Festivali i filmit Cannes 2013 që hyri në histori pas 2 grabitjeve të bizhuterive me vlerë disa milionë dollarësh dhe të shtënave me armë zjarri sonte do të zgjedhë filmin më të mirë.

Për 12 ditë me rradhë sytë e botës u kthyen në Kanë, një perlë e rivierës franceze, ku producentë, regjisorë, publicistë dhe yje kinemaje u mblidhen për të promovuar filmat premierë. 

Juria ndërkombëtare e kryesuar nga regjisori i njohur Steven Spielberg do të nderojë me çmimin prestigjoz ‘Palma e Artë’ filmin më të mirë në mbrëmjen e sotme në “Palais des Festivals” ku do të garojnë 20 filma nga dhjetë shtete.

Këtë vit në festival e 66-të të Kanës morën pjesë në garë filma nga regjisorë të famshëm si Roman Polanski, vëllezërit Kohen, dhe Steven Soderbergh.

Gjithashtu Festivali i Kanës është cilësuar gjithmonë si një nga ngjarjet më joshëse të kalendarit showbiz. Pikërisht aty, yje të kinematografisë nga e gjithë bota shfaqen me gjithë elegancën dhe bukurinë e tyre duke buzëqeshur para kamerave dhe aparateve fotografikë të veshur nga stilistët më të mirë të planetit. 

Tapeti i kuq në “Cannes”, është pa dyshim pasarela e pranverës më prestigjioze në botë.

(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)