Porti i Durrësit, si një nga pikat kufitare me fluksin më të lartë të udhëtarëve në rrugë detare në vend, ka nisur aplikimin e masave të dedikuara për festat e fundvitit.

Autoriteti Portual Durrës bëri sot me dije se duke filluar nga nesër (18 dhjetor) do të nisin lundrime të dyfishuara (dopio corse) drejt porteve italiane.

Njoftimi i plotë

Festat e fundvitit, nisin lundrimet e dyfishta(dopio corse)  të trageteve nga Porti i Durrësit drejt porteve italiane.

Në prag të festave të fundvitit, Porti i Durrësit ka intensifikuar operacionet detare, duke dyfishuar lundrimet e trageteve (vajtje–ardhje brenda ditës) në linjat që lidhin Durrësin me portet fqinje të Italisë.

Duke nisur nga 18 dhjetori, ky regjim i shtuar lundrimesh synon përballimin e fluksit sezonal dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimit detar, në kushte sigurie dhe eficience operative.

Në Terminalin e Trageteve, të gjitha strukturat portuale dhe instancat operuese janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e intensitetit të shtuar të lëvizjeve, ndërsa masat shtesë të sigurisë dhe koordinimit operacional po zbatohen me rigorozitet.

Operacionet po zhvillohen normalisht, me fokus në respektimin e orareve të lundrimit, përpunimin në kohë të mjeteve dhe pasagjerëve, si dhe shmangien e vonesave gjatë kësaj periudhe festive.

Porti i Durrësit vijon të sigurojë funksionim të pandërprerë të linjave detare dhe shërbim të qëndrueshëm për operatorët dhe përdoruesit e portit.