Policia e Fierit ka arrestuar 33-vjeçarin Eni Hatia, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal për trafikimin e narkotikëve.
Sipas policisë, Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e 33-vjeçarit drejt Italisë.
Njoftimi i Policisë:
Fier/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar "Sundimi i ligjit".
I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal për trafikimin e narkotikëve, kapet në Fier dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 33-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, kanë kapur shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar Eni Hatia, 33 vjeç, banues në Fier.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Fier, e arrestuan me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin Eni Hatia, të cilit autoritetet gjyqësore italiane i kanë caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal për trafikimin e narkotikëve.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.