Fermerët e Kosovës të qumështit kanë protestuar pranë Ministrisë së Bujqësisë, disa ditë pasi autoritetet njoftuan mbylljen e fabrikës së qumështit “Vita”.
Fermerët dolën në protestë me mjete bujqësore dhe derdhën qumësht para objektit të Ministrisë.
“Kërkesa jonë urgjente, të fillojë grumbullimi i qumështit qysh nga ky moment. Nuk kemi vende ku ta deponojmë, jemi të detyruar ta derdhim”, deklaroi Fidan Krasniqi, përfaqësues i Shoqatës së Qumështarëve.
Kërkesë tjetër e fermerëve ishte edhe rregullimi i tregut, duke shtuar se po dëmtohet prodhuesi vendor. Fermerët kanë katër ditë që nuk kanë ku e çojnë qumështin pasi një prej kompanive më të mëdha grumbulluese ka ndërprerë punën si revoltë ndaj një inspektimi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.
Më 2 korrik Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës zhvilloi një inspektim në kompaninë për përpunimin e qumështit dhe tha se kishte konstatuar përdorim të qumështit pluhur, vajit të palmës dhe lëndëve të tjera ndihmëse që nuk përputhen me legjislacionin në fuqi.
AUV tha se nuk ka marrë masa të ndërprerjes së veprimtarisë, megjithatë kompania ka ndërprerë mbledhjen e qumështit nga fermerët me arsyetimin se inspektimi nga autoritetet u bë me qëllim të dëmtimit të biznesit.
Komente





