Policia e Fierit parandalon një krim brenda familjes. Si rezultat i informacionit të marë në kohë dhe ndërhyrjes së menjëherëshme nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, u arrit parandalimi i kryerjes së një krimi të rëndë në familje, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të ngjarjes, Fatmir Jonuzi, 42 vjeç, banues në fshatin Grabian, Lushnje.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka shkuar i armatosur në banesën e ish- bashkëjetueses, shtetases me iniciale E.V, 26 vjeçe, banuese në fshatin Fermë Çlirim, dhe pasi ka debatuar me atë dhe anëtarët e familjes së saj, i ka kanosur ata armë zjarri automatik.

Policia bëri të mundur neutralizimin e autorit dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik model 56 si edhe një krehër me 26 fishekë.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale "Dhunë në familje" dhe "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak" parashikuar nga Nenet 130/a/2 dhe 278 të Kodit Penal.

Redaksia Online
Shqiptarja.com