FIER - Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, u zhvillua seanca gjyqësore ndaj 42- vjeçarit, Altjon Sulejmanaj, i arrestuar dy ditë më parë pasi tentoi të vriste prindërit e tij të moshuar, Shaqir dhe Selfixhe Sulejmanaj, duke i vënë zjarrin banesës ku ata jetonin në katin e tretë të një pallati 4- katësh në lagjen “ 15 Tetori” në Fier.
Trupi gjykues vendosi për 42 vjeçarin: 'Shtrim i detyruar në spitalin psikiatrik'.
Sipas burimeve policore në dëshminë e tij para uniformave blu të Fierit, 42- vjeçari, nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese, përkundrazi ka qenë tepër i qetë. Shkaku i zjarrvënies ka qenë sepse i ka kërkuar babait 10 mijë lekë të vjetra, por ai ka refuzuar t’ia japë. Kjo e ka nxehur 42- vjeçarin duke spërkatur shtëpinë me benzinë dhe duke i vënë zjarrin.
Sipas avokatit Ervis Hajdërmataj, kjo masë u mor pasi është rast i përsëritur, ndërsa sot gjatë seancës gjyqësore Sulejmanaj nuk ka thënë asnjë fjalë, por ka qëndruar i heshtur.
Sa i përket prindërve ata po marrin mjekimin në Spitalin Rajonal të Fierit dhe për sistemin e tyre, pasi shtëpia u dogj, do të merret e bija e tyre.
Mbi autorin Altjon Sulejmanaj rëndojnë tre vepra penale: “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare “ , mbetur në tentativë, “ Dhuna në familje”, dhe “ Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
42- vjeçari doli para trupit gjykues i përbërë nga gjyqtare Miranda Naka dhe avokati mbrojtës Ervis Hajdërmataj, për t'u njohur me masën e sigurisë, ndërsa theksojmë se nuk është një figurë e panjohur për uniformat blu të Fierit, pasi dy vite më parë ka tentuar të djegë një lokal në zonë duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Autori vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ky detaj u mor në konsideratë nga togat e zeza.