TIRANË - PDIU ka uruar të gjithë bashkëkombasit kudo që ndodhen, Gëzuar Ditën e Flamurit. “Data 28 nëntor është dita e shenjtë e shqiptarëve, që përmbledh aspiratat e pashuara të kombit tonë për liri dhe bashkim kombëtar; është data e ngritjes së flamurit të Skënderbeut në Krujë; është data e ringritjes së flamurit kombëtar dhe Pavarësisë së Atdheut në Vlorë nga plaku i urtë Ismail Qemali; është data e nisjes së epopesë legjendare të UÇK-së në Kosovë.
 
Çdo 28 nëntor, të gjithë shqiptarët nga Shqipëria, Kosova, Çamëria, Maqedonia, Presheva, Mali i Zi dhe Diaspora ndiejmë amanetin e rilindasve tanë për bashkimin e atdheut, në kufijtë që delegatët e ardhur nga Preveza në Mollë të Kuqe, shpallën Shqipërinë të lirë dhe të mosvarme; çdo 28 Nëntor çdo shqiptar ndjen triumfin e lirisë së ardhur në kohën e errët të pushtimit nga heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu; çdo 28 Nëntor çdo shqiptar ndjen amanetin e luftës për bashkim kombëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në mesazhin e PDIU.
 
Sipas kësaj force politike, “këto mesazhe të kësaj date të shenjtë duhet të jenë ylli polar i çdo bashkëkombasi dhe i politikës shqiptare në secilin prej shteteve ku padrejtësisht u nda kombi ynë”.
 
“Sot, në vitin e parë të shekullit të ri të shqiptarëve, ne themi me plot bindje se ka ardhur momenti që asiprata e kahershme për bashkim kombëtar të jetë motivi i punës sonë të përditshme dhe deri sa ky objektiv madhor të arrihet të mos ndalojmë së punuari me frymëzimin e figurave atdhetare të shquara shqiptare. Gëzuar Ditën e Shenjtë të Flamurit; Gëzuar 28 Nëntorin!”, përfundon deklarata e PDIU.
 
Redaksia onlin
(ac/shqiptarja.com)