KRUJE - Pas Mallakastrës edhe në Krujë janë evidentuar dëme nga fenomeni i rrëshqitjes së tokës. Situata e vështirë paraqitet në fshatin Derven të komunës Thumanë të Krujës. Toka ka pësuar çarje me një thellësi gati në një metër. Çarja e tokës ka mbërritur fare pranë banesave, çka kërcënon seriozisht jetën e banorëve. Shkak për këtë situatë është bërë prerja e pemëve në këtë zonë dhe reshjet e ditëve të fundit.

Në fshat banojnë 10 shtëpi, të cilat kanë pësuar disa dëmtime, ndërsa banorët ndihen të rrezikuar përballë këtij fenomeni. Të alarmuar nga kjo gjendje, ata bëjnë apel për ndihmë, pasi nuk kanë asnjë mundësi strehimi në rast se shtëpitë e tyre fundosen, ashtu siç ndodhi në fshatin Ngraçije në Mallakastër, i cili pas çarjes së tokës u shkatërrua.

Tre hektar kanë pësuar çarje, duke e kthyer atë në një tokë të pabanueshme. Po ashtu, rrëshqitja e tokës ka dëmtuar edhe shtyllat e linjës elektrike duke i lënë banorët në terr të plotë.

Specialistët kanë verifikuar situatën, të cilët jashtë kamerës e kanë cilësuar gjendjen tepër shqetësuese, por mundësitë financiare janë tepër të kufizuara për të ndërhyrë në këtë zonë të shkatërruar tashmë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)