Partizani ka qenë i pafat dhe është eliminuar nga Conference League. Kampionët e Shqipërisë barazuan 1-1 në “Elbasan Arena” me Astanën, në ndeshjen e kthimit për fazën play-off. Tanët humbën 1-0 në ndeshjen e parë, me kazakët që kanë marrë biletën për në fazën e grupeve. Megjithë pjesën e parë shumë të mirë, Partizani nuk ka mundur të shkruajë historinë dhe të shkojë në fazën e grupeve.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e '25 nga Bintsouka, me afrikanin që kaloi në avantazh Partizanin. Pjesa e parë u mbyll me këto shifra, teksa “Demat” kishin edhe 2-3 mundësi të tjera.

Fraksioni i dytë nisi me golin e Astanës, falë edhe mungesës së vëmendjes nga të kuqtë. Tomasov në të '46 vendosi ekuilibrat për 1-1, me Partizanin qe paçka rasteve nuk mundi të shënonte një gol që do e dërgonte ndeshjen në shtesë.

Kështu Partizani i thotë lamtumirë Kompeticionit Evropian, duke qenë pranë historisë.