Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka reaguar në lidhje me protestën e dhunshme të zhvilluar në Tiranë duke dënuar pamjet e shkatërrimit të pronës dhe sulmet ndaj institucioneve e selive diplomatike.
Hoxha thekson se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke fituar besim dhe respekt ndërkombëtar, si dhe duke forcuar imazhin e saj si një vend i qëndrueshëm dhe i sigurt. Ministri nënvizon se protesta paqësore dhe shprehja e pakënaqësisë janë pjesë e demokracisë, por dhuna nuk mund të justifikohet.
Reagimi i plotë:
"Shqipëria ka bërë hapa madhorë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke fituar më shumë besim dhe respekt ndërkombëtar dhe duke ndërtuar imazhin e një vendi të qëndrueshëm, të sigurt, mikpritës dhe gjithnjë e më tërheqës. Pikërisht për këtë arsye, pamjet e dhunës, shkatërrimit të pronës dhe sulmeve ndaj institucioneve apo selive diplomatike janë dëshpëruese dhe të papranueshme.
Ato nuk përfaqësojnë as Shqipërinë e sotme dhe as atdheun që synojmë të ndërtojmë për nesër. Imazhi ynë ndërkombëtar është ndërtuar me shumë mund, ndër vite e dekada, por mund të cenohet lehtësisht. Çdo pamje dhune ndaj institucioneve, pronës publike apo asaj private dobëson mesazhin e stabilitetit, dëmton perceptimin e Shqipërisë si një vend i sigurt për turistët dhe investitorët dhe hedh hije e dyshime mbi aftësinë tonë të përbashkët për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shprehja e pakënaqësisë dhe protesta paqësore janë pjesë e demokracisë; dhuna jo. Askush nuk duhet të dëmtojë një pasuri që na përket të gjithëve: emrin dhe reputacionin e Shqipërisë."-thuhet në reagimin e Hoxhës.
Lajmi kryesor:
Tirana në kaos, krerët e shtetit dënojnë dhunën! Begaj: Ligji kufi për të gjithë! Peleshi: Vandalizmi s’ka lidhje me studentët! Qeveria apel për qetësi









