmit për arrestimin e Kurtit, duke e cilësuar këtë si provokim ndaj situatës. Gjithashtu AK ka dënuar edhe ndalimin në Morinë të aktivistëve shqiptarë.

Ora 14: 56 NDALOHET KURTI
Lider i Lëvizjes vetëvendosje është ndaluar para pak çastesh nga Njësia Speciale e Kosovës. Lajmi konfirmohet nga Vetëvendosja në profilin e saj në Facebook. Policia e Kosovës po largon nga rruga protestuesit duke përdorur gaz lotsjellës.

ORa 14: 48 TENSIONOHET SITUATA, ARRESTIME E GAZ LOTSJELLES
Tensionet situata në Podujevë. Rreth orës 14.30 minuta policia nisi aksionin për shpërndarjen e protestuesve të mbledhur në kryqëzimin rrugor midis Podujevës dhe Merdares, duke përdorur gaz lotsjellës, ndërsa nga ana e turmës janë hedhur gur. Policia njofton për dy punonjës policie të plagosur që po marrin mjekimin në spitalin e Podujevës. Raportohet dhe për 10 aktivistë të arrestuar mes tyre Fisnik Ismajli.

Nga ana tjetër Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi ka bërë thirrje që të lirohen të gjitha rrugët.
14: 30 POLICIA: PROTESTUESIT TE LARGOHEN PER 5 MINUTA 
Policia e Kosovës i ka dhënë ultimatum protestuesve të Vetëvendosjes që të hapin rrugën për pesë minuta ose përndryshe do ta hapin duke i shpërndarë protestuesit. Vetëvendosja, nga ana tjetër ka thënë se ata nuk po protestojnë kundër Policisë dhe i ka bërë thirrje që Policia t’i respektoj vendimet e Kuvendit të Kosovës.
 
14: 10 AHMETI: IA ARRITEM QELLIMIT SERBIA NUK KALON
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka thënë se qëllimi i protestës së tyre deri me tani është arritur pasi që asnjë kamion nga Serbia nuk ka kaluar. ”Derisa Serbia nuk kalon dhe asnjë kamion serb nuk kalon nëpër këtë pikë atëherë Serbia nuk ka kalua”, ka thënë Ahmeti.

Ora 14: 00 KURTI THIRRJE PER PROTESTE PAQESORE
Gjatë një fjalimi të mbajtur para më shumë se 200 protestuesve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u bëri thirrje të gjithëve të protestojnë në mënyrë paqësore kundër moszbatimit të mocionit të reciprocitetit të Kuvendit të Kosovës me Serbinë. Albin Kurti tha se me bllokimin e rrugës nga Policia e Kosovës, Qeveria e Kosovës po bllokon lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në territorin e Kosovës, ndërsa po lejon qarkullimin e veturave dhe mallrave serbe për në Kosovë.
Ai ka kërkuar që asnjë polic mos të preket.


Ora 13: 45 TENSIONOHET SITUATA 

Tensionohet situata në Merdarë. Qindra protestues të Lëvizjes "Vetëvendosje" janë ndalur tek udhëkryqi i Podujevës, dhe nuk lejohen të kalojnë. Policia ka bllokuar çdo rrugë që shpie tek pika kufitare Merdare. Mediat kosovare bëjnë të ditur se Njësitë Speciale e Kosovës dhe policia po përdor sprajt për ti larguar protestuesit. Albin Kurti i pranishëm në këtë pikë bashkë me tre autobusë të tjerë me protestues ka bërë thirrje për paqe. Gazeta Express raporton për një polic të lënduar lehtë pasi është goditur me tullë nga një protestues. Gjendja është qetësuar pas thirrjeve që janë bërë si nga ana e policisë ashtu edhe nga ana e protestuesve. Ndërsa në Dheun e Bardhë raportohet për situatë të qetë dhe praninë e mbi 500 protestuesve. Në Morinë policia e Kosovës pengon kalimin e mbështetësve nga Tirana.   

Ora 13: 37 RRETH 500 PROTESTUES TE DHEU I BARDHE 

Rreth 500 protestues të Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur të Dheu i Bardhë.  Njësia Speciale e Policisë së Kosovës i ka bllokuara ata 300 metra larg pikës kufitare. Rruga kontrollohet nga Policia, kurse pas tyre ndodhen forcat e Njësisë Speciale.

ORA 12: 40 MBESHTESIT NFGA SHQIPERIA BLLOKOHEN NE MORINE

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë të ditur për Kosovapress, se në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, përkatësisht në Morinë, Policia e Kosovës po pengon qëllimisht kalimin e dy autobusëve me përkrahës të Vetëvendosjes që kanë ardhur nga Shqipëria. Xhelal Sfeçla nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se përkrahës të kësaj lëvizjeje, të cilët janë duke ardhur nga Shqipëria për në Kosovë për të përkrahur Vetëvendosjen në protestën e saj, janë duke u penguar qëllimisht nga Policia e Kosovës që të hynë në Kosovë. Ai thotë se rrugëtimi, përbrenda territorit të Kosovës në drejtim të Merdarës dhe Dheut të Bardhë, është duke ecur pa ndonjë pengesë. “Deri më tani nuk vërejmë ndonjë pengës serioze përpos vonesave. Te pika kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, autobusi jonë me qëllim është duke u vonuar nga Policia e Kosovës, me arsyen se është bllokuar sistemi kompjuterik por për neve këto janë çështje burokratike. Aktualisht dy autobus janë të bllokuar në këtë pikë kufitare”, ka thënë Sfeçla për Kosovapress.

ORA 12: 19 NJESIA SPECIALE VENDOSET TE PIKA KUFITARE DHEU I BARDHË

Përgjatë rrugës Gjilan – Dheu i Bardhë, vërehen forca të shtuara të Policisë së Kosovës, ndërkaq në pikën kufitare Dheu i Bardhë janë pranishëm Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Qytetarët kanë filluar të grumbullohen dhe deri në këto çaste janë mbi 100 persona, ndërsa nuk ka pengesa në qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve, raporton kosovapress. 

Ora 12: 04 POLICIA BLINDON MERDAREN

Forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur në pikën kufitare në Merdarë. Në këtë pikë vërehen edhe automjete të blinduara të PK-së, si dhe automjete tjera, gjithashtu të Policisë së Kosovës. Ndërkaq, siç raporton gazetarja e “Zërit” nga terreni, mësohet se edhe gjatë rrugës Prishtinë-Merdarë, ka numër të shtuar të forcave policore ndërsa numri më i madh i tyre është i përqendruar në hyrja të qytetit të Podujevës. Policia po kontrollon pothuajse të gjitha automjetet.

Ora 12:00 KURTI NISET DREJT MERDARES

Pak pas orës 11 nga selia e Vetëvendosjes në Prishtinë u nis drejt Merdarës dhe kryetari Albin Kurti me deputetë dhe anëtarë të kryesisë.

DY AUTOBUSE NGA TIRANA NE PRISHTINE

Rreth orës 07:00 dy autobusë nga Tirana janë nisur drejt Kosovës. Autobusët ishin vendosur pranë stadiumit ’Qemal Stafa’ dhe sipas mediave bëhet fjalë për rreth 100 mbështetës të ardhur nga Tirana e rrethe të ndryshme.

POLICIA MERR MASA, NUK LEJOJME BLLOKIMIN E RRUGES

Policia e Kosovës deklaron se ka marrë masat për të siguruar rendin dhe sigurinë gjatë protestës së “Vetëvendosje”-s. Nëpërmjet një urdhri operativ të quajtur “Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë”. Parashikohet siguria e përgjithshme, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmërisë së ligjit. Shtimi i masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje etj, kurse në fund edhe fokusimi dhe garantimi në mbarëvajtjen e qarkullimit të trafikut dhe moslejimi i vendosjes së pengesave në rrugë dhe në vendkalime kufitare, etj.
Ajo bën me dije se nuk do të lejohet asnjë bllokim i rrugëve si dhe asnjë qasje e protestuesve afër vendkalimeve kufitare dhe as bllokimi i tyre sipas tendencës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e “Vetëvendosjes”. Komunikata më tutje saktëson se ajo, po qe nevoja, do t’i ndalojë të gjithë ata qytetarë që pretendojnë të vijnë nga shtetet fqinje dhe që me veprimet e tyre ta cenojnë sigurinë e vendit si dhe të prishin rendin e qetësinë publike. Në fund të komunikatës, PK-ja apelon tek të gjithë qytetarët që t’iu shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve.

KURTI: PROTESTA PAQESORE

Sipas liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti protesta e sotme nuk do të bllokojë qarkullimin e lirë të qytetarëve, por do të bllokojë hyrjen e mallrave nga Serbia në Kosovë. “Protesta jonë paqësore është e drejtuar kundër Serbisë, e cila prej Kushtetutës së saj ku shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë, e deri te deklarata e qëndrimi dhe sjellja e nëpunësit apo zyrtarit me të ulët shtetëror ka qëndrime kundër pavarësisë së Kosovës dhe plane anti-shqiptare”, tha Kurti.
Protesta e sotme organizohet pasi Qeveria e Kosovës nuk po zbaton vendimin e Kuvendit të Kosovës ku me shumicë votash, deputetët e Parlamentit, më 7 dhjetor 2011, miratuan mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për marrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë.
“Reciprociteti është vlerë e Bashkimit Evropian. Shtetet në Bashkimin Evropian e njohin njëra tjetrën dhe janë në marrëdhënie reciproke. Nuk ka asnjë shembull tjetër në botë ku dy shtete që nuk kanë marrëveshje të paqes dhe që nuk e njohin njëra tjetrën megjithatë kanë marrëveshje me të tregtisë së lirë siç është rasti më Kosovën dhe Serbinë”, tha Kurti.

NDERKOMBETARET, PRISHTINA E TIRANA KUNDER

Plani për të bllokuar hyrjen e mallrave serbe është kundërshtuar ashpër si nga autoritetet kosovare, ashtu edhe ato ndërkombëtare, por aktivistët e Vetëvendosjes mbeten të vendosur për, zbatimin e plotë të reciprocitetit tregtar, ekonomik dhe politik ndërmjet dy vendeve.
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i shohin me shqetësim veprimtaritë e planifikuara të Lëvizjes Vetëvendosje për datën 14 janar për të bllokuar vendkalimet kufitare në portat 3 dhe 5. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u ka bërë thirrje “të gjithë qytetarëve të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave”. Mesazhi për të ndaluar veprimet ekstremiste u përcoll dje dhe nga dy ministrat e Jashtëm, ai i Kosovës dhe i Shqipërisë.

(aq/sg/am/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga