Gjendja e grevistëve në Marinzë përkeqësohet në ditën e gjashtë të grevës së urisë, ndërsa ende nuk ka asnjë reagim nga kompania “Bankers Petroleum”, institucionet shteterore apo deputetët e zonës.
Sipas kreut të Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur, Dritan Shahu, puset e naftës, për shkak të mungesës së punonjësve po monitorohen nga punonjës të firmave nënkontraktore, por kjo nuk e zgjidh situatën.
Pasditen e sotme ka humbur ndjenjat në ambientet e jashtme të sindikatës të sektorit hidrokarbur në Marinzë, një prej punonjësve të ‘Bankers’, i cili i është bashkuar grevës me bojkot pune.
Josif Lino, me pozicionin mekanik, pasi ka humbur ndjenjat është transportuar drejt qendrës shëndetësore të kompanisë, ku i është dhënë ndihma e duhur mjekësore.
Në ditën e 6-të të grevës së urisë, jo vetëm 10 anëtarët e këshillit sindikal kanë pasur përkeqësim të gjendjes shëndetësore, por tensioni dhe pritja e një zgjidhjeje konkrete po dëmton edhe punonjësit e fushës naftëmbajtëse që kanë bojkotuar punën dhe po vijojnë pa ndërprerje solidarizimin jashtë ambienteve të zyrës.
Ndërkohë, grevistët Eduart Selami dhe Bledar Dano, të cilët mbrëmë patën shqetësime shëndetësore theksojnë se mbeten të vendosur të qëndrojnë në grevë derisa të plotesohet kërkesa për rritjen e pagave.
Komente






