/ATSH-Z.Tosku/- Për herë të parë fëmijët e rritur që vuajnë nga autizimi nuk do të ndihen më të braktisur.
Qendra Rajonale për Autizmin në Farkë u ka mundësuar terapistëve të saj metodën më të fundit, atë të "Mësimit të reagimeve të Kontrolluara" që ndihmon fëmijët e rritur të zhvillojnë me lehtësi aftesitë e fituara nga terapia individuale, në çdo ambient tjetër që ai frekuenton.
Prej disa ditësh terapistët janë duke përfituar metodën bashkëkohore të "Mësimit të reagimeve të Kontrolluara".
Sipas ekspertëve të ardhur nga SHBA për këtë qëllim, metoda ndihmon fëmijët e rritur të zhvillojnë me lehtësi aftësitë e fituara nga terapia individuale në ambientet e klasës dhe të tjera që ai frekuenton.
Tiffany Weng , eksperte nga Qëndra e Kërkimeve dhe Shërbimeve për Fëmijë dhe Adoleshentë, Spitali i fëmijëve Rady në San Diego shpjegon se, "metoda e Mësimit të Reagimeve të Kontrolluara i kushton shumë vëmendje dhe merr avantazh, se fokusohet të motivimi i fëmijës". "Në fillim shihet se çfarë i pëlqen më shumë dhe pasi marrim këto preferenca të tij e mbajmë lart nivelin e motivimit. Në këtë mënyrë, ai do të jetë i gatshëm dhe i predispozuar për të mësuar", thotë ajo.
Avantazhi që ka kjo metodë nga të tjerat është natyraliteti i saj. Pra, mund të zhvillohet në çdo ambient nga mësuesi, prindi apo terapisti", sqaron Tiffany Wang , eksperte nga Qëndra e Kërkimeve dhe Shërbimeve për Fëmijë dhe Adoleshentë, Spitali i fëmijëve Rady në San Diego.
Sipas ekspertëve amerikanë, kërkimet që janë kryer këto 20 vitet e fundit për këtë lloj ndërhyrjeje kanë treguar se ajo është efektive për fëmijët e rritur të prekur nga autizimi.
Nga ana tjetër, Janice Chan, eksperte nga Qëndra e Kërkimeve dhe Shërbimeve për Fëmijë dhe Adoleshentë, Spitali i fëmijëve Rady në San Diego shton se "ajo që po bëjmë në Qendrën e Autizmit në Farkë është zhvendosja e kësaj ndërhyrjeje nga terapia me një fëmijë në klasë, në përdorimin e kësaj metode nëpër klasa". "Unë kam mësuar se Fondacioni Fëmijët Shqiptar është duke u përgatitur për hapjen e një qendre me klasa të ndryshme për fëmijë më të rritur. Ajo ç'ka po sjell ky trajnim është përdorimi i kësaj metode nëpër klasat që do të hapen", thotë ajo.
Kjo ndërhyrje e re që po aplikohet për herë të parë në Shqipëri , u krijon shance fëmijëve mbi 8 vjeç dhe gjatë adoleshencës të përshtasin më shpejt aftësitë. Në këtë mënyrë bëhen një ditë të pavarur në jetën e tyre falë integrimit dhe specializimit nga puna në klasë.