FIER - Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Fierit mëngjesin e sotëm. Një 50-vjeçar është ekzekutuar në orët e para të mëngjesit.

Ngjarja e regjistrua rreth orës 06:00 në lagjen "Sheq i Madh" në Fier. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 50-vjeçari, Ahmet Toska po shoqëronte bashkëshorten për në punë.

Mësohet se autori ka qenë i maskuar dhe e ka ekzekutuar me një plumb në kokë. Kjo e bën të vështirë për policinë që të hetojë.

Ndërkohë banorë të zonës shprehen se Toska nuk njihej si njeri problematik. Ata thonë se ai punonte në një pikë karburanti ndërkohë që bashkëshortja e tij në një furrë buke.

Nuk dihen ende rrethanat apo shkaqet e ngjarjes teksa policia ndodhet në vendgjarje për të bërë zbardhjen e plotë të saj.

Ndërkohë policia e Fierit dhe FNSh kanë ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën për identifikimin e autorit.

"Sot rreth orës 06:00, në lagjen "Sheq i Madh" Fier, nga një person ende i paidentifikuar, është vrarë në rrugë me armë zjarri shtetasi A. T., 50 vjeç banues në lagjen "Sheq i Madh", Fier" - njofton policia.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:50
Fier/ Ky është 50-vjeçari i cili u ekzekutua mëngjesin e sotëm në sy të bashkëshortes

Ky është Ahmet Toska, 50-vjeçari i ekzekutuar mëngjesin e sotëm në Fier. Sipas burimeve për Report Tv, ai punonte në një pikë karburanti. Gjithashtu bëhet me dije se ai ishte dhe peshkatar. Në momentin e ekzekutimit ai ishte me bashkëshorten e tij vetëm pak metra larg shtëpisë.

Ora 09:56
Ekzekutimi i 50-vjeçarit në Fier/ Policia sekuestron kamerat e një lokali! Autori i maskuar ka ecur në këmbë

Detaje të reja vijnë nga ekzekutimi i 50-vjeçarit Ahmet Toska në Fier. Burime për Report Tv bëjnë me dije se policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të një lokali i cili ishte rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes.

Në regjistrime është parë autori i maskuar i cili ka ecur në këmbë drejt vendit ku është ekzekutuar 50-vjeçari.

Policia ka shoqëruar disa banorë të zonës për t'i pyetur.

Ora 08:16
Vrasja në Fier, banorja: Ishte njeri i mirë, e shoqja punonte në një furrë buke (VIDEO)

Një banore në pranë lagjes ku u ekzekutua 50-vjeçari, shprehet se ai nuk ishte njeri problematik. Ajo thotë se bashkëshortja e tij punonte në një furrë buke.

"Në mëngjes më tha djali që u dëgjuan të shtëna me armë zjarri. Ahmeti njeri i mirë ishte. Nuk e di shumë mirë se ku punonte. Gruaja punonte tek një furrë buke" - thotë një banore.