Zoti Fevziu, deri tani, me kopje të djegura dhe kopje të padjegura, sa libra të Enver Hoxhës janë shitur?
Blendi Fevziu: Raporti i fundit që kam unë dhe që i takon mesit të shkurtit ishte një shifër prej 44200 kopjesh. Me ritmin e afro 80–100 kopjesh në ditë që shtëpia botuese më njoftoi se vijon shitja, besoj se libri deri në fund të Marsit kalon 50 mijë kopje të shitura. Eshtë jashtë çdo parashikimi timit ose të shtëpisë botuese. Kur botuesi Çili më sqaroi se do ta botonte librin në 5 mijë kopje unë e quajta një trill. Besoja se nuk do t’i kalonte 3 mijë kopjet. Edhe pse, gjithë ata që e kishin lexuar para botimit, rreth 40 vetë që unë i vlerësoj shumë kishin bërë komente shumë pozitive.
Patjetër që është një punë e madhe e juaja si gazetar, por cili është përfitimi monetar nga gjithë kjo sipërmarrje?
Blendi Fevziu: Autori nuk e di kurrë suksesin e një libri edhe pse disi intuita të bën të kuptosh se kush është libër që do ketë sukses dhe kush jo. Në rastin konkret unë kam bërë një kontratë paraprake, përpara botimit. I kam shitur UET Press të drejtën e botimit të librit për 3 vjet, kundrejt një honorari normal. Nuk kam fitim mbi kopjet e shitura. Por duhet të dini një gjë. Honoraret e librave janë gjithnjë modeste dhe në raport me pagesën time si gazetar, kjo e librit është vetëm diçka simbolike. Shitja e më shumë kopjeve eshtë kënaqësia ime si autor dhe jo përfitim ekonomik. Po të kisha bërë një kotratë mbi bazën e shitjeve, me siguri do kish qenë edhe një përfitim financiar. Por botuesi më ofroi një honorar që për tirazhin prej 2–3 mijë kopjesh që unë mendoja në fillim ishte mëse i kënaqshëm. Ai rrezikoi disi dhe fitoi. Në fund të fundit ky është tregu.
Zonja Hoxha në intervistën e saj, duke iu referuar "kundërshtarëve" të librit tuaj thotë se "është përdorur teza që Enveri nuk ishte i organizuar, por grupi i Korçës dhe kryetari i tyre e mori nga rruga se ishte mysliman...kjo është një tezë shumë banale" thotë Nexhmija, duke iu referuar librit në fakt, ku ju shkruani se nga themeluesit e Partisë Komuniste, Enveri ishte krejt i parëndësishëm. Ju në rolin e gazetarit që bëtë bibliografinë, si e nxorrët këtë konstatim?
Blendi Fevziu: Unë s’kam thënë këtë. Po kam përshtypjen që zonja Hoxha është pak konfuze. Në fillim tha që nuk e ka lexuar librin, pastaj e citon atë apo thotë që është libër i keq për Hoxhën. Në fillim tha që unë nuk kisha shans të shihja ditaret e Hoxhës, pastaj tha se unë nuk kam të drejtë të nxjerr sekrete familjare për Hoxhën. Po nejse. Që të jemi të qartë. Unë s’kam bërë një libër për Enver Hoxhën, por për drejtuesin e Shqipërisë për më shumë se 41 vjet. Pavarësisht se si quhet ai. Dmth s’kam bërë një libër për burrin e Nexhmijes, por për diktatorin e Shqipërisë në vitet 1944 – 1985. Citimi që kam bërë unë për mbledhjen e themeluese të Partisë Komunisteështë marrë nga njeriu që realisht vendoste se kush do merrte pjesë në atë mbledhje, që është Kryetari i grupit të Korçës, Koço Tashko. Unë s’mund të ndryshoj fjalët e Tashkos dhe mbi të gjitha e kam cituar Tashkon, siç kam cituar edhe Enver Hoxhën për këtë mbledhje.
Nga ana tjetër, unë e kam thënë në libër që kjo s’ka asnjë rëndësi. Ky është detaj pas të cilit shumë veta rendën në vitet ’90 për të denigruar Hoxhën. Dhe është argument tipik i mendjeve mediokre. E ftuan se ishte mysliman, komunist, i shkolluar apo i bukur, këto s’kanë asnjë rëndësi. Enver Hoxha e drejtoi këtë parti për 42 vjet që nga viti 1943 deri në vdekje të tij në 1985. Rëndësi ka aksioni i tij politik dhe jo mënyra se si erdhi. Ka shumë njerëz që kanë hyrë rastësisht në një aksion, por ajo që mbetet është bilanci i tyre me historinë.
Ju keni të vërtetën tuaj për historinë e Enverit në Belgjikë, shkon deri edhe në disa akuza. Nexhmija na rrëfeu dje (pardje) se Enverin e mori sekretar konsulli i nderit belg, i cili nuk caktohej nga Mbreti Zog...dhe po në këtë frymë, ju thoni se sipas dëshmive dhe dokumenteve, bursa e Enverit u pre sepse nuk donte t’ia dinte për shkollën, me pak fjalë, ndërsa nexhmija thotë se nuk i pëlqente botanika, por historia...
Blendi Fevziu: Prapë është gabim. Unë nuk them që e ka emëruar Mbreti Zog sepse s’ka pasur lidhje me këtë. Unë them që Ministri i Jashtëm i Shqipërisë në atë kohë, mecenat i familjes Hoxha, ka ndërhyrë që konsulli i Nderit i Shqipërisë në Belgjikë, ta marrë atë si sekretar. Këtë indirekt e pohon edhe Hoxha vetë. Nuk ka asnjë fakt që Hoxha ta ketë njohur Zogun apo të ketë bashkëpunuar me të. Ai është paguar nga administrata e Mbretit Zog thjeshtë si mësues. Dhe për emërimin, kam cituar vajzën e Ali këlcyrës që e ka njohur në atë kohë.
Sa për shkollën, unë kam thënë që ai në 3 vjet nuk ka dha dot provimet. Pra që ngeli në klasë dhe për këtë shkak shteti i preu bursën. Unë s’e di nëse ai ngeli sepse s’i pëlqente dega ku studionte; sepse ishte i paaftë për atë degë, apo sepse ra pas jetës atje dhe neglizhoi shkollën. Unë s’i di këto, por edhe po t’i dija këto janë çikërrima. Fakti është që pas 3 vitesh ai nuk dha provimet dhe për këtë ju ndërpre bursa. Këtë e pranon edhe Hoxha vetë.
Nga dokumentet që ju keni parë, pse nuk dinte asgjë Enver Hoxha për demonstratat në kosovë në 81? Nexhmija ka hedhur akuza në intervistë se Mehmet Shehu e dinte dhe nuk ia kishte thënë. Dhe lihet të kuptohet në intervistë, se dyshimi ishte ky që mehmeti ishte agjent. A mund të imagjinohej në fakt që Enveri që dinte cdo gjë të mos dinte demonstratat në kosovë?
Blendi Fevziu: Nuk kam asnjë ide për këtë kontekst. Nuk kam parë asnjë dokument për këtë periudhë dhe as nuk di se ç‘informacione ka pasur Enver Hoxha apo Mehmet Shehu.
Këto ditë, shkruan Nexhmija është hapur një fushatë e tmerrshme kundër meje. U ngrit një gazetar, bëri një biografi, e para thotë në bazë të dokumenteve personale të E.H. shkuan 7 kryeministra, të vjetër e të rinj të kësaj kohe, madje dhe të Kosovës bile dhe promovuan këtë librin e këtij gazetarit.... Mendimi juaj
Blendi Fevziu: S’e kuptoj këtë gjë që ka thënë. Quhet fushatë kundër zonjës Hoxha pse disa miq dhe bashkëpunëtorë të mi (në kuptimin e personave që ftohen rregullisht në emisionin tim) marrin pjesë në promovimin e librit tim?! Po kur kanë marrë pjesë në promovimin e librit “50 + 1” apo “Jeta ime, intervistë me Blendi Fevziun” fushatë kundër kujt ka qenë?! Kjo gjë të kujton paranojën e drejtuesve komunistë para viteve ’90, që e shihnin veten në qendër të një komploti botëror kundër tyre. Mbaj mend që në vitin 1989, në zbor në shkollën e lartë, oficeri hynte në kapanonin tonë në Mamurras në orën 2 të natës dhe bërtiste me megafon: Nato dhe Traktati i Varshavës po sulmojnë shqipërinë. Çohuni t’i luftojmë! S’e kuptoj ende përse të dy forcat më të mëdha ushtarake të globit, dy fuqi ndërluftuese, do bashkoheshin për të luftuar Shqipërinë. Por di që pasi ecnim ca orë nëpër kodra, arrinim në stacionin e Mamurrasit, ku Komandani na thoshte: Nato dhe Traktati i Varshavës u shpartalluan. Gjë më komike se kjo s’mund të imagjinosh. Askush s’merrej me ne. Na kishin lënë në absurdin, fatalitetin dhe varfërinë tonë ekstreme.
Dokumentet janë false pretendon Nexhmija, ndërkohë që ju keni marrë vetëm kujtimet e njerëzve që janë kundër E.H....
Blendi Fevziu: Dokumentat janë ato të Arkivit të Enver Hoxhës, një pjesë e të cilave me shënimet e zonjës Hoxha sipër. Janë aty prej 20 vitesh dhe një pjesë janë edhe në muze. Kanë qenë aty që në 1993. Le të përmende një dokument po të dojë.
Dhe një pyetje të fundit në rolin e gazetarit: në këtë intervistë Nexhmija pretendon se në 100 vjetorin e pavarësisë, 50 vjet janë tonat, shprehet ajo, patjetër duke iu referuar komunizmit. A duhet të shmangen 50 vitet e hoxhës? A duhet të rishikohet pozicioni i tij në historinë e Shqipërisë dhe a duhet të ndërhyjë politika në cështjet që i takojnë tërësisht historianëve?
Blendi Fevziu: Nuk mund të shmangen dhe s’kanë se si të shmangen. Ato janë pjesë e jetës sonë me gjithë absurdin, trishtimin, vrasjet dhe krimet që prodhuan. Por edhe me zhvillimin e Shqipërisë. Vetëm këtu ka diçka. Edhe zonja Hoxha, edhe të tjerë, deklarojnë se Shqipëria ka qenë e prapambetur në vitin 1944 dhe komunizmi e zhvilloi. Ata krahasojnë vitin 1938 me 1988. Çdo vend për 50 vjet zhvillohet. Pyetja është sa do të ishte zhvilluar Shqipëria po të kishte qenë vend i hapur, demokratik dhe i lirë? A do të ishim ne kaq larg fqinjëve tanë, italianë dhe grekë sikur komunizmi të mos kish pllakosur Shqipërinë? Kësaj pyetje ata s’i japin përgjigje dhe kjo është pyetja fatale për gjithë ithtarët e izolimit dhe të shoqërisë pa liri!
(aq/shqiptarja.com)