Një automjet përfundoi në një kanal vaditës në një rrugë dytësore që të çon drejt Kallmit të Fierit, mesnatën e së dielës. E çuditshmja është, se drejtuesi i tij, ende nuk është gjetur nga policia, edhe pse u identifikua përmes targave.

Pas aksidentit, që mendohet të ketë ardhur nga humbja e kontrollit të shoferit, automjeti u la në mes të ujit, ndërsa drejtuesi nuk u gjet nga policia.

Pronari rezulton të jetë një qytetar fierak, por ende nuk është përcaktuar nëse në momentin e ngjarjes mjeti drejtohej prej tij apo ishte në përdorim të një personi tjetër.

Policia po kërkon të gjejë përse shoferi është zhdukur pas incidentit pa e raportuar atë, duke shtuar dyshimet se në timon mund të ketë qenë ndonjë person që i duhej t’i fshihet autoriteteve apo që mund të ketë pasur sende të jashtëligjshme me vete.