Kjo deklaratë e kreut të kësaj force politike Shpëtim Idrizi është bërë pas një takimi të realizuar në Fier me strukturat e PDIU-së në kuadër të zgjedhjeve në parti që do zhvillohen në 21 maj dhe për anëtarësimet e reja, ku është shprehur se, mbështetja e elektoratit është obligim për PDIU
“Padyshim që ne do dimë që të bëjmë presionin tonë dhe kush ka bërë marrëveshje me ne, asaj marrëveshje do t’i shkojë deri në fund, sepse ndryshe PDIU-në, nuk do ta ketë më me vete. Votat tuaja, mbështetja juaj, janë obligim për ne. E në qoftë se këtu ka dikush që mendon se ne nuk do të bëjmë presion që marrëveshja të zbatohet jo vetëm në Fier, por në të gjithë Shqipërinë, e ka gabim”, tha Idrizi në fjalën e tij.
Kryetari i PDIU-së tha se është e pafalshme që shqiptarët sot jetojnë në varfëri.
“Po kaq e rëndësishme për ne kanë qenë edhe çështjet që shqetësojnë sot gjithë shqiptarët. Për ne është e pafalshme, që ky vend të jetojë sot në varfëri, të mos ketë politika sociale. Kjo është arsyeja pse ne morëm nismën e pensionit social, që sot është një realitet”, u shpreh Shpëtim Idrizi para anëtarëve në qytetin e Fierit.
Idrizi përshëndeti vendimin për anëtarësimin e Kosovës në UEFA, por theksoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë dy shtete, por një kombëtare dhe një komb.
“Morëm një sihariq shumë të mirë për anëtarësimin e Kosovës në UEFA. Padyshim që ky është një lajm shumë i mirë, sepse edhe njëherë tjetër, nëpërmjet kësaj njohje, Kosova është dhe do të bëhet një shtet i pavarur, tashmë i njohur nga gjithë organizmat ndërkombëtare. Por unë besoj e mendoj se ne duhet të jemi dy shtete me një kombëtare dhe një komb siç jemi”, u shpreh ai.
Nga ana e saj deputetja Mesila Doda tha se PDIU nuk është një parti vetëm për çështjen çame, por një parti në shërbim të shqiptarëve.
“Së bashku do të kemi mundësi ti japim jetë një lëvizje te re politike, sepse kjo është arsyeja që na ka mbledhur të gjithë bashkë. Askush nga ne nuk mund të përjashtojë dot krijimin e një fuqie të re politike, e cila shkon përtej skemave të së sotmes dhe të së djeshmes. Askush prej nesh nuk mundet të na mbërthejë dhe të themi, ne do jemi vetëm për një arsyje, do jemi vetëm për një çështje. Jo! Ne jemi në shërbim të njerëzve, ne jemi në shërbim të shqiptarëve, ne jemi në shërbim të çështjes çame, ne jemi në shërbim të kauzës kombëtare, ne jemi pro ndarjes së këtij vendi nga e kaluara”, - tha para anëtarëve në qytetin e Fierit Mesila Doda.
Gjithashtu ajo kujtoi nismat që kanë ndërmarrë deputetet e PDIU-së.
“Sot ne themi kemi sjellë në Parlamentin e Shqipërisë, ligjin për hapjen e dosjeve, ligjin për ndarjen nga e kaluara dhe dënimin e krimeve nga e kaluara, kemi sjellë ligjin për dekomunistizimin, ligjin për lustracionin, kemi sjellë ligjin për heqjen e dekoratave. Këto bëjnë deputetët e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet. Kjo është e djathta moderne, kjo është e djathta e cila nuk ka asnjë paragjykim përpara vetes, kjo është mënyra e re për të bërë politikë dhe ne nuk do të jemi në asnjë mënyrë, as të frustruar, as të kompleksuar nga ato që kërkojmë”, theksoi ajo.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)