Në qytetin e Fierit, në një muaj janë regjistruar 14 gra shtatzëna pozitive me virus, ku midis tyre ka rezultuar e infektuar dhe një foshnjë e porsalindur. Presidenti i Urdhrit të Mjekut në Fier, Besnik Brahimaj tha se ka shtim të numrit të shtatzënave me COVID, ndërsa një pjesë e tyre nisen për trajtim në Tiranë.
“Deri para një muaji materniteti ka qenë pa raste të COVID qoftë të grave apo të bebeve. Por muajin e fundit shikojmë që është shtuar numri i grave që vijnë me test pozitiv në maternitet ku një pjesë u bëhet trajtimi dhe një pjesë nisen dhe për të lindur në Tiranë. Gjithashtu kemi patur dhe një rast të një fëmije të porsalindur me koronavirus”, tha Brahimaj
Brahimaj u shpreh se të sëmurët me COVID nuk duhet të përqendrohen të gjithë në Tiranë. Numri i pacientëve pozitiv me COVID ka shkuar në 291 raste në Fier, ndërsa Brahimaj kërkoi të hapet edhe një spital COVID në Fier.

“Unë mendoj se të sëmurët me COVID nuk duhet të përqendrohen të gjithë në Tiranë dhe të arrihet të bllokohen spitalet e Tiranës dhe rrethet të rrinë bosh. Unë mendoj që duhet të hapen reparte të veçanta për virusin në qarqet e mëdha siç është dhe Fieri i cili mund të përballojë një situatë të tillë me këtë virus”, tha Brahimaj.
Spitali Rajonal i Fierit ka një dhomë specifike, ku i sëmuri diagnostikohet nëse është pozitiv me COVID apo jo. Nëse rezulton pozitiv dhe është në gjendje të rënduar, transportohet drejt Tiranës dhe merr trajtimet në spitalet COVID.
I.K/b.ha./Shqiptarja.comKomente

