TIRANË, 20 Qershor /ATSH- I. Vata/-Bashkia e Tiranës, Ambasada e Francës dhe Aleanca Franceze e Tiranës, prezantuan sot axhendën "Festa e Muzikës" që organizohet për herë të parë në Tiranë.
Kompania Capillotractée, e ftuar nga Aleanca Franceze e Tiranës, do të prezantojë spektaklin e saj Engrenage, një paradë muzikore marrëmëndëse, me një DJ dhe katër akrobatë. Nga ana tjetër, banda filarmonike nga Korfuzi  "Philarmonic Band of Sinarades Corfu" do të përshkojë rrugët, për ta përhapur festën e muzikës në të gjithë qytetin.
Shumë skena do të instalohen në lagje të ndryshme të qytetit dhe të hapura për të gjithë muzikantët. Axhenda e aktiviteteve është lançuar sot, në një konferencë të përbashkët shtypi mes nënkryetarit të Bashkisë, ambasadores franceze dhe ambasadorit të Greqisë në Tiranë.
Ambasadorja e Francës në Tiranë, Christine Moro tha" se "jam shumë e lumtur që ndodhem këtu përkrah zv/kryetarit të Bashkisë, dhe ambasadorit të Greqisë në Tiranë, për të folur për "Festën e Muzikës"  që do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri e pikërisht në Tiranë. Festa e muzikës është një iniciativë franceze, që u krijua në Francë, në 21 qershor 1982, me iniciativë të ministrit të atëhershëm të Kulturës, Jack Lang. Që prej asaj kohe Festa e Muzikës është bërë një eveniment ndërkombëtar, festohet në shumë vende të botës, duk eu bërë në këtë mënyrë festa më e madhe e muzikës në botë. Nëse them "më e madhja", kjo sepse në një ditë të vetme në të gjithë botën, në një ditë të vetme, në të gjithë botën, miliona njerëz marrin pjesë në këtë festë ndërkombëtare"
"Ambasada franceze është e lumtur që i bashkohet në këtë edicion të parë qytetit të Tiranës, së bashku me ambasadën greke dhe Aleancën Franceze. Në këtë festë, Franca do të përfaqësohet nga grupi Capillotractée, përfaqësues të së cilës ndodhen sot këtu dhe kanë ardhur në Durrës me traget. Kjo kompani do të organizojë një paradë muzikore me një DJ dhe 4 kërcimtarë, akrobatë. Parada do të nisë nesër mbrëma në orë 18.30, para Katedrales Ortodokse, në qendër të Tiranës. Ajo do të përshkojë rrugët e "Bllokut". I gjithë publiku është i ftuar që jo vetëm të jetë një spektator i thjeshtë por edhe ta ndjekë këtë paradë të grupit francez", tha Ambasadorja Moro.
Nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo u shpreh se "është kënaqësi për Bashkinë e Tiranës që për herë të parë në historinë e saj t'i bashkëngjitet festimeve të një dite shumë të veçantë, siç do të jetë dita e nesërme, Festa e Muzikës, në Tiranë. Çfarë do të thotë kjo për Tiranën? Përveç faktit që ka domethënien e një dite të gëzueshme dhe me shumë aktivitete për të gjithë qytetarët e Tiranës nesër, do të thotë që mbi të gjitha, nën shpirtin e festës, shpirtin e të bërit muzikë, ta përcjellim gjithandej, jo vetëm në rrugët kryesore të Tiranës, por në çdo shesh, në çdo vend ku të gjithë ata që luajnë muzikë, në nivelin profesional apo edhe në nivelin amator do të jenë të ftuar të performojnë, të luajnë pjesët e tyre të dashura në mjedise të hapura, për ta ndarë këtë gëzim, këtë kulturë, për të ndarë muzikën me të gjithë qytetarët e Tiranës".
"Dita e nesërme është një festë që vjen jo vetëm nga Bashkia e Tiranës apo që vjen edhe nga shpirti i festës vetë, që të gjithë ata që e ndiejnë veten se kanë mundësi dhe që do të duan të ndajnë muzikën e tyre me qytetarët e Tiranës janë të mirëpritur ta bëjnë atë kudo që ata mendojnë se është e arsyeshme, tha Bozdo.
Ndërsa, Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas falënderoi Ambasadën Franceze e cila organizon këtë aktivitet, së bashku me Bashkinë, për të gjitha aktivitetet cilësore që ajo organizon. "Dua të falënderoj nënkryetarin e Bashkisë z. Bozdo, për pjesëmarrjen aktive dhe  vënien në dispozicion të ambienteve nga Bashkia e Tiranës e gjithashtu Aleancën Franceze në Tiranë. Ambasada greke merr pjesë tërësisht në këtë eveniment që është Festa e Muzikës, e cila organizohet për herë të parë në Tiranë", u shpreh ai.
"Siç e dini, fjala muzikë e ka origjinën  e saj  nga "muzë", Perëndia e Muzikës dhe artit. Greqia merr pjesë në këtë iniciativë me një orkestër e cila vjen nga një ishulli i Korfuzit. Kjo orkestër është mjaft e njohur, është e përbërë nga 100 artistë, me sa di unë, këtu do të vijnë 62 prej tyre, direkt nga Korfuzi", tha ambasadori Rokanas./a.g/