Festivali i Filmit rikthehet në nënto

Festivali i Filmit rikthehet në nënto
TIRANE- Festivali i Filmit Shqiptar, pas gjashtë vitesh mungese do të rikthehet në fillim të nëntorit si një festë e kinematografisë shqiptare.

Ky do të jetë edicioni i 13-të që pritet të ngrejë siparin në 3 nëntor, ndërkohë që programi tashmë është gati me 15 filmat e realizuar në periudhën 2007-2012. Në një prononcim për ATSH-në, drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Artan Minarolli u shpreh se do të jenë 5 ditë shfaqje filmash të gjatë, të shkurtër, dokumentarë dhe të animuar, ndërkohë që do të ketë edhe dy juri përzgjedhëse për çmimet.

“Këta 15 filma që do shfaqen, do të na tregojnë një kinema dhe një Shqipëri tjetër. Kushdo që do të njohë Shqipërinë, fare mirë mund t’u referohet filmave që janë bërë gjatë një 5-vjeçari, pasi ata kanë edhe reflektimin e mentalitetit dhe filozofisë, në të cilën regjisori e ka parë atë”, tha Minarolli.

Sipas tij, Festivali i Filmit Shqiptar do të konceptohet si një festë, si një pikë takimi për gjithë artistët ku do të jenë të ftuar sa më shumë njerëz, megjithëse buxheti i filmit është më i vogël se ai në 2006-n, kur ka qenë Festivali i fundit i Filmit. “Pavarësisht kësaj, besoj se do të arrijmë të bëjmë diçka të mirë jashtë patetizmave dhe madhështive të kota. Do bëjmë diçka të bukur dhe të thjeshtë, që të ketë impakt te publiku “, tha Minarolli.

Juria e festivalit do të ndajë në fund të tij edhe çmimet. Një juri do të vlerësojë filmat e gjatë artistikë dhe tjetra, e përbërë nga tre anëtarë, do të japë çmimet për filmat me metrazh të shkurtër, dokumentarë dhe të animuar. Minarolli bën me dije se, veç filmave do të ketë edhe aktivitete të tjera si workshope, masterklase me njerëz, autorë të rëndësishëm, që t’i shërbejnë komunitetit të kineastëve. “Do të krijohet një ambient në funksion të festivalit, i cili do të zhvillohet në Kinema Millenium edhe në gjithë Pedonalen, Galerinë Kombëtare të Arteve, Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Kombëtar të Komedisë”, tha Minarolli.
Të gjithë filmat që do të garojnë në këtë edicion janë të financuar nga QKK-ja, përveç dy filmave kosovarë. Filmat artistikë pjesëmarrës janë: “Ne dhe Lenini”, regjia Saimir Kumbaro, “Maya”, regjia Pluton Vasi, “Muajt e Mjaltit”, regjia Goran Paskaljeviç, “Sekretet”, regjia Spartak Pecani, “Ballkan Bazar”, regjia Edmond Budina, “Lindje-Perëndim-Lindje”, regjia Gjergj Xhuvani, “Koha e Kometës”, regjia Fatmir Koçi, “Gjallë”, regjia Artan Minarolli, “Shqiptari”, regjia Johannes Naber, “Gomerët e kufirit”, regjia Jeton Ahmetaj, “Amnistia”, regjia Bujar Alimani, “Out of touch”, regjia Andi Deliana, “Përtej rrugës”, regjia Yll Çitaku, “Mao-Ce Dun”, regjia Besnik Bisha dhe “Pharmakon”, regjia Joni Shanaj.

Ndërkohë filmi “Falja e gjakut” me regji të Joshua Marston nuk do të marrë pjesë në festival, pasi sipas Minarollit, është rënë dakord që ky film të mos garojë për shkak se ai ka marrë pjesë në Berlinale, në një festival të një rangu shumë më të lartë se festivali ynë, ku ka marrë edhe çmim dhe kjo gjë e prish garën.

Edicioni i fundit i Festivalit të Filmit Shqiptar u organizua në datat 2-9 tetor 2006, ku filmi më i mirë artistik u shpall “Kukumi” i regjisorit kosovar Isa Qosja. Festivali ka filluar në vitin 1976, ndërkohë që çmimin e parë e kanë fituar ndër vite filmat si “Lulëkuqe mbi mure”, “Gjeneral Gramafoni” , “Dora e ngrohtë”, “Zemra e nënës” etj.
(sg/atsh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë