“Femn’Art” sjell historinë frymëzuese të tri grave artiste nga Pogradeci, të cilat, duke u nisur nga një qytet i vogël, arritën të bëhen pjesë e skenës dhe artit kombëtar.
Përmes dëshmive personale, dokumentari evidenton sfidat, pengesat dhe sakrificat që hasin gratë artiste për të ndërtuar një karrierë të suksesshme.
“Me shumë mund, djersë, talent, por edhe përballë një rrugëtimi të gjatë paragjykimesh kanë mundur me artin të bëhen pjesë pronës së artit të madh shqiptar”, tha regjisori Ilir Shyta.
Dokumentari “Femn’Art” sjell rrëfimet e aktores Marjeta Ljarja, këngëtares Roza Dhame dhe aktores Dasara Xhangolli, tre emra që përfaqësojnë tre breza të ndryshëm të skenës shqiptare. Përmes historive të tyre, filmi dokumentar përcjell një mesazh mbi forcën, pasionin dhe kontributin e gruas në art.
“Rrugëtimi në art mbetet i vështirë përballë sfidave të jetës, por përballë sfidave të realitetit maskilist, përballë sfidave të një ambienti që deri diku është paragjykues, arti triumfon”, tha regjisori.
Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec mbyllet mbrëmjen e së shtunës ku pritet të shpallen dhe fituesit.
Komente






