Greqia është paralizuar nga protestat e fermerëve të cilët kanë bllokuar akset rrugore kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE pas një skandali korrupsioni. Protesta preku edhe qarkullimin në aksin Kakavijë-Janinë, i cili ishte i bllokuar për gati 6 orë, nga ora 11:00-17:00.
Autoritetet kufitare në Kakavijë u kanë bërë thirrje udhëtarëve të planifikojnë lëvizjet në orare alternative, për të shmangur problematikat që mund të shkaktohen nga bllokimet e vazhdueshme në territorin grek. Ndër të tjera ata theksojnë se do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
Për 24 orët e fundit, rreth 5300 shtetas kanë kaluar pikën kufitare të Kakavijës. Ndryshe nga një ditë më parë, autoritetet greke kanë bërë njoftimin për bllokimin vetëm dy orë para fillimit, çka ka sjellë shqetësim te udhëtarët, pasi shumë prej tyre nuk kanë pasur dijeni për kufizimet. Vetëm në orët e para të mëngjesit është shënuar një fluks i lartë lëvizjesh, ku pala greke ka punuar me dy sportele!
Protestat e fermerëve grekë pritet të zgjasin deri më 5 dhjetor, ndërsa ata kanë paralizuar segmente të rëndësishme rrugore, porte dhe pika doganore në të gjithë Greqinë. Bllokadat e rrugëve priten të shtohen. Kostas Tzellas, presidenti i Federatës së Bashkuar të Shoqatave Bujqësore të Kardicës, tha se në ditët në vijim do të protestohet në Malgara, Thivë, Livadia, Kostur, Evros dhe Serres.
Fermerët po protestojnë ndaj pagesave të vonuara, mungesës së dëmshpërblimeve, kostove të larta të prodhimit dhe çmimeve të ulëta të produkteve bujqësore. Vonesat në pagesa lidhen me një hetim të gjerë korrupsioni, ku dyshohet se mijëra fermerë kanë manipuluar të dhënat e pronësisë për të përfituar fonde të BE-së, çka ka shkaktuar një mungesë prej rreth 600 milionë eurosh në subvencione.
Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO), e cila heton krimet kundër interesave financiare të BE-së, tha këtë vit se kishte gjetur prova që fermerë grekë, të ndihmuar nga zyrtarë shtetërorë, keqpërdorën fondet e BE-së.
Autoritetet greke kanë nisur hetime të ndara dhe parlamenti po heton agjencinë qeveritare OPEKEPE, e cila shpërndan rreth 2.5 miliardë euro ndihma të BE-së çdo vit për qindra mijëra fermerë.
Qeveria, e cila ka premtuar transparencë, ka pranuar se kësti i parë i subvencioneve të BE-së është më i ulët se vitin e kaluar dhe se mbi 40,000 aplikime të fermerëve janë nën inspektim.
Një ditë më parë demonstratat u shoqëruan me tensione dhe përplasje me policinë, ndërsa në disa momente protestuesit tentuan të shtyjnë mjetet policore dhe nga ana e policisë u përdor gaz lotsjellës.
Komente











