TIRANE- Deputetja e PS, anëtare e komisionit të Ligjeve Ermonela Felaj, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” flet për reformën në drejtësi, SHISH, Aktin Normativ, komisionin e hetimit.
 
Si anëtare e komisionit parlamentar të Ligjeve dhe të Sigurisë, si e vlerësoni rrëzimin e aktit normativ për Nëpunësin Vivil nga Kushtetuesja. Mund të shtyhet efekti deri në prill?
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shfuqizon aktin normativ të qeverisë në lidhje me ligjin e ri “Për nëpunësin civil”, në bazë të Kushtetutës, do të ushtrojë fuqi nga momenti i botimit në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë ne i ngelemi mendimit se Akti Normativ lindi si nevojë në kushtet e një boshllëku ligjor të krijuar nga shfuqizimi i ligjit të vjetër “Për nëpunësin civil” ligji i 1999, dhe hyrjes në fuqi të ligjit të ri vetëm formalisht, sepse ligji do të bëhej i vlefshëm për zbatim vetëm 3 muaj më pas.

Pra për periudhën kohore 1 tetor 2013 kur ligji i ri hyri në fuqi de jure deri  më 1 janar 2014 kohë kur presupozohej të ishin draftuar dhe një numër prej 30 aktesh nënligjore nga qeveria e mëparshme, situata e nëpunësve civilë, ngelej tërësisht e parregulluar me ligj. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nga ana tjetër, nuk pengon ndryshime në ligj që shihet qartësisht se duhet të bëhen. Dua të sjell në vemendjen tuaj që ligji i ri për nëpunësin civil s’është diskutuar nga ne kur ishim në opozitë, ai ka kaluar përmes një debati të përciptë dhe absolutisht të njëanshëm në Komisionin e Ligjeve e kjo është dhe arsyeja që ka mangësi thelbësore që duhet të shmangen nëse vërtetë duam t’i japim rëndësi dhe qëndrueshmëri nëpunësit civil.
 
Janë rrëzuar  dy dekretet e Presidentit për anëtarë të gjykatës së Lartë, ndërkohë që Nishani në një intervistë për VOA deklaroi se qeveria po e sulmon. Ka vërtetë një përplasje, si zgjidhet? Mendoj se në këtë mes nuk ka asgjë për të zgjidhur por vetëm për të kuptuar me qetësi e maturi se cilat ishin arsyet që detyruan Kuvendin të rrëzojë dekretet e Presidentit. E kemi bërë të qartë publikisht, se në gjykimin tonë, në përzgjedhjen e kandidaturave si antarë të Gjykatës së Lartë, s’janë mbajtur parasysh, as ligji i ri për Gjykatën e Lartë e as ai “Për gjykatat administrative”.

Të dyja këto ligje implikonin detyrimin e Presidentit që në të drejtën e tij për të propozuar kandidatë si antarë të Gjykatës së Lartë, ai të mbante parasysh plotësimin sa më të mirë, të duhur dhe cilësor të trupës së kësaj gjykate, kur dihej qartësisht se dy kandidatët e rinj do të ishin pjesë e një kolegji specifik dhe të ri, siç është ai për gjykatat administrative. Nga shqyrtimi i përmbajtjes së dekreteve të Presidentit, nuk rezulton në asnjë moment kjo lloj vëmendjeje apo ky lloj kujdesi, duke  u cënuar kështu një nga parametrat e atij procesi që ligji përshkruan lidhur me rekrutimet në Gjykatën e Lartë.
 
Për herë të parë pas tetë vitesh, pas rënies së 25 kërkesave për komisone hetimi të PS në opozitë dhe miratimit të komisionit të “Veshit”, “Tivarit” dhe “Puçit”, mazhoranca vendosi ngritjen e një komisioni hetimi për lëvizjet në polici. Komenti juaj?
Komisioni hetimor parlamentar do ketë fokus lëvizjet e ndodhura në radhët e policisë së shtetit, pra emërime, largime, apo tranferime për një periudhë të caktuar kohore. Nga ana tjetër nuk mund të lë pa shprehur opinionin personal se komisioni hetimor në fjalë është orvajtje e pastër e opozitës për t’u shfajësuar nga situata degraduese me rendin dhe sigurinë që la pas.

Më vjen keq ta bëj këtë pohim, por e vërteta është se në Policinë e Shtetit duhej pa asnjë dyshim të ndodhnin ndryshime  me qëllim nxjerrjen përfundimisht nga apatia dhe bashkëjetesa në mënyrë të heshtur me krimin. Shqiptarët nuk do të mund të harrojnë pamje të kupolës drejtuese që shtrëngonte duart me krimin e dekonspironte aksione policore dhe as gjobëvëniet nga truprojat me uniformë të atyre që deri dje qeverisnin këtë vend. Largimi i të tillë elementëve nga radhët e policisë është një veprim që vlen të përshëndetet si një veprim kurajoz dhe në kohën e duhur.
 
Opozita ka akuzuar qeverinë për ngjarjet kriminale etj..Mendoni se kanë dorë me mesveprimin e tyre dhe strukturat e shërbimit inteligjent e si mund të marrë zgjidhje kjo?
Krimi në shoqëri, më shumë se shifra, është përceptim, kështu që nuk do bëj krahasim shifrash edhe pse ato flasin dukshëm në favor të policisë. Do t’i referohem vetëm aksioneve më të fundit policore sepse besoj që falë punës së mirë të policisë së shtetit besimi është rikthyer. Sa i takon SHISH, ndonëse nuk kërkohet të zëvendësojë forcën policore, sikur dikur bëri Sali Berisha me SHIK e Gazidedes, është në detyrën funksionale të këtij shërbimi të mbledhë të dhëna në mbrojtje të rendit e të sigurisë së jetës së qytetarëve nga akte të ndryshme kriminale. Ky është dhe problemi me këtë shërbim që mesa duket nuk është kurkund me rolin e informatorit të parë për atë që krimi përgatit në kundërvënie të rendit dhe sigurisë publike. 
 
Meqënëse jemi tek siguria, mendoni se aktet terroriste, tritoli, celulat islamike në Shqipëri për rekrutimin e muxhahidinëve për të luftuar në Siri e cënojnë sigurinë dhe për më tepër na ekspozojnë negativisht para partnerëve tanë në NATO?
Jo aspak dhe pse për hir të së vërtetës ju keni renditur një situatë me krimin shumë më të rëndë sesa ajo reale. P.sh. nuk di që në Shqipëri të ekzistojnë celula islamike. Po keshtu dhe shumica e ngjarjeve me përdorim të lëndëve plasëse, ka rezultuar qartë se janë vrasje të kryerja për interes e për të cilat ligji rezervon dënim maksimal.
 
Shqipëria do të marrë statusin në qershor, por është kërkuar një luftë për e ashpër ndaj korrupsionit. Qeveria shqiptare ka ndonjë paketë të re antikorrupsion, që ti japë fund e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë që abuzojnë?
Po, nga ana e Qeverisë është bërë publike paketa antikorrupsion, e cila synon të pasurojë le të themi, kompetencën lëndore të Gjykatës për Krime të rënda, duke shtuar në veprat penale që kjo gjykatë gjykon dhe ato që lidhen me korrupsionin e zyrtarëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve. Qëllimi është i qartë. Ne duam të krijojmë bindjen se korrupsioni pavarësisht gjykimeve që mund të kemi mbi masat aktuale të dënimit, është një krim i rëndë që cënon bazat e bashkëjetesës sonë civile dhe rrënon themelet e një shteti demokratik.
 
Eshtë folur shpesh për modelin “sanader”, madje dhe raporteri i KiE për Shqipërinë tha që duhet aplikuar, teksa nënvizoi se duhet dënuar ministër e deri kryeministër që të përfitohet statusi e hapen negociatat. Mund ta bëjë këtë drejtësia shqiptare?
Patjetër që po,nuk kam asnjë dyshim për këtë përsa kohë kemi vullnet për të vënë para ligjit këdo që ka abuzuar dhe abuzon me ligjin. Dua t’ju përmend së fundi kallëzimet për ish funksionarët e lartë të Policisë së Shtetit sa i takon disa ndërtimeve në jug të vendit, ish Ministrin e Mbrojtjes dhe një sërë zyrtarësh të  tjerë në Tatime e Dogana apo që kanë abuzuar me kreditë e marra nga shteti.


Shkrimi u publikua sot (11.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)