/ ATSH - Përgjatë dy ditëve të fundit, i ndarë në dy etapa, është zhvilluar në Tiranë, në ambientet e sallës së koncerteve të Liceut Artistik "Jordan Misja" dhe në sallën e koncerteve të  Ministrisë së Kulturës, aktiviteti i titulluar "Festivali Mbarkombëtar i Zërave Lirike "JorgjiaTruja".
"Organizimi i Festivalit në emër të artistes së shquar Jorgjia Truja, bën pjesë në  projektet e shkollës sonë në vigjilje të  70 vjetorit tonë,  dhe i dedikohet kujtimit të brezave të pedagogëve që kanë kontribuar , si dhe kuadrove që kanë hedhur hapat e para artistike në këtë shkollë" u shpreh Zv/drejtoresha,  njëherësh Drejtore artistike e këtij festivali, Klodi Zheji.
"Prej më shumë se 68 vitesh" vijoi Zv.Drejtoresha Zheji, " kjo shkollë e parë artistike ka ushqyer me kuadro të gjitha institucionet tona artistike, midis të cilëve dhe studentë dhe artistë që debutojnë me dinjitet në të gjitha skenat e botës siç janë  Hamide Stringa, Zihni Berati, Ramiz Kovaçi, Gaqo Çako, Luiza Papa, Irena Gjerko, Hermelinda Paparisto, si dhe Inva Mula, Enkelejda Shkoza,  Hermonela Jaho Saimir Pirgu, Kreshnik Zhabiaku e shumë të tjerë".
Juria e Festivalit të Zërave Lirike "Jorgjia Truja"
Me iniciativën e degës së kantos pranë Liceut Artistik "Jordan Misja" dhe me mbështetjen e Universitetit të Arteve dhe EPTA Albania, festivali i organizuar me qëllimin dhe moton e "mbështetjes së  talenteve te rinj si një domosdoshmëri për formimin artistik të kuadrove të së ardhmes nëpërmjet kontaktit me skenën dhe publikun", rreth 22 të rinj të talentuar u ballafaquan midis shkollave të muzikës, me anën e  një programi të përcaktuar me kritere profesionale sipas grupmoshave të ndara në kategori.
Etapa e parë  e festivalit e zhvilluar  në sallën e koncerteve të  Liceut, u gjykua nga juria e festivalit, juri kjo e përbërë nga  figura të  shquara te artit tonë si  sopranoja  Mariana Leka, trompisti dhe kompozitori Isak Shehu,  kryesuar nga tenori Josif Gjipali, i cili në  ndihmë të këtij proçesi, mes pjesëmarrësve dhe pedagogëve,  organizoi edhe workshope , të cilat shoqëruan çdo kategori pjesëmarrësish, dhe që ishin të përqëndruar me shembuj konkret në kujdesin që duhet treguar për të aplikuar avantazhet  e frymëmarjes ,që në hapat e para të edukimit të këngëtarëve të së ardhmes.
Luna Kokdhima
Nga kandidatët pjesamarrës që u dëgjuan nga juria, vetëm 7 prej tyre e kaluan etapën e parë duke u vlerësuar nga juria edhe me çmime.
Në etapën e dytë, zhvilluar në sallën e koncerteve të Ministrisë së Kulturës, midis emrave të  finalistëve  si Adeljon Kola, Redon Sinela,  Ardit Bufi,  Luna Kokëdhima, Esi Murati, spikatën Luna Kokëdhima e Liceut "Jordan Misja", fituese e çmimit të parë për kategorine A, dhe Redon Sinela fituesi i çmimit të dytë për kategorinë B, Shkolla "Janku kuzeli Durrës".
Kryetari i jurisë , artisti i karrierës ndërkombëtare , njëherësh pedagog në Universitetin e  Arteve, tenori Josif Gjipali, u shpërndau çmime dhe diploma të gjithë nxënësve pjesmarrës.
Publiku dhe petagogët në sallën e koncerteve të Liceut Artistik Jordan Misja
Solistet e TKOB-së,  sopranoja Emiljana Pallushaj, baritoni Armando Likaj, si edhe Korit i Liceut Artistik "Jorgjia Truja" nën drejtimin e dirigjentes Mira Alliu,  përshëndetën edhe festivalin e talenteve të rinj.
Sakaq të gjithë të rinjtë e nominuar me çmime do të kenë dhe mundësinë dhe kënaqësinë  të debutojnë edhe në koncertin me Orkestrën e Liceut Artistik "Jordan Misja" nën drejtimin e dirigjentit Artan Liçaj, koncert ky i cili do të zhvillohet  në 20 prill  ora 19:00 në Universitetin e Arteve.