Atmosfera e festave të fundvitit ka filluar të ndihet kudo. Më prezente e bëjnë zbukurimet. Në sheshin Skënderbe pema është vendosur. Edhe fshati festiv është gati.

Të shumta janë edhe ato familje që pemën e krishtlindjeve e kanë vendosur në banesa, ndonëse tradita e do me datën 6 dhjetor. Dekori i festave në familje sipas çmimeve që po aplikohen këtë vit, mesatarisht arrin deri në 50 mijë lekë të reja.

Të përfshirë në atmosferën e bukur që sjellin festat, ka edhe nga ata që nuk  kursehen aspak për dekorimet. Kostoja thonë se këtë vit shkon deri në 50 mijë lekë të reja.

“Pema ka kushtuar tek 200 euro. Dekoret 200 plus. Shkon tek 500 mijë lekë. Çmimet janë të shtrenjta për një familje normale”, tha një qytetare.

“Pemën e kisha. Tek 75 mijë lekë të vjetra pema. Dekoret tek 35 mijë lekë. Për ne pensionistët është pak shtrenjta. Marramendëse çmimet. Futesh në dyqane aty ku kemi shkuar, një pemë është 200 e ca mijë lekë. Njerëzit nuk kanë bukë të hanë”, tha një tjetër qytetare.

“Shumë kohë më han dekorimi. I kemi blerë të gjitha sivjet duke qenë se kemi dhe një bebe. Mendoj se i ka blerë më të shtrenjta se vitet e tjera”, tregoi një tjetër.

“E fillojmë me pemën, zbukurimin e shtëpisë, tavolinën e krishtlindjes. Do filloj ta bëj, i kam nxjerrë të gjitha gjërat. I kam pasur të gjitha. Janë grumbulluar ndër vite”, tha një tjetër.

Përveç topave shumëngjyrësh apo dritave, pjesë të zbukurimeve, qytetarët përfshijnë edhe lulet apo aksesorë të tjerë. Por cilat janë tendencat e këtij viti për dekorimet e krishtlindjeve dhe vitit të ri?

“Tendencat e vitit 2024 kanë qenë royal-blue dhe e gjelbërta emerald, por nuk mbeten pas as ngjyrat tradicionale që është kombinimi i të kuqesh me gold. Pëlqehet jashtëzakonisht shumë”, tha një shitëse.

Edhe nga një vëzhgim i Report Tv, një bredh artificial fundviti, pa dekorime dhe me një gjatësi 240 cm shkon deri në 29 mijë lekë të reja.