Kryeministri Berisha, mes ovacionesh, i ka uruar arsimtarët shqiptarë sot nga Pallati i Kongreseve, në një aktivitet me ritme të fushatës. Ai tha se “sot kremtojmë një ditë që është një festë gëzimi për zemrat tona dhe të fëmijëve tanë, dita e mësuesit, i cili është në krye të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare, të fëmijëve tanë, të shqiptarëve në tërësi për ndryshim dhe ndryshim gjithnjë e më të madh”.
Duke theksuar moton e fushatës së Partisë Demokratike për ndryshim, Berisha tha se “historia e zhvillimit ka faktuar se fuqia e një shoqërie përcaktohet nga aftësia e saj për të ndryshuar. Nëse i hedhim një vështrim, rrugës që bëmë në 20 vjet liri, do të gjejmë që jemi një nga kombet që kemi ndryshuar më shumë në 20 vjet në tërë historinë e Europës e më gjerë”.
Ndryshimi, sipas Kryeministrit, është shifra dhe fakte: “Nga vendi më i varfër me 204 dollarë për frymë në vit”, - krahasoi ai, -“arritëm në 9 mijë dollarë të ardhura mesatare mesatare për frymë në vit. I rritëm rrogat e mësuesve, jo dyfish, por deri në 140%. dhe kemi ndërtuar 1302 shkolla”. Berisha, arsimtarëve: T'i votojmë 3 ligjet
Ndërsa, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zgjodhi shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi’' të Tiranës për t'i uruar 7 Marsin, mësuesve të të gjithë Shqipërisë, jo vetëm si Kryetare e Kuvendit, por edhe si nënë, si prind.
“Si Kryetare e Kuvendit, ndihem mirë që gjatë këtyre viteve kemi rritur ëdo vit rrogat e arsimtarëve. Jam e kënaqur",- tha ajo, -"që jo vetëm në shkollën tuaj, por edhe në shkollën më të fundit të Shqipërisë të ketë kompjuter, të ketë internet. Jam shumë e lumtur që ju jetoni në moshën dixhitale. Mjafton që të keni një "Iphon" dhe në fakt, keni gjithë botën".
Po sot, kreu i shtetit, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u ngjit në podiumin e një universiteti privat për të t’u uruar festën, arsimtarëve. Për shkak të numrit të madh të institucioneve private arsimore në Shqipëri dhe nxënësve në to dhe natyrisht, meritës së Qeverisë për ta liberalizuar, kjo fushë do të ishte e pamundur të lihej jashtë vëmendjes së shtetit në këtë ditë.
Presidenti Nishani, pasi uroi mësuesit për festën e 7 Marsit, madje edhe prindërit e tij, të cilët kishin qenë arsimtarë, tha: “Vlerësoj vështirësitë që kanë kaluar arsimtarët në këto dekada. Ne kemi një kulturë kombëtare krejt të barabartë me kombet e tjera dhe unë si President, garantoj mbështetjen maksimale për ta”.
Brenda së njëjtës ditë, disa arsimtarë kanë realizuar një takim simbolik në kuadër të festës së 7 Marsit me kryetarin e opozitës, Edi Ramën, por në të cilin shfaqën atë faqe të mbuluar të arsimit në Shqipëri, ku analfabetizimi po shtohet frikshëm dhe mësuesit e aftë, dëbohen nga puna prej militantëve.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke dëgjuar pasiguritë e arsimtarëve të pranishëm, vuri në dukje programin e partisë që ai drejton - krejt i ndryshëm nga ai që aktualisht po zbatohet nga qeveria.
"Në rekrutimin e mësuesve”, - tha Rama, -“duhet të përfshihen edhe prindërit, pasi nuk mundet që partia në pushtet t’ia imponojë ata, shkollës. Ne do të garantojmë një sistem, ku ndërmjet prindërve e shkollës të vendoset një komunikim konstant dhe ëdo prind të marrë një informacion me shkrim për fëmijën; do të afrojmë shkollën me komunitetin, jo vetëm si vendi ku shkohet për të marrë mësim, por edhe ku organizohen aktivitete”.
“Taksa e sheshtë ka qenë një goditje, që i ka marrë frymën gjithë shtresës së mesme”, - theksoi kryesocialisti në fund të takimit,ë - “shtresë ku hyjnë edhe mësuesit, ndaj ne duhet të ulim taksat patjetër, që nga ky program, mësuesit të fitojnë më shumë. Kjo është një hap më tej drejt një frymëmarrjeje më të lehtë”. Rama takon mësuesit: Do t'ju kthejmë autoritetin
(Foto: Rama në takim me arsimtarët)
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)