Një 37-vjeçar është arrestuar në Roskovec, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri para banesës së ish-bashkëjetueses së tij 22- vjeçarje, Aleksandra Elmaza në fshatin Luar për motive të dobëta.

Uniformat blu njoftojnë se Besmir (Erjon) Mustaj do të hetohet për veprat penale armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, pas marrjes së njoftimit për të shtëna me armë zjarri në fshatin Luar, organizuan punën për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, u identifikua dhe u arrestua shtetasi B. M., 37 vjeç, banues në Roskovec.

Nga veprimet hetimore rezultoi se, në fshatin Luar, Roskovec, shtetasi B. M. kishte qëlluar me armë zjarri, për motive të dobëta, para banesës ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:30
'Gjeta 4 gëzhoja', flet 22-vjeçarja: Jam ndarë me gjyq nga ish-bashkëshorti, kam pasur vazhdimisht kërcënime ! (VIDEO)

 

Aleksandra Elmazaj, ka treguar momentet e panikut që përjetoi gjatë natës, kur ish-bashkëjetuesi i saj Besmir Mustaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri para banesës së 22-vjeçares. E reja ka treguar për Report tv se në momentin e ngjarjes ndodhej në banesë me motrën dhe vajzën e saj të mitur, ndërsa në mëngjes ka gjetur katër gëzhoja para shtëpisë.

 “Rreth orës 01:00 pas mesnate kam qenë në banesë me motrën dhe vajzën time të mitur, kur kam dëgjuar të shtëna me armë. Në mëngjes, kur dola jashtë, gjeta katër gëzhoja para banesës.”-është shprehur ajo.

22-vjeçarja ka deklaruar se dyshimet e para i ka pasur ndaj ish-bashkëjetuesit, me të cilin është ndarë me gjyq, duke pretenduar se prej kohësh përballet me kërcënime. Ajo ka pohuar se ka kërkuar edhe urdhër mbrojtjeje, ndërsa konfliktet sipas saj lidhen edhe me faktin se ajo ka nisur një lidhje të re, të cilën ish-bashkëjetuesi nuk e pranon.

 “Kam pasur vazhdimisht kërcënime nga ish-bashkëshorti dhe për këtë arsye kam kërkuar urdhër mbrojtjeje. Tashmë jam në një lidhje të re, por ai nuk e pranon këtë fakt. Ndihem e frikësuar dhe kam frikë për jetën time.”-shtoi ajo.

E reja i ka bërë apel policisë që të marrë masa për garantimin e sigurisë së saj, duke pretenduar se kërcënimet janë drejtuar edhe ndaj personit me të cilin është aktualisht në një lidhje.