Festa e Pavarësisë, të gjitha
zbukurimet e kryeqytetit, të reja

Festa e Pavarësisë, të gjitha <br />zbukurimet e kryeqytetit, të reja
TIRANE-Ndërmarrja e dekorit të bashkisë së Tiranës ka nisur punë që në fillim të kësaj jave, për të zbukuruar kryeqytetin për festat e Pavarësisë dhe të Çlirimit. Dhe rezultati është se që prej të mërkurës Tirana është veshur me stemën e Bashkisë dhe me ngjyrat e flamurit në shirita kuq e zi.

Ajo që të bie në sy janë me mijëra stema të bashkisë së Tiranës, por edhe Republikës së Shqipërisë, të cilat janë vendosur përgjatë gjithë sheshit "Skënderbej". Ata duket se të shoqërojnë kudo që hedh sytë përgjatë gjithë kësaj hapsire dhe vazhdojnë edhe në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", e deri tek korpusi i universitetit.

Eksperët që ka angazhuar bashkia e Tiranës për dekorimin e qytetit, kanë menduar që t'i japin një rëndësi më të madhe pjesës kryesore të sheshit "Skënderbej" dhe pikërisht ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB). Në njërin cep të kësaj ndërtese, shpaloset një flamur gjigand, mbi fushën e të cilit duket qartë deklarata e pavarësisë, ndërsa në cepin tjetër të godinës, në të gjithë lartësinë e saj, është shpalosur një flamur me shqiponjën dykrenare. Sigurisht që nuk mungojnë as shiritat kuq e zi, të vendosur në të gjitha kolonat e kësaj ndërtese, që kanë në krye herë stemë e Bashkisë e herë stemën e Republikës, ndërsa një flamur tjetër i madh, i vendosur në një shtyllë rreth 32 metra të lartë valëvitet përpara kësaj ndërtese.

BLLOKU I MINISTRIVE
Një vëmendje të madhe në dekorimin e Tiranës për festën e Pavarësisë dhe të Çlirimit i është kushtuar edhe bllokut të ministrive. Flamuj të mëdhenj, varen në të gjithë gjatësinë e ndërtesave karakteristike të bllokut të ministrive, të cilat duken se janë të vetmit elementë të zbukurimit të përdorur këtë vit në dekorin e Tiranës, që janë përdorur edhe vitet e mëparshme. Pra janë flamujt e lënë trashëgim nga dekori i ish-kryebaskiakut, Edi Rama.

DESHMORET E KOMBIT
I gjithë bulevardi, duke filluar që nga Galeria e Arteve e deri tek Pallati i Kongreseve, është veshur me të kuqe. Shirita të mëdhenj, kuq e zi, përshkojnë të dy anët e bulevardit dhe sipër tyre, edhe këtu është vendosur ose stema e Bashkisë ose ajo e Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë që flamuj të vegjël, janë vendosur në shtyllat e ndriçimit përgjatë gjithë këtij bulevardi. Zbukurimet me flamuj të mëdhenj janë shtrirë deri tek Korpusi i Universiteti Politeknik të Tiranës, duke bërë kështu që i gjithë bulevardi të jetë i mbushur me dy ngjyrat e flamurit, kuq e zi.
Bashkia e Tiranës ka vendosur që të përcjellë një atmosferë festive edhe në një nga hyrjet kryesore të Tiranës, siç është Zogu i Zi, ku ka vendosur një shqiponjë gjigande me përmasat 6.5 me 5 metra.

NDERMARRJA E DEKORIT
Në fakt gjatë ditës së djeshme ata e kanë mbyllur punën, pasi gjatë gjithë fillimit të kësaj jave me dhjetëra punëtorë të kësaj ndërmarrje, janë angazhuar në terren për t'i vendosur këto zbukurime Tiranës. Në asnjë prej zyrave të kësaj njësie, asaj që ndodhet në rrugën pedonale dhe atë që ndodhet midis rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit nuk kishte punëtorë.
Të kontaktuar në telefon, ata na thonë se janë në terren për të marrë masat mos është dëmtuar ndonjë gjë, apo ka rënë ndonjëri prej zbukurimeve të vendosura. "Ne merremi vetëm me vendosjen e tyre dhe për gjithçka tjetër kujdeset grupi i punës që është ngritur në bashki", - na thonë ata.
Stafi i ri i Bashkisë së Tiranës, ka vendosur të bëjë gjithçka nga e para, pai sipas tyre, ajo që kishin në dispozicion, nga dekorimet e mëparshme, ishte shumë e vakët dhe e dëmtuar nga përdorimet e shumta.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?