Mbyllja e të gjithë kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027 mbetet objektivi i Shqipërisë. Mesazhi u përcoll nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë panelit "BE dhe Ballkani Perëndimor: Zgjidhja së bashku e çështjeve të pambyllura", në Forumin e Dubrovnikut, që u mbajt më 26-27 qershor.
Në fjalën e tij, Hoxha paraqiti pesë mesazhet kryesore të Shqipërisë për procesin e integrimit europian dhe zhvillimet në rajon.
Mesazhi i parë ishte se zgjerimi i Bashkimit Europian mbetet nxitësi më i fortë i transformimit demokratik, besimit dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
"Ambicia e Shqipërisë është e qartë dhe udhërrëfyesi ynë është realist: të përfundojmë negociatat duke mbyllur të gjithë kapitujt deri në fund të vitit 2027. Zbatimi i reformave dhe ruajtja e besueshmërisë së procesit të anëtarësimit duhet të ecin krah për krah", deklaroi ai.
Sipas ministrit, bashkëpunimi rajonal duhet të mbetet një prioritet strategjik, pasi vetëm përmes interesave të përbashkëta dhe bashkëpunimit praktik mund të forcohen qëndrueshmëria, mirëqenia dhe perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor.
Një tjetër mesazh i Hoxhës ishte nevoja për forcimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit.
"Duhet të forcojmë më tej marrëdhëniet dypalëshe mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe dialogu konstruktiv janë të domosdoshme për stabilitet afatgjatë dhe integrim të suksesshëm në Bashkimin Europian", tha ai.
Ministri ndaloi edhe te Kosova, duke theksuar se mbështetja për forcimin e institucioneve demokratike të saj është një investim për të ardhmen europiane.
"Mbështetja për Kosovën në forcimin e institucioneve të saj demokratike nuk është vetëm një akt solidariteti me vendin më të ri të Europës, por edhe një investim në të ardhmen tonë të përbashkët europiane. Një Kosovë e qëndrueshme, demokratike dhe e begatë kontribuon në një Europë më të fortë dhe më të sigurt", u shpreh Hoxha.
Në përmbyllje, ai vlerësoi partneritetin transatlantik si një nga shtyllat kryesore të sigurisë europiane.
"Marrëdhëniet transatlantike mbeten një gur themeli i sigurisë europiane. Për Shqipërinë, anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe partneriteti transatlantik janë dy anë të së njëjtës medalje, shtylla që forcojnë paqen, sigurinë dhe të ardhmen tonë", deklaroi ministri.
Në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, i mbajtur më 26-27 qershor, Hoxha zhvilloi edhe një takim me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tone Kajzer. Dy ministrat konfirmuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe diskutuan për zhvillimet në rajon, procesin e zgjerimit të BE-së dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
"Shpreha mirënjohjen time të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme dhe me parime të Sllovenisë për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian", shkroi Hoxha pas takimit.
Komente






