FIER- Emigrantët e kthyer nga vendet fqinje kanë shtuar interesin dhe vizitat në Drejtorinë Rajonale të Punësimit në Fier.

Sipas drejtorit të kësaj drejtorie, Çezar Koliçi, rreth 60 emigrantë fierakë, të kthyer nga Greqia dhe Italia, janë regjistruar pranë kësaj drejtorie si punëkërkues dhe për të marrë asistencë teknike."Kohët e fundit vërehet një interes i shtuar i emigrantëve për t'u punësuar në vëndin e tyre", tha Koliçi.

Sipas tij, dhjetëra familje që kanë humbur vëndet e punës në emigracion janë paraqitur pranë drejtorisë së punësimit për të parë mundësitë e punësimit dhe vetëpunësimit.

"Ata kanë kërkuar një informacion të hollsishëm rreth tregut të punës, projekteve dhe mundësive të punësimit, që u ofrohen", tha Koliçi. Ai thekson se krahas emigrantëve që i kanë shkëputur marrëdhëniet me emigracionin interes për informacion rreth mundësive të punësimit kanë shfaqur edhe emigrantë që vazhdojnë të jenë në punë në vendet fqinje.

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 02.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)