TIRANË- Rreth 1 milionë shqiptarë pritet të përfitojnë nga paketa që Qeveria po përgatit për të ndikuar në lehtësimin e ndikimeve të inflacionit. Lajmin e ka dhënë sot Kryeministri Rama i cili ka bërë me dije të gjitha kategoritë përfituese, duke filluar nga pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit.

“Qeveria po mbyll Pakon e Madhe në mbështetje të 1 milionë individëve, për të lehtësuar ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit - duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje”, tha Rama.

Ai u shpreh se pakoja parashikohet të jetë rreth 8 miliardë lekë. 

“Pakoja e Madhe, e cila parashihet mbi 8 miliardë lekë në dorë për të gjithë individët e përfshirë, do të mbyllet brenda ditës së sotme dhe do të shpërndahet e gjitha në ditët e para të janarit. Kjo është qeveria e shumicës, jo e disave dhe faktet e shifrat thonë se volumi i mbështetjes financiare të atyre që fitojnë më pak apo të shtresave në nevojë, në vitet e qeverisjes sonë (pa llogaritur fondet masive të Rindërtimit pas tërmetit apo të Luftës me pandeminë) është disafish më i lartë se sa në tërë qeveritë e mëparshme të marra së bashku”, shkruan Kryeministri.

Si pasojë e luftës në Ukrainë, pati një ndikim të madh te shumë shtete, mes tyre edhe Shqipëria, ku pati një rritje çmimesh, megjithatë inflacioni në vendin tonë ka mbetur në nivele më të ulëta krahasuar me shtetet e tjera të rajonit.