Shëtitorja kryesore e Sarandës u kthye mbrëmjen e së premtes në një skenë të madhe të kulturës dhe traditave ndërkombëtare, duke mirëpritur Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës dhe Valleve “Saranda 2026”. Qytetarë dhe turistë ndoqën nga afër performancat e grupeve folklorike nga Polonia, Rumania, Mali i Zi, Letonia dhe Saranda, të cilat sollën në qytetin bregdetar vallet, këngët dhe kostumet karakteristike të vendeve të tyre.
Atmosfera festive mbizotëroi përgjatë gjithë mbrëmjes, ndërsa artistët përcollën përmes interpretimeve të tyre traditat dhe identitetin kulturor të popujve që përfaqësonin.
Një nga grupet pjesëmarrëse ishte Ansambli i Valleve Popullore i Universitetit “Maria Curie-Skłodowska” në Lublin të Polonisë. Ata mbetën të impresionuar nga mikpritja dhe bukuritë e Shqipërisë.
“U ndiem shumë rehat në këtë festival dhe në Shqipëri për shkak të motit dhe atmosferës së duhur. Kemi ardhur këtu për herë të parë. Udhëtimi ishte i gjatë dhe i lodhshëm, por ia vlejti. Jemi shumë të kënaqur që jemi këtu. Ju keni gjithçka, detin, plazhet, diellin, malet dhe pamjet janë mahnitëse”, tha përfaqësuesja e grupit nga Polonia.
Në festival mori pjesë edhe grupi folklorik nga Cetinja e Malit të Zi, të cilit vlerësuan organizimin dhe pritjen në Sarandë.
“Kemi ardhur për herë të parë dhe Saranda është e këndshme, ashtu siç e prisnim. Kemi kaluar dy ditë këtu dhe sot është nata e performancës. Shpresojmë që publikut t’i pëlqejë performanca jonë. Do të prezantojmë valle nga Mali i Zi, por edhe disa kompozime nga ish-Jugosllavia”, tha përfaqësuesja e grupit nga Mali i Zi.
Sipas organizatorëve, festivale të tilla janë një mundësi e rëndësishme për promovimin e kulturës dhe shkëmbimin artistik mes vendeve të ndryshme.
“Rëndësia e këtij aktiviteti është se përveçse si destinacion turistik, Saranda prezantohet edhe si një destinacion kulturor. Bashkëpunimi kulturor dhe artistik ndërmjet trevave të ndryshme është shumë i rëndësishëm dhe Saranda është një vend ideal për organizimin e eventeve të tilla”, tha drejtori i qendrës Kulturore Sarandë, Ismail Murtaj.
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës dhe Valleve “Saranda 2026” solli për disa orë në zemër të qytetit një mozaik kulturash, duke konfirmuar edhe një herë rolin e Sarandës si një qendër mikpritëse e aktiviteteve kulturore ndërkombëtare dhe një pikë takimi për artistë nga vende të ndryshme të botës.
Komente










